Veliaj-qytetarëve: 4 minuta kohë
të vendosni për 4 vitet e qeverisjes

Veliaj-qytetarëve: 4 minuta kohë<br />të vendosni për 4 vitet e qeverisjes
TIRANE-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, votoi sot në një nga qendrat e votimit pranë shkollës 9- vjeçare “Fano Noli”.

Pasi ka ushtruar të drejtën e votës ai ka kërkuar që dita e sotme të konsiderohet si një ditë feste e demokracisë edhe nga të gjithë qytetarët e Tiranës, për të treguar qytetari si në ushtrimin e të drejtës ë votës ashtu edhe në zgjedhjen se cili do të jetë fati i qeverisjes së vendit në katër vitet e ardhshme. Duke theksuar rëndësinë që ka vota, Kryetari i Bashkisë deklaroi se janë vetëm katër minuta ato të cilat do të vendosin drejtimin e Tiranës dhe të gjithë qeverisë për katër vitet e ardhshme.

“Ishte një impenjim prej katër minutash i cili vendos punët e katër viteve. Katër minuta nga një ditë si e sotmja, cakton drejtimin e Tiranës, drejtimin e Shqipërisë, punët e nisura, progresin që kemi në vendin tonë, reformat e nisura në katër vitet e ardhshme. Besoj që të gjithë qytetarët e kanë vetë në dorë në mënyrën se si do të avancojë Shqipëria. Ndaj nëse kam një kërkesë është: Votoni, votoni, votoni. E di që sot është një ditë e nxehtë. Rrugës për në plazh, katër minuta votojmë dhe vazhdojmë për në plazh. Sot ka shumë dreka, apo Bajram. Rrugës për në drekë apo kthim nga dreka, është vetëm katër minuta për të vendosur për katër vite’, u shpreh ai.

Ndaj ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë por të marrin kohë për të votuar për 4 vitet e ardhshme të qeverisjes së vendit, ndërsa ka theksuar se është shumë e nevojshme që Tirana të tregojë qytetari ashtu siç tregoi edhe gjatë gjithë fushatës.

“Do të kërkoja një nder të fundit, në fushatë, është që të kemi sa më shumë pjesëmarrje, të sillemi si kryeqytetas! Kemi pasur një fushatë pa incidente në qytetin e Tiranës, do të doja që ta kishim dhe ta mbyllnim me nder të gjithë këtë proces. Është shumë e rëndësishme të votojmë, siç e pamë ishte një impenjim prej 4 minutash i cili vendos punët e 4 viteve. 4 minuta nga një ditë si e sotmja cakton drejtimin e Tiranës, drejtimin e Shqipërisë, punët e nisura, progresin që kemi në vendin tonë, reformat që kanë nisur në 4 vitet e ardhshme”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se qytetarët e Tiranës do të dinë që në këto zgjedhje të votojnë me gjakftohtësi për të marrë vendimin e duhur për drejtimin që do të ketë Shqipëria.

“Lus gjithë qytetarët e Tiranës që përveçse të tregojnë zell në ushtrimin e demokracisë duke votuar, të tregojnë gjithashtu, gjakftohtësi. Besoj se tifozeria ka mbaruar, njerëzit tashmë e kanë marrë vendimin e tyre, është vetëm çështje e paraqitjes së këtyre vendimeve në kutinë e votimit. Jam shumë optimist dhe mezi pres që ta mbyllim me nder gjithë këtë proces”.

Ai ka theksuar se dy vite më parë qytetarët falë votës së tyre i dhanë mundësi qytetit që të ketë më shumë kënde lojërash, lulishte, sheshe, çerdhe, kopshte dhe shkolla më të mira, siç është rasti edhe si shkollës “Fan Noli, ku vet veliaj votoi. “Më vjen mirë që kthehem në një shkollë ku sigurisht nuk u ndieva mirë kur votova këtu si kandidat për kryetar bashkie sepse shkolla ishte e rrënuar, sot ka një palestër, sot ka një terren sportiv. Ju kërkoj ndjesë për ato qendra votimi që janë shkolla, kopshte , çerdhe që janë në rikonstruiksion e sipër, një ndër to është Shkolla e Baletit megjithatë kolegët e Bashkisë kanë marrë masa që pavarësisht se janë kantiere ndërtimi që ne nuk ndërpresim dot sepse do të duhet të kthehen nxënësit në shtator dhe të kapin gjithë ritmin gjatë verës”, theksoi Veliaj.

Ai e ka konsideruar ditën e votimit si festën e demokracisë ku qytetarët duhet të shprehin me votën e tyre verdiktin për atë që do ti qeverisë.

“Ndërkohë që sot, dy gëzime në një ditë, sot është edhe një festë tjetër, festa e demokracisë dhe besoj se Tirana siç është kryeqytet dhe është një kryevend në shumë prej nismave që merr, në shumë prej gjërave që ndodhin, besoj duhet të jetë kryeqytet edhe në festën e demokracisë”, tha Veliaj.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Krujë/ Riaktivizohet zjarri në lagjen Boje! Zjarrfikësit në vendngjarje, u gjetën 50 vatra të qëllimshme në zonë

Krujë/ Riaktivizohet zjarri në lagjen Boje! Zjarrfikësit në vendngjarje, u gjetën 50 vatra të qëllimshme në zonë