TIRANE 21 Korrik/ATSH/- Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tha të hënën se skema aktuale e pensioneve është e padrejtë, sepse sot një njeri punon për një njeri që është në pension. Duke folur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për p/ligjin "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar", Veliaj tha se skema e pensioneve vuan nga një defiçit i lartë prej 430 milionë dollarë. "Ne synojmë të ripërcaktojmë formulën e pensioneve dhe me ligjin e ri rrisim pensionet", tha Veliaj. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj e cilësoi projektligjin si shumë të rëndësishëm dhe theksoi se duhet parë qasja kushtetuese. Sipas ministrit Veliaj, ligji i ri do të hyjë në fuqi me 1 janar.
Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili u ndal tek skema e kontributeve shoqërore dhe tek pagesa e lejes së lindjes për të cilën ai propozoi rritje. Por, sipas ministrit Veliaj, leja e lindjes është rritur nga 42 në 63 ditë.
Deputeti Vasili tha se kjo periudhë duhet të rritet me shumë, ndërsa ministri Veliaj shtoi se "leja e lindjes është detyruese 63 ditë pjesa tjetër që do të marrë lejen tjetër të 300 ditëve është opsionale dhe zgjedh nëse do ja kalojë burrit apo do ta mbaje për vete".
Sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqrore, për shkak të zbatimit të skemave të kompensimeve dhe të disa skemave suplementare, të financuara në masën 80%, ose krejtësisht nga buxheti i shtetit, ka rritur ndjeshëm kërkesën për financime buxhetore, të cilat arrijnë në 46.2% të shpenzimeve të sistemit, ose rreth 3.2% të PBB-së, dhe me prirje të qarta drejt shtimit të tyre. Aktualisht numri i kontribuesve të drejtpërdrejtë është rreth 643 mijë. Nga viti 2005 deri në vitin 2013 defiçiti është rritur, në mënyrë dramatike, me 160%. Në vitin 2013, defiçiti mes të ardhurave nga kontributet dhe shpenzimeve për përfitime ka qenë rreth 26.8 milionë lekë.
Defiçiti është shumë më i madh, rreth 42.5 milionë lekë, nëse marrim në konsideratë shpenzimet totale të skemës ku, përveç shpenzimeve për përfitime, përfshihen edhe shpenzimet për skemat suplementare, programet e veçanta qeveritare si edhe shpenzimet administrative. Ky defiçit e ka vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të sistemit të pensioneve./a.gjonaj/./a.g/