Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë dhe ortodoksë me rastin e Krishtlindjes. I shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, Veliaj mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse ku i përcolli urimet Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos, dhe përmes medias, gjithë besimtarëve të tjerë që festojnë sot.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Tirana po e mbyll 100-vjetorin e saj të parë si kryeqytet me një nga sfidat më të mëdha sikurse ishte tërmeti, por që tregoi se u ngrit në këmbë shumë shpejt duke akomoduar të prekurit. “Jam sot plot me mirënjohje për të gjithë ata shqiptarë që u solidarizuan në një moment shumë të vështirë. Tirana mbush 100 vjeç vitin tjetër. E mbyllëm shekullin e parë të Tiranës si kryeqytet, me ndoshta sfidën më të madhe që të paktën gjenerata ime dhe e Ajolës mban mend, që ishte tërmeti i këtij fundviti. Por fakti që qytetet bien nuk është gjë e re. Gjë e re është se sa shpejt qytetet ngrihen dhe Tirana u ngrit në këmbë shumë shpejt, jo vetëm për të akomoduar në shtëpitë me qira apo në të gjitha institucionet tona të emergjencës ata që ishin në nevojë, por edhe për të hapur dyert për të gjithë ata nga Thumana dhe Durrësi që me porosinë e kryeministrit dhe me akomodimin në Tiranë do ta quajnë Tiranën gjithashtu shtëpinë e tyre të re”, tha Veliaj.
Teksa shprehu mirënjohjen edhe për institucionet fetare për kontributin e tyre në përballimin e kësaj situate, Veliaj nënvizoi se viti 2020 do të jetë një vit i mrekullueshëm për Tiranën.
“Dua t’ju falenderoj me gjithë zemër. Keni bërë një punë të shkëlqyer, shpresoj të gjeni edhe ju pak moment për t’u çlodhur dhe rikuperuar energji. Viti 2020 është një vit i mrekullueshëm për Tiranë, mbushim 100 vjeç dhe besoj se do të na gjejë me energji të reja, solidarë të bashkuar dhe plot me dashuri. Faleminderit dhje gjithë të mirat për ju dhe për gjithë familjet tuaja”, nënvizoi Veliaj.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që në këto ditë festive të ndihmojnë të gjithë ata që gjenden në vështirësi. “Në një ditë kur të gjithë flasin për lutje dhe për lëvdime, kemi kuptuar që më shumë se lutjet na duhet një ndihmë konkrete. Ne sot do të shërbejmë drekën e Krishtlindjes në disa prej qendrave sociale të Tiranës. Dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve nëse kanë mundësi, nuk ka nevojë të vijnë në një qendër sociale se qendër sociale ka në shtëpinë e tyre. Mund të jetë një komshi i tyre në nevojë, një i afërm I tyre, dikush që është prekur dhe sot është në një situatë të vështirë dhe nëse secili prej nesh do bënte këtë mision, atëherë do ishim edhe përpara Perëndisë shërbëtorë të denjë të misionit të Krishtlindjes”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj përcolli urimet edhe për besimtarët në selinë e Vëllazërisë Ungjillore në kryeqytet.
Lajmi kryesor: