Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka akuzuar menaxhimin e UKT në 4 vitet e fundit, që sipas tij ka sjellë një situatë alarmante duke lënë mijëra banorë të kryeqytetit pa ujë.
 
“Ujësjellës Kanalizime Tiranë është në një situatë alarmante, pasi nuk është e aftë që të funksionojë duke sjellë për pasojë mungesën e ujit për shumë lagje në Tiranë.
 
Sot, godina e bashkisë së Tiranës nuk furnizohet me ujë, por edhe Yzberishti, Rruga e Elbasanit dhe shumë lagje të tjera.
 
Ujësjellësi është i paaftë që të bëjë detyrën e tij, prandaj dua t’i dal garant me 4 njerëz që janë më të aftë se financieri i PD.
 
Pas çdo faturisti të UKT sot është një deputet i PD, ndërsa rrjeti i ujësjellësit është degraduar plotësisht”u shpreh Veliaj.
 
Në vazhdim kryebashkiaku ka akuzuar edhe Bashkinë e Kamzës për mos shtyrje të detyrimeve ndaj ujësjellësit.
 
“Bashkia e Kamzës nuk e ka paguar ujin duke përfituar nga marrëdhënia politike që kishte, 70% e ujit humbet në rrjet”.
 
Veliaj u ndal edhe te borxhi i UKT. “Detyrimi është 3 miliardë e 774 milionë Lekë, ndërsa institucioni nuk mbledh dot detyrimet e veta, 825 milionë Lekë.
 
Na lini të marrim situatën në kontroll për të ndrequr derexhenë në të cilën ju e degraduat, pasi po silleni si dhia e zgjebosur dhe..... Sot keni dy rrugë ose me Lulin dhe me zhulin ose me qytetin dhe shtetin”deklaroi Veliaj.
 
Kryebashkiaku ka akuzuar edhe Pal Dajçin e Ekrem Spahinë. “Nëse ju mendoni se këta janë drejtorët me të cilët unë do të punoj, më vjen keq t’ju zhgënjej se nuk mund të punoj me këta lloj drejtorësh dhe nuk mund të pretendojnë status të nëpunësit civil krerë të lartë të PD”.
 
Bashkia e Tiranës pas shumë debatesh miratoi katër anëtarë për këshillin mbikëqyrës në UKT. Këshilltarët e djathtë kërkuan që të njiheshin me CV-të e emrave të propozuar.
 
Kreu i Këshillit Bashkiak u shpreh se kjo është një kërkesë që do të plotësohet në ditët e ardhshme, ndërsa pas deklaratave të Veliajt ka reaguar kreu i grupit të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Leonard Olli.
 
“Veliaj nuk shpjegoi se cilët janë 4 emrat që do të drejtojë UKT, konflikt i hapur nepotizmi.
 
Ofendoi Pal Dajcin dhe Eqerem Spahinë. Pretendoni se fajin për UKT e ka Basha, atëherë fajin e ka Rama që ka fjetur gjumë për 11 vite në Tiranë” tha ai.

Redaksia Online
(d.b/shqiptarja.com)