Veliaj në 7-vjetorin e NATO-s:
Objektivi tjetër, anëtarësi në BE

Veliaj në 7-vjetorin e NATO-s:<br />Objektivi tjetër, anëtarësi në BE
TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u uroi i pari shqiptarëve 7-vjetorin e anëtarësimit në NATO duke falenderuar ushtrinë shqiptare për kontributin e dhënë.
 
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së posaçme në kuadër të 7 vjetorit të anëtarësimit, Veliaj tha se tashmë shqiptarët duhet të punojnë shumë për të arritur objektivin tjetër, atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
 
“Për anëtarësimin në NATO është vështirë të gjesh kundërshtarë. Është datë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Është shumë më tepër se pjesëmarrje. Kjo arritje na jep mesazh të bashkimit. Sa shumë mund të arrijmë kur fokusohemi për një objektiv. Sot na mbetet të punojmë shumë për anëtarësimin në BE,” tha Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë, e cilësoi një moment të rëndësishëm edhe Asamblenë parlamentare të NATO-s, që do të mblidhet në Tiranë, më 27 maj, si një mundësi shumë e mirë për promovimin e qytetit.

veliaj nato

veliaj nato

veliaj nato

veliaj nato

veliaj nato

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj:
 
Ne, në Shqipëri, ndahemi për shumëçka. Disa herë ndahemi për çështje madhore, disa herë ndahemi për gjëra që në dukje janë të papërfillshme. Për pjesën më të madhe të datave historike mund të ndajmë pikëpamje të ndryshme, mund t’i duam apo t’i urrejmë, mund të themi se ngjarjet që ato shënojnë janë të mira apo të këqija. Por, për anëtarësimin në NATO besoj se është shumë e vështirë të gjesh kundërshtarë. Kjo është me të vërtet një datë shumë e rëndësishme në historinë e shqiptarëve. Ne bashkohemi kur vjen puna tek aspiratat euro-atlantike të vendit tonë.
 
Për ne shqiptarët anëtarësimi në NATO është shumë më tepër sesa thjesht pjesëmarrje në një klub sigurie apo në një tryezë të rëndësishme vendimmarrje. Është një konfirmim i orientimit tonë perëndimor dhe evropian. Njohje e faktit se ne jemi pjesë e kësaj familje. Kjo arritje kaq e rëndësishme na jep të gjithëve një mesazh të shumë të fortë bashkimi. Na bën të kuptojmë sesa shumë mund të arrijmë kur fokusohemi tek objektivat që kanë realisht rëndësi për vendin tonë. Sot që gjysma e ëndrrës sonë Euro-Atlantike është plotësuar, na mbetet të punojmë shumë për të arritur edhe objektivin tonë tjetër madhor strategjik: anëtarësimin në BE.
 
Sot bëhen 7 vjet nga hyrja në NATO. Është e vështirë të shpjegosh sot se me çfarë padurimi u prit kjo arritje për 25 vjet më përpara, sa shumë u punua për të. Por, është më e vështirë akoma të shpjegosh sesa shumë ka ndryshuar Shqipëria për tu bërë anëtare e NATO-s.
 
Sot po rriten breza që as nuk mund ta imagjinojnë se për shumë e shumë vite me radhë Tirana, qyteti ynë, ishte epiqendra e një paranoje anti-NATO. Vetë ky bulevard i qytetit tonë ishte arena ku Shqipëria i skërmiste dhëmbët dhe i vringëllinte armët NATO-s. Unë kam qenë fëmijë, por i mbaj mend parakalimet në këtë bulevard që donin t’i çonin NATO-s mesazhin, mos u ngatërro me Shqipërinë.
 
Shumë pranë zyrës tonë në Bashki gjendet prova e asaj paranoje, në tunelet që gjenden nën sheshin pas Ministrisë së Brendshme e që do mbronin lidershipin në rast të një lufte imagjinare me NATO-n. Atje është drejt përfundimit një projekt shumë interesant që do të hapë për publikun tunelet në një muze realisht unik. Bashkë me bunkerin antibërthamor në Tufinë, këto tunele janë një mundësi e mirë për publikun shqiptar, sidomos për të rinjtë, por edhe për ndërkombëtarët, për të parë se në çfarë përmasash absurde paranoja dhe armiqësia me NATO-n na kishin çuar, jo më larg se tri dekada më parë.
 
Historia e këtyre tuneleve, bunkerëve, e këtij bulevardi të Tiranës, dikur arenë parakalimesh pedante, është në fakt metafora më e bukur e ndryshimit që ka përjetuar Shqipëria. Sot jemi një vend anëtar i NATO-s. Jo vetëm kaq, por së shpejti do të mblidhet në Tiranë Asambleja Parlamentare e NATO-s. Një lajm i mirë dhe një vlerësim për Shqipërinë, por edhe një lajm i mirë dhe një mundësi e artë për promovimin e qytetit tonë të Tiranës.
 
Dua që t'u uroj, Gëzuar festën! Falënderoj Ushtrinë Shqiptare, për mënyrën dinjitoze, me të cilën na ka shërbyer, jo vetëm në misionet tona ushtarake dhe si djalë ushtarakësh më takon të them, edhe në misionet tona të brendshme dhe me emergjencat civile.
 
Gëzuar festën e dashur ministre, të falënderoj shumë për imazhin e mirë të Shqipërisë që ke promovuar dhe të gjithë ushtarakëve: Gëzuar, shëndet për familjet e tyre!
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)