Gjykata Kushtetuese i dha sot të drejtë Erion Veliajt për të vijuar detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, pasi GJK rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.

Për kreun e LZHK Dashamir Shehi, Kushtetuesja tregoi që është e pavarur. I ftuar në emisionin '5 pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, Shehi tha se vendimi është sinjal pozitiv për demokracinë.

‘Kjo lojë nisi kur presidenti shpalli zgjedhjet, duhet që të pritej që të dilte vendimi i GJK për ankimin e Veliajt. Kjo që ka bërë GJK nuk ka njohur procedurën e shkarkimit. Ai është ligjërisht kryebashkiak i Tiranës. Ajo tha është shkarkuar në mënyrë antikushtetuese. Në këtë mes ranë zgjedhjet në Tiranë. Presidenti ishte në presion politikë apo e kanë këshilluar keq, bëri një gabim, sepse duhet që ai të priste dy javë dhe nuk do të ndodheshin në këtë situatë ku jemi sot. Tani ku jemi në këtë situatë. Kemi dy gjëra pozitive, një që gjykata po tregohet si e pavarur, pra vendimi tregon se është e pavarur dhe kjo është një gjë e mirë. Vendimi është sinjal pozitiv për demokracinë në vend', tha ai.

Për ish- prokurorin Eugen Beci, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nxori zbuluar lojën politike që u bë për shkarkimin e Veliajt.

‘GJK tha se s’mund të hiqet një i zgjedhur se ka 3 muaj që ka munguar në detyrë, të gjithë elementet e GJK nxorën zbuluar lojën politike. Vendimi i GJK nxorën zbuluar Këshillin Bashkiak, Këshillin e Ministrave dhe dekretin e presidentit të vendit. GJK tha se procedura nuk është ndjekur në mënyrë të rregullt. GJK tha se duhet shkelje e rëndë e kushtetutës dhe ligjit. GJK tha, ai le të mungojë 3 muaj në punë, është i zgjedhor vendor s’mund ta shkarkosh dot aq kollaj’, tha ai.

Avokati Indrit Sefa, tha se ky vendim i gjykatës rrëzoi zgjedhjet në Tiranë, ndërsa theksoi se s’mund të ketë zgjedhje deri në 2027, pasi të mbarojë mandati i Veliajt si kryebashkiak. Ai theksoi se edhe pse ka qenë në arrest me burg, Veliaj e ka ushtruar detyrën e tij, pasi ka deleguar në krye të bashkisë nënkryetaren. 

 ‘Për mua Veliaj i ka ushtruar detyrat e tij, sepse ai ka deleguar Ristanin në krye të bashkisë së Tiranës.. Shikoja se kur je në një përplasje me kryeministrin ti duhet që të bësh luftën me të gjitha mundësitë që ke. Nëse ke institucionet e drejton politikisht bashkinë, e drejton dhe cakton njerëzit e tu dhe ai ja dorëzoi bashkinë Edi Ramës, edhe pse juridikisht Veliaj është kryetar dhe ka deleguar edhe një nënkryetare. Me kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, ai mund të thotë nuk ka më proces që unë të prish prova. Është seancë e rregullt që mund të vijoj 2 vite se aq do vijoj, por ai mund të thotë ju të GJKKO po i privoni qytetarëve të Tiranës kryetarin e bashkisë që të jetë në krye të detyrës. Po s’ka zgjedhje në Tiranë deri në 2027’, tha ai.

Edhe për gazetarin Poli Hoxha, vendimi i GJK është vendim i pavarur. Sipas tij, procesi për shkarkimin e Veliajt nga detyra është proces i iniciuar politikisht.

‘Vendimi i GJK për mua është i saktë dhe i pavarur. Por ky vendim erdhi këtu ku erdhi si pasojë e një loje politike. Këtë proces që e çojë në këtë vendim e kishte në dorë Rama, filloi me asamblenë e PS. Çfarë pune kishte ai me thënë në mes të asamblesë që do ta heqim. Janë shkeljet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk u thirr për t’u dëgjuar, nuk është njoftuar në kohën e duhur. Ai është i zgjedhur nga populli dhe është në paraburgim, kjo u shmang që të thuhej në këshill dhe u luajt me procedurën. Madje Gjykata Kushtetuese thotë ky vendim ka të bëjë me mënyrën si është shkarkuar dhe s’ka asnjë lidhje me çështjen penale të Veliajt’, tha ai.