Policia ka zbardhur pesë raste të vjedhjes së automjeteve në qarkun Fier. Një 51-vjeçar ka rënë në pranga, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij të dyshuar janë shpallur në kërkim.
Sipas policisë, tre personat dyshohet se kanë vjedhur automjete në Mallakastër, Divjakë dhe Lushnjë, të cilat dyshohet se do t’i përdornin për veprimtari kriminale. Dy prej vjedhjeve janë kryer më 13 nëntor në fshatin Hekal të Mallakastrës.
Në pranga ka rënë Gjevahir Ceka 51 vjeç, ndërsa në kërkim janë K. M., 28 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë, dhe E. D., 34 vjeç, banues në Lurth, Mirditë.
Hetimet vijojnë për kapjen e dy të shpallurve në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të tyre të dyshuar kriminal.
Njoftimi i policisë:
DVP Fier
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hijet e Natës”.
Vidhnin automjete në Mallakastër, Lushnjë dhe Divjakë, dyshohet për t’i përdorur për veprimtari kriminale. Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkautorë.
Zbardhen 5 vjedhje automjetesh në qarkun Fier.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet e Natës”, për zbardhjen dhe dokumentimin e disa rasteve të vjedhjes së automjeteve.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. C., 51 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. M., 28 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë, dhe E. D., 34 vjeç, banues në Lurth, Mirditë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 13.11.2026, kanë vjedhur dy automjete në fshatin Hekal, Mallakastër.
Në vijim të hetimeve, janë dokumentuar edhe 3 raste të tjera të vjedhjes së automjeteve, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, konkretisht:
-Më datë 08.01.2026, në fshatin Feras, Divjakë, kanë vjedhur një automjet;
-Më datë 13.09.2026, në fshatin Çermë Proshkë, Divjakë, kanë vjedhur një automjet;
-Më datë 18.10.2026, në fshatin Dushk, Lushnjë, kanë vjedhur një automjet.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Lezhë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento