Kreu i këshilltarëve të djathtë në bashki Leonard Olli tha se kryebashkiaku nuk u është përgjigjur asnjë kërkese për informacion që kanë bërë këshilltarët për paligjshmëritë në ndërhyrjen tek Parku i Liqenit, tek prokurimet e bëra apo shkarkimet nga puna.
Mungesën e transparencës nga ana e Veliajt, Olli e ka konsideruar teatër absurd të kryebashkiakut.
“Sot jemi përpara një realiteti absurd, sepse jemi detyruar t’i drejtohemi Gjykatës në mënyrë që Bashkia Tiranë dhe kryetari i saj të marrin mundimin dhe të informojnë këshilltarët bashkiakë për atë çka ndodh sot në Bashkinë e Tiranës. Edhe pse në emër të këshilltarëve kemi dërguar dhjetëra kërkesa me shkrim Bashkisë Tiranë, duke filluar që nga data 20 tetor, kur ka qenë dhe kërkesa e parë për tu informuar për masterplanin e famshëm të liqenit, dhe ndërhyrjet më pas që po bëheshin aty, por edhe informacione të tjera që lidhen kryesisht me punën e bashkisë; me pushimet nga puna, me ndërhyrjet e ndryshme në pjesë të ndryshme të qytetit të cilat në gjykimin tona ka një mungesë të theksuar transparence, në raport me shndërrimin e sheshit Nënë Tereza në muajin dhjetor si pedonale për aktivitet biznesi, në raport edhe me elementë të tjerë paligjshmërie, për fat të keq edhe sot që flasim, Bashkia Tiranë, z.Veliaj, në flagrancë të plotë, shkel ligjin duke mos dhënë asnjë informacion. Ligji për vetëqeverisjen vendore, nenin 51, pika 3 e të cilit saktëson në mënyrë eksplicite, se këshilltari me kërkesën e tij informohet për gjithçka dhe në çdo kohë nga Kryetari i Bashkisë. Kjo mungesë transparencë ka vijuar në të gjitha mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Ky është teatri absurd që ka krijuar në këtë moment Veliaj në funksionimin e Këshillit Bashkiak. Bunkerizim total i Bashkisë, terr i plotë informativ dhe për më tepër në mungesë të respektimit të ligjit që nuk është në varësinë apo dëshirën e z.Veliaj”. tha Olli.
Ligji për vetëqeverisjen vendore, nenin 51, pika 3 e të cilit saktëson në mënyrë eksplicite, se këshilltari me kërkesën e tij informohet për gjithçka dhe në çdo kohë nga Kryetari i Bashkisë.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)