TIRANE- Bashkëshortët Vladimir (ne foto) dhe Lutfije Muça janë ndoshta dy njerëzit më të pikëlluar dhe në pozicionin më të sikletshëm pas vrasjes së bujshme të Fiqiri Muçës nga 18-vjeçarja Nazime Visha. Vladimiri është vëllai i viktimës, Fiqiriut, ndërsa gruaja e tij Lutfija është e motra e ekzekutores, Nazimes. Në një intervistë për Shqiptarja.com Vladimir Muça shprehet se do të vazhdojë normalisht jetën me bashkëshorten e tij duke shtuar më tej se faji dhe përgjegjësia e asaj që ka ndodhur është vetëm e Nazimes me Fiqiriun.

Zoti Muça, ju jeni vëllai Fiqiri Muçës por edhe kunati i Nazime Vishës e cila dyshohet se është ekzekutorja e Fiqiriut. Ka patur së fundmi shumë aludime në lidhje me bashkëshorten tuaj, Lutfijen, e cila është dhe motra e Nazimes dhe përflitet sikur ajo është nën presion nga familja juaj. Ku ndodhet Lutfija?
Tani Lutfija ndodhet në fshat.

Në cilin fshat?
Në fshatin e Ketës pranë Burrelit atje ku kemi banuar më përpara. Presion po bëjnë ata që flasin për presione. Nga asnjë antar i shtëpisë nuk ka asnjë lloj presioni asnjë lloj gjëje. Lutfija mund t'ua pohojë dhe vetë këtë që po ju them unë. Për mendimin tim këto janë shpikje që u leverdisin atyre që mund t'i thonë. Lutfija nuk ka asnjë lloj presioni, asnjë gjë. Edhe sot kam fol me të në telefon, jemi shumë në rregull, nuk kemi asnjë gjë. E kanë bërë ata që e kanë bërë këtë që ndodhi, nuk kemi bërë gjë as Lutfija e as unë. Nuk ka asnjë lloj presioni.

Ju keni diskutuar me bashkëhsorten tuaj pas ngjarjes?
Edhe sot kemi biseduar. Çfarë të bëjmë ne? Ata nuk menduan as për Lutfijen as për mua, as për të tjerët, bënë siç deshën vetë. Edhe u pa më tej si shkoi…..

Domethënë ju me Lutfijen do vazhdoni jetën tuaj bashkëshortore?
Po po, do vazhdoj të jem bashkëshorti i Lutfijes. Deri në fund. Deri në fund të jetës. Problemet që u hapën me Fiqiriun dhe Nazimen i ka shteti. Deri tani ja kemi lënë shtetit, vazhdon shteti. Mbas shtetit i shohin gjërat se ku janë. Por dua t'iu siguroj se me Lutfijen skam asnjë lloj presioni, asnjë lloj gjëje. Ajo është gruaja ime që prej pesë vitesh, kemi një djalë katër vjeç dhe tani presim dhe një fëmijë të dytë.

Kur jeni informuar ju për herë të parë në lidhje me atë që po ndodhte mes Fiqiriut dhe Nazimes?
Unë e kam marrë vesh historinë atë natë që Fiqiriu e ka rrëmbyer. U bë si u bë ajo punë, unë nga ana ime u thashë familjarëve të Nazimes dhe u bëra të qartë pozicionin tim. Kur u rrëmbye Nazimja disa muaj më parë unë kam patur presione dhe ata më thonin shpesh që do e paguaja unë atë që po bënte Fiqiriu.

Presion nga kush?
Nga të gjithë.

Nga të gjithë kush?
Nga të gjithë njerëzit e Lutfijes, bashkëshortes time. Nga dajot, njerëz dhe të afërm të gjyshit . Unë kisha presion dhe prej asaj kohe nuk kam folur më me asnjë prej tyre.

Po me vëllain tënd Fiqiriun a ke folur pas rrëmbimit?
Që prej momentit të rrëmbimit as me Fiqiriun unë nuk kam folur më.

Po pse?
Po sepse e bëri kështu si e bëri ai dhe nuk fola më me të. Unë madje u thashë: "Shkoni kapini, vritini të dy dhe ju pijmë kafen". Atë punë ata e kanë bërë të dy. T'i lënë justifikimet që po thonë tani. Atë e kanë bërë të dy. E bënë si e bënë e prenë në besë, t'i shofin hajrin se ne skemi çfarë të bëjmë.

Flitet se ka patur një marrëdhënie katër vjeçare mes Fiqiriut dhe Nazimes. Ju e keni marrë vesh vetëm në momentin e rrëmbimit këtë lidhje?
Vetëm në momentin e rrëmbimit. Asnjë gjë më përpara.

Pas rrëmbimit të ndodhur disa muaj më parë, a ka folur Lutfija me motrën e saj, me Nazimen në lidhje me këtë çështje?
Jo jo. Me gjyshin, gjyshen të atin të ëmën, deri ditën që kanë vrarë Fiqiriun Lutfija ka mbajtur kontakte të rregullta. Me Nazimen nuk mbajti më kontakte që pas rrëmbimit. Ndërsa të afërmit e Lutfijes mua nuk më flisnin më që pas rrëmbimit të Nazimes.

Përse i ndërpreu Lutfija kontaktet me Nazimen?
Sepse e preu në besë.

Në ç'kuptim e preu në besë? Kë preu në besë Nazimja?
Po sepse Nazimja e dinte që Fiqiriu ishte kunati i motrës së saj. Ajo nuk duhet të bënte këto gjëra.

Po edhe Fiqiriu ama e dinte që Nazimja ishte kunata e vëllait të tij apo jo?
Normal, të dy janë fajtorë të dy kanë faj.Këtë po them dhe unë. Nuk po ja lë fajin vetëm Nazimes por të dyve. Unë u kam thënë: "Vriti të dy dhe pijmë kafen". Këto e bënë kështu si e bënë…..e dijnë vetë ata se si e kanë bërë.

Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)