Nga Njësia 7, në një takim me banorët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kujtoi se si ka qenë kjo zonë më parë, ku nëpër rrugë lëviznin kope me qen dhe plehrat bëheshin mullar. Veliaj tha se sot jo vetëm që këto nuk ekzistojnë më, por është rritur vlera e pronës, ndryshe nga koha e Sali Berishës kur u zaptua 1/3 e kësaj njësie te fushat e ish kompleksit Partizani.  Këto fakte dolën nga një investigim i Report Tv mbi historinë e privatizimit të Ish Kompleksit sportiv Partizani, ku faktet e nxjerra janë tronditëse.

“Po nuk bëre dot Tropojën, nuk bën dot Shqipërinë. Dhe e pamë Saliun - një njeri që do ta mbyllë me turp, sepse vetëm dëme i ka bere këtij vendi. Edhe sot. Ka moshën e Enver Hoxhës, 77 vjeç, dhe kërkon të kthehet për herë të tretë. Bëri ’97-ën, i griu të gjithë lekët në piramida, Zvicra jonë tha, bëri ’98-ën, u veshën shumica e grave të këtij vendi me të zeza, me të gjithë ato tragjedi, hodhi në erë me djalin gjithë Gërdecin, mori me dhëndrin 1/3 e Njësisë 7 tek fusha ‘Partizani’”, tha Veliaj.

Duke folur për gjobat e KQZ-së, Veliaj u shpreh se ishin të padrejta dhe kjo u vërtetua nga vendimi i Gjykatës së Apelit.

“Nuk gjobitet një njeri që punon. Ne duhet të shpikim gjoba për dikë që fle gjumë, ne duhet të shpikim gjoba për dikë që ikën nga Parlamenti, ne duhet të shpikim gjoba për dikë që ikën nga Bashkitë, ne duhet të shpikim gjoba për përtacinë, por jo te vëmë gjoba pse punove më shumë seç duhet”, sqaroi ai.

Më tej ai tha se është më se normale që shumë anëtarë të partive të tjera po i bashkohen Partisë Socialiste, sepse kjo e fundit i ka bindur dhe do mbahet mend për përballimin e sfidave të mëdha, si tërmeti apo pandemia, që ndodhin njëherë në 100 vjet.

“Për historinë e tërmetit dhe të pandemisë nuk do të na falte historia po të dorëzoheshim tani. Tani që po vijnë vaksinat me disa mijëra në javë e tani që po bëhen disa qindra shtëpi në javë. Se do të shkruhet një ditë historia do thuhet: Po vërtetë një gjë që ndodh njëherë në 100 vjet e goditi Shqipërinë edhe pati disa kriza bashkë me tërmet, me pandemi, me ngrica, me borë, me përmbytje, por ishte Partia Socialiste që e ktheu fatkeqësinë në mundësi”, tha Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
 “PD-LSI po na sjellin në Tiranë të diskretituarit e drejtësisë”, Veliaj takim me banorët e njësisë 7: PS-ja është graviteti moral i shoqërisë

Kryebashkiaku Erion Veliaj, drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, në një takim me banorët e Njësisë 7, deklaroi se oferta e PD-LSI dhe aleatëve të tyre është riciklimi i të gjitha figurinave të 30 viteve, të cilët i përcjellin si ndryshim.

“Në Njësinë 7 kanë sjellë Agron Shehun, njeriu që regjistroi rezultatin më skandaloz për PD-në në 30 vite, në Vlorë. As vetë anëtarësia e PD-së nuk e votoi, lëre pastaj mbështetësit e simpatizantët, fare. Do të thotë se ata po riciklojnë në Tiranë të gjithë të lodhurit, të diskredituarit, të falimentuarit. Të gjitha rraqet po na i shesin sikur të ishin moda e fundit”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se nga ana tjetër LSI-së, ka sjellë bandat e targave dhe të diskredituarit e sistemit të drejtësisë.

“LSI ka sjellë Rimin nga Bulqiza, me vëllain e targave. Dosja e tyre në SPAK është më e madhe se sa gjatësia ime. Thonë t’i kthejmë kohët siç ishin. Ende te niveli i vjedhjes së targave jemi ne? Te niveli, jepi makinë vëllait të shkojë të tuajë në kazino? Ai nivel jemi? Kaq shumë e fyejnë Tiranën kur sjellin këta njerëz. Po kur sjellin Tit Fushën? Presidenti Meta është në siklet të madh, sepse që të zhbëhet reforma në drejtësi duhen vota në Parlament dhe të gjithë këtyre që ranë nga vakti, që nuk justifikuan dot pasurinë, u thotë merrni ndonjë mandat në Parlament që t’ia kthejmë reformën në drejtësi mbrapsht, Edi Ramës, Etildës dhe gjithë skuadrës tonë. Kjo është fyerja më e madhe që ata i bëjnë Tiranës, kur sjellin këta lloj personazhesh,” u shpreh ai.

Veliaj tha se është e turpshme se si kërkohet vota e qyetatrëve, pikërisht nga ata që nuk kanë autoritet as te familja e tyre.

“Po të ishte Saliu burrë me namuz e reputacion do t’i thoshte dhëndrit, aman mor burrë, merrni disa shtëpi, po mos merrni 35%, 1/3 e klubit “Partizani”, se na morët fytyrën. Me 1/64 e pronës, mori 1/3 e asetit. Njerëz që nuk i ka në refene as familja e tyre. Kur nuk të bindet kunati me dhëndrin, kush do të kapë telefonin të të ndihmojë me ilaçe, e me vaksina, e me fonde për rindërtimin?! Askush”, tha ai.

Veliaj tha se PS është graviteti moral i shoqërisë, një familje politike ku së pari ka forcë morale. “Kur ke forcë morale, mund të kesh edhe forcë numerike. Si shpjegohet që vijnë vetëm nga PD, LSI dhe PDIU tek ne dhe asnjë nga ne nuk shkon tek ata?! Do të thotë që i gjithë vektori po shkon atje ku është e mira, atje ku është qendra e rëndesës, ku është graviteti moral i shoqërisë, dhe graviteti moral i shoqërisë tonë është Partia Socialiste e Shqipërisë,” u shpreh Veliaj.