Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar ndaj akteve të fundit të djegies së kazanëve dhe koshave të mbeturinave nga militantët e opozitës gjatë protestës së 16 marsit në kryeqytet duke i cilësuar ato si akte dëshpërimi të Partisë së Dhunës - si ai quan Partinë Demokratike.
Përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku Veliaj thekson se ata që sot bëjnë akte të tilla dhune në të njëjtën kohë me vendosjen e tritoleve shtyllave të tensionit, provuan se gjatë katër viteve që drejtuan Bashkinë e Tiranës, nuk e deshën dhe nuk i shërbyen qytetit.
“Zjarret në Tiranë në të njëjtën kohë me tritolet e shtyllave të tensionit, janë akte dëshpërimi të Partisë së Dhunës (PD) E drejtuan Tiranën 4 vite, kurrë nuk e deshën e i shërbyen”, shkruan Veliaj, teksa i fton qytetarët që të marrin pjesë masivisht në takimin “Bashkia që duam” do të ndalet më 23 mars në kryeqytet ku qytetarët do të mund të diskutojnë për atë që është bërë në këto katër vite dhe për projektet që duan të realizojnë në vazhdim.
“Aktet antike me zjarr, bojë, vezë e tritol janë sjellje humbësash! Tirana që Duam në 23 Mars”, shkruan Veliaj.