Ndërsa këtë të mërkurë pritet të mblidhet Këshilli Bashkiak i cili do të vendos lidhur me tarifën e ujit të pijshëm, kryetari i bashkisë së Tiranës shprehet  se pret që ky këshill të marr vendime të guximshme.

Sipas tij Këshilli Bashkiak do t’i hapë rrugë investimeve madhore për t’i garantuar Tiranës ujë të pijshëm 24 orë.

Ai deklaroi sot se Plani i Biznesit i hartuar me ndihmën e USAID-it, përmes të cilit do të realizohen investimet e nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës, është garancia finale që qytetarët e Tiranës të kenë ujë të rrjedhshëm 24 orë.

Ai shtoi  se brenda 5 vitesh do të hiqen edhe depozitat të cilat rrezikojnë qytetarët.

“Plani i biznesit i Bashkisë së Tiranës dhe UKT për forcimin e rrjetit të ujësjellësit që sjell ujë të pijshëm 24 orë brenda 5 vitesh, është garancia finale që kemi për një Tiranë ku të gjitha depozitat që shikoni mbi pallate, që rrezikojnë banorët e kateve të fundit, të mos jenë më rrezik. Të jetojmë në një qytet, ku jo vetëm ka ujë të pijshëm 24 orë, por nuk i mbajmë sytë nga tavani se mos na bie gjithë depozita dhe na zë brenda. Kjo do vendime të guximshme; unë jam gati t’i marr dhe mezi pres që anëtarët e Këshillit Bashkiak t’i marrin këto vendime të guximshme, të shpëtojmë jetët e njerëzve që nuk kanë ujë 24 orë, por të shpëtojmë edhe jetën e atyre që rrezikojnë nga depozitat lart, nga ndotja që sjellin apo nga rreziku për të shembur pallate të tëra prej qindra litrave që kanë mbi kokë”, theksoi Veliaj, teksa inspektoi punimet që po realizohen për rikualifikimin urban të bllokut Nr.1 në Laprakë.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com