Program i detajuar për çdo lagje të Tiranës, ku do ndërhyhet menjëherë pas 21 qershorit, për ta kthyer kryeqytetin në drejtimin e duhur. Kjo është filozofia e programit që kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka gati për çdo njësi në Tiranë. Në ndalesën e tij të radhës për shpalosjen e kontratës me qytetarët, Veliaj u ndal pasditen e sotme në njësinë nr. 6 ku, i shoqëruar nga kryetari i PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri, prezantoi programin specifik për zonën e Kombinatit.
"Takimi i sotëm është mbajtja premtimit që bëmë në takimin e kaluar, kur thamë se do të ktheheshim sërish për t'u dhënë zgjidhje problemeve të zonës. Kjo është hera e parë që ne bëjmë një fushatë duke pasur një program specifik për çdo njësi dhe për çdo lagje të Tiranës. Unë besoj se këto zgjedhje janë për familjet tona dhe problemet që shqetësojnë secilin prej nesh në lagjen e tij. Ndaj edhe programi ynë është si një kostum i qepur për çdo njësi bashkiake për problemet konkrete të asaj lagje", deklaroi Veliaj.
Duke theksuar se fushata e kundërshtarit është fushatë barsaletash, Veliaj prezantoi përpara banorëve projektet konkrete për njësinë 6. Ai shpjegoi se janë evidentuar 314 probleme specifike në zonën e Kombinatit dhe të gjitha këto probleme janë të lokalizuara në një hartë dixhitale. "Këtë sistem do ta hapim për të gjithë publikun dhe kushdo që shikon një problem, një rrugë të shqepur, një rrugë pa ndriçim, plehra që nuk mblidhen, çfarëdo problematike, mund ta raportojë", shpjegoi Veliaj.
Duke vlerësuar se situata në këtë zonë ka ndryshuar shumë për shkak se numri i banorëve për zonën e Kombinatit ka arritur në 78 mijë banorë, kandidati i majtë tha se në 4 vitet e fundit shërbimet nuk janë rritur me të njëjtin rritëm që është rritur popullsia. "Në Kombinat ne kemi sot rreth 30 mijë apartamente në pallate shumëkatëshe dhe 13 mijë shtëpi nga 1 deri në 3 kate. Shumica kanë bërë legalizimin dhe shumica tjetër do ecin më shpejt me ardhjen tonë në bashki", tha Veliaj.
Ai premtoi zgjidhje të problemit pë një grup familjesh që gjatë viteve '90 janë strehuar në ambientet e ish-Kombinatit Tekstil, i cili është totalisht jashtë funksionit. Ai shprehu besimin se ndonëse nuk kanë votuar majtas, ky grup familjesh ka një shans historik që nga ai strehim të kalojnë në një sistem modern banesash sociale. "Kanë edhe ata një shans për të shkuar në drejtimin e duhur nga Kombinati ku janë strehuar në një mënyrë aspak njerëzore dhe aspak komode në një sistem që ne propozojmë për banesa sociale këtu në Kombinat", tha Veliaj.
Parkimi, hapësirat e zëna pa leje, ujësjellësi dhe kanalizimet, shërbimet publike që ofrohen nga bashkia, ishin shqetësime të tjera që zona e Kombinatit pret zgjidhje. "Ne kemi identifikuar këtu në Kombinat 11 hapësira parkimi abuzive, që nëse çlirohen mund t'i shërbejnë qytetarëve dhe kur policia bashkiake të jetë në shërbim të qytetit dhe njësisë, këto 11 hapësira mund të kthehen në hapësira për qytetarët", tha Veliaj. Sipas tij, janë identifikuar 4 hapësira publike të uzurpuara që do çlirohen urgjent, se janë hapësira që mund të kthehen në parqe apo kënde lojërash. "Në total kemi 22 probleme infrastrukturore. Kemi probleme me infrastrukturën te fusha Misto Mame, te Selita e madhe dhe te Selita e Vogël. Me Ministrinë e Shëndetësisë kemi planifikuar që të ndërtojmë një Qendër Shëndetësore për këto zona, duke filluar që nga Qendra Shëndetësore në Yzberisht", sqaroi Veliaj.
Duke sjellë në vëmendje problematikën në varrezat e Sharrës, ai tha se në programin e tij është parashikuar shtimi i varrezave, për të pasur një hapësirë ku njerëzit trajtohen me dinjitet në udhëtimin e tyre të fundit të jetës dhe është një nga planet e bashkisë së re, për të sistemuar të gjithë këtë zonë.
Por, një vëmendje të veçantë Veliaj u kushtoi dhe institucioneve të edukimit. "Në gjithë zonën e Kombinatit ka gjithsej 5 çerdhe, kopshte dhe shkolla që kërkojnë ndërhyrje emergjente. Shkollat 9 vjeçare Shyqyri Peza, Musine Kokalari dhe Lasgush Poradeci, zhvillojnë mësim me dy turne, ndaj është urgjente ndërtimi i një shkolle të re. Shkolla Lasgush Poradeci dhe kopshtet 27 dhe 34 kanë nevojë për rikonstruksion", tha Veliaj. Ai shtoi se Njësia 6 ka nevojë për një shkollë dhe një kopsht të ri që do ta realizojnë brenda mandatit të parë në zonën e Unazës së Re, në Yzberisht.
Gjatë shpalosjes së programit të tij për njësinë 6, Veliaj vuri theksin edhe te krijimi i 5 këndeve lojërash, rikonstruktimin e fushës së sportit dhe kthimit të 18 mijë metra katrorë për hapësira sportive, riparimin e 82 rrugëve me gropa, zëvendësimin e 43 kapakëve pusetash dhe ndriçimin e 7 rrugëve. Gjithashtu, Veliaj premtoi grumbullimin e kafshëve të rrugëve nga 7 lokalitete, pastrimin e 14 zonave nga ndotja masive dhe ndërhyrjen në 27 pika me plehra që nuk pastrohen.
Krahas projekteve specifike të zonës, Veliaj sqaroi se ka dhe projekte të mëdha nga të cilat do të përfitojë kryesisht zona e Njësisë 6 dhe e Kombinatit. "Së pari, landfilli i ri i Sharrës. Ne nuk mund të vazhdojmë me landfillin aktual sepse po prek maksimumin. Por, kemi filluar që tani të planifikojmë një landfilll tjetër, ku sigurohemi se groposja ndodh sipas standardeve, për të mos e kthyer Kombinatin në kazanin më të madh të plehrave në Shqipëri", deklaroi Veliaj.
Në fund, kandidati i ASHE për Bashkinë e Tiranës ftoi kryetarin aktual të bashkisë, Lulzim Basha, në një debat për të diskutuar mbi të gjitha problemet dhe planet për 4-vjeçarin tjetër. "Tani që kemi hyrë në këtë fazë konkrete, e sfidoj sërish në debat kryetarin aktual të bashkisë apo cilindo zëvendësues që të sjellë ai, që të na tregojë lagje më lagje, rrugë më rrugë, shkollë më shkollë, çerdhe më çerdhe, kopsht për kopsht, në çdo vend të njësisë, se çfarë plani kanë ata", deklaroi Veliaj. Në përfundim, kandidati i majtë vlerësoi se të djathtët nuk kanë një plan, por u thonë qytetarëve që të rikthehen aty ku ishin. /atsh/