Pas vizitës së një muaj më parë, Tirana dhe Athina konkretizojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Gjatë takimit në Athinë, në kuadër të një simpoziumi të organizuar prej ish-kryeministrit George Papandreu, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u prit në një takim nga kryetari i bashkisë së Athinës, Kosta Bakoyannis.
Dy homologët shprehën bindjen se e ardhmja u përket të rinjve dhe dakordësuan të punojnë në projekte të përbashkëta, për ngritjen e Qendrës kulturore shqiptare dhe axhendën e përbashkët për Kryeqytetin e Rinisë.
“Jam shumë i lumtur që kemi vendosur një raport mes qyteteve, ku po planifikojmë për vitin që vjen gjatë të cilit Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kemi përkushtimin që të rinjtë e Shqipërisë dhe Greqisë, e dy kombeve fqinje, që kanë ndarë një histori shumë të gjatë të marrëdhënieve në Ballkan, të lidhen me njëri-tjetrin. Sa më shumë të lidhen të rinjtë, aq më shumë avancojnë projektet tona të përbashkëta”, tha Veliaj.
Një vëmendje të posaçme në këtë takim morën edhe çështjet që shqetësojnë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe programet integruese të tyre në jetën e përditshme greke. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi shkallën e lartë të integrimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe theksoi se bashkë me kryetarin Bakojanis po punohet për të mundësuar edhe ngritjen e qendrës kulturore shqiptare në Athinë.
“Duam shumë që, ashtu siç ecëm në Tiranë me Parkun Helen, ashtu të vazhdojmë këtu me një qendër shqiptare të kulturës, për t’u siguruar që raportet i kemi konkrete. Besoj fort se nëse i trajtojmë me dinjitet qytetarët, si në Tiranë, si në Athinë, atëherë e kemi kthyer realisht në një vëllazëri të vërtetë raportin mes qyteteve tona. Për të gjithë bashkatdhetarët, ne do të kthehemi prapë në vjeshtë me një delegacion pak më të madh, për të finalizuar këto projekte, si qendrën e kulturës shqiptare, po ashtu edhe Kryeqytetin e Rinisë; ku do të kemi një axhendë të përbashkët mes dy qyteteve tona”, nënvizoi Veliaj.
Kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis përshëndeti punën që po bëhet nga kryebashkiaku Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai theksoi se dy qytetet kanë sfida të përbashkëta në të ardhmen, ndaj duhet bashkëpunuar për t’u dhënë brezave të ardhshëm mundësinë për një të ardhme të sigurt.
“Kur isha në Tiranë folëm për fillimin e një bashkëpunimi dhe një udhëtimi të ri, thelbësor, esencial, ndërmjet dy kryeqyteteve. Ai është këtu për të vazhduar rrugëtimin tonë të përbashkët dhe për të arritur rezultatet që duam. Mos harroni që ne kryebashkiakët vlerësohemi nga veprat, jo nga fjalët, por nga përmbajtja dhe produkti final. Do vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe besoj se shumë shpejt ky bashkëpunim mes dy vendeve do të përkthehet në të mirën e kryeqyteteve tona”, theksoi Kostas Bakoyannis.
Në fund të takimit, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i dorëzoi kryebashkiakut Bakoyannis “Kullën e Sahatit” të Tiranës, ndërsa homologu i tij i dhuroi një kravatë me simbolin e Athinës.