Erion Veliaj thotë se ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama në bashki uli funksionalitetin e administratës dhe e largoi nga vizioni i tij. Në letrën për Asamblenë e PS, ai shprehet i bindur se emërimet dhe ndryshimet në administratë u kryen qëllimisht për të dobësuar ndikimin e tij politik.
Ai ndalet edhe te propozimi i kryeministrit për shkarkimin e tij duke përshkruar më pas rrugën ligjore që ndoqi dhe kërkon llogari për ndërmarrjen e një veprimi të tillë. Veliaj cilëson se bindjen e tij se gjithçka ka pasur si motiv neutralizimin e tij politik, e ka shprehur edhe në Gjykatën e Strasburgut.
Pjesë nga fjalimi:
Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe marrëdhëniet klienteliste. Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim. Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra. Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ky është një fakt juridik i qartë.
Por ai kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike: përse u ndërmor një procedurë që përfundoi me shfuqizimin kushtetues të shkarkimit të një kryetari bashkie të zgjedhur drejtpërdrejt? Unë kam shprehur bindjen, tashmë edhe në Strasburg, se pas përpjekjes për shkarkimin tim ka ekzistuar një qëllim për neutralizimin tim politik.
Lajmi kryesor:
Veliaj kërkon largimin e Ramës, letra drejtuar Asamblesë: Të ndryshojë modeli i drejtimit të PS, reformimi nuk bëhet pa ndryshuar kryetarin që e ka krijuar











