Vllaznia po kalon një nga momentet më të vështira që pas rikthimit në Superligë. Në 5 javë kampionat shkodranët kanë marrë vetëm 2 pikë dhe renditet të fundit pavarësisht se objektivat e fillim sezonit ishin të larta. Figura të shquara të historisë së klubit shohin disa problematika në skuadër, por mbeten optimistë se kriza mund të kalojë.
“Mënyra e lojës nuk më ka pëlqyer se kemi dalë jashtë traditës tonë si Vllazni. Po dole jashtë traditës, se ne si Vllaznia kemi patur lojën, anën teknike dhe taktika, është vështirë më pas për të arritur rezultate më mënyra të tjera që nuk janë tonat. Pjesën më të madhe të ndeshjeve ne kemi patur një lojtar mangët. Dalim me të kuqe. Tregohemi të padisiplinuar,"-u shpreh Astrit Hafizi, ish-futbollit e trajner i Vllaznisë.
“Deti ka batica dhe zbatica. Është një moment i vështirë për Vllazninë. Kjo periudha e shkëputjes për shkak të kombëtareve besoj se do i shërbejë. Duhen vendosur pikat mbi I sepse organika është e mirë dhe unë mendoj se duhet thjeshtë të riparohen disa gjëra të vogla,”-tha Dimtar Bicaj, ish-futbollist i Vllaznisë.
Humbja e fundit kundër Teutës ka shtuar shumë zërat se trajneri Edi Martini mund të shkarkohet dhe një prej atyre që mund të marrin drejtimin e skuadrës është ish-futbollisti i Vllaznisë Klod Duro.
“Jo më kot e thash që Vllaznia ruan një vend të veçantë në zemrën time. Do të ishte një ëndërr tjetër e imja ta rëalizoi, siç e kam bërë si futbollist duke fituar titullin në Shkodër, që ta kthej Vllazninë edhe si trajner kampione,”-deklaroi Klodian Duro, ish-futbollist i Vllaznisë.
Komentet e ish-figurave të shquara të Vllaznisë erdhën gjatë zhvillimit të Kupës Miqësia, që bëri bashkë në Shkodër veteranët e ekipeve si Vllaznia, Flamurtari, kombëtarja shqiptare dhe ekipit të Michigan nga Amerika.












Komente
Komento