Poeti vjen me një orar të caktuar, jo përditë, por gjithmonë kur nuk bie shi në Tiranë dhe pi kafen paraditeve me miqtë në Bar Europa. Sigurisht nuk janë më ata të vjetrit, sepse "Fatosi ka vite që nuk del, është shumë sëmurë. Tani ka ikur në Austri" thotë Xhevahir Spahiu për poetin e njohur Fatos Arapi, mbyllja e të cilit në shtëpi na është dukur disi e mistershme. "Jo Fatosi është shumë rëndë. Ai ka pësuar një dëmtim të madh në zemër, ka pësuar goditje, as nuk del as nuk do që të dal. Ka kohë Fatosi që i ka mbyllur marrëdhëniet me median", thotë Xhevahir Spahiu. Pastaj kujton Pano Taçin, edhe ai një ditë i humbi nga sytë dhe nuk do të vinte më kurrë në Bar Europa, ku komunikonin me gjuhën e përsiatjeve poetike. "I ndjeri Pano, ishte ende i fortë. Iku.... Po Aliu! Ah ç'e gjeti të ziun. Sa jam dëshpëruar. Shkova atje në Kosovë kur u bë varrimi. Nuk më besohet që nuk është", kujton Xhevahir Spahiu poetin Ali Podrimja që ndërroi jetë papritur në një pyll në Francë, gjatë një festivali poezie. Xhevahiri kujton shokët poetë, i kujton një për një. "Eh, botë me halle", thotë i trishtuar. Ndërsa vetë mbahet, sikur i sfidon hallet. Sëmundja e rëndë pas një hemorragjie cerebrale tashmë po ia lë vendin shërimit. I kanë ardhur fjalët në majë të gjuhës. Jo qind për qind, por ngazëllohet kur i vijnë njerëzit dhe ngjarjet në kujtesë. E megjithëse është shumë më mirë, një intervistë, për të cilën iu lutëm me durim e përkushtim, s'e jepte që s'e jepte. "He iku ajo punë, çfarë interviste të jap", thotë duke të lënë të kuptosh se mendon që nuk është më ai Xhevahir Spahiu i parë. Në fakt është i njëjti, me një ndryshim të vogël, që ka ende disa barriera në gjuhë, por kujtesa i është kthyer me sukses. Në të shumtën e rasteve gjuha i zgjidhet normalisht dhe tregon mjaft ndodhi nga jeta. Por nxehet me veten, për shembull kur nuk kujton ndonjë gjë që do ta quanim të parëndësishme, si për shembull kur ka kërcyer tek "Dy Kitarat" në Durrës në ditët e festivalit të poezisë "Poeteka" pesë vjet më parë dhe sesi u quajt ai valltari më i mirë i asaj mbrëmjeje. "Ou, pse s'e mbaj unë mend këtë?, thotë. Në fakt intervista me Xhevahir Spahiun ka qenë tepër e e vështirë, edhe vite më parë, kur ai nuk qe dëmtuar nga sëmundja. Sepse atë nuk kishte burrë ta bënte të fliste për jetën e tij personale. Ai ose do të fliste për Malindin, vendlindjen e tij që thotë se vjen nga fjalët "lind në maj". Pastaj nuk do të soste së lëvduari Tomorin e adhuruar, që s'ka burrë nëne t'ia heq nga mendja poetit as dje as sot, që është vatër muzash, dhe sigurisht ia di për nder pikërisht Tomorit që ai u bë poet. Xhevahir Spahiu është si të gjithë poetët e zgjedhur të kësaj bote, në kuptimin e bukur të fjalës "një fëmijë çiltërisht i pandreqshëm". Ashtu ishte Lasgushi, ashtu ishte Frederik Reshpja, Pano Taçi. U ngjan nga pak të gjithëve. Mëngjesi dhe mbrëmja ashtu si ata, edhe atë e gjen poet. Të tjerat, peripecitë, vuajtjet nuk kanë rëndësi për poetin. Në njërën anë, po ta shohësh me vëmendje, Xhevahir Spahiu është mirë me shëndet. Flet, ka miq, tregon, dëgjon me interes bisedat. Bën shaka. Dhe kur i thonë se është mirë tani, poeti thotë "Jo, jam shumë keq, por faleminderit". "Pse keq?" "S'e akoma nuk kam nisur të shkruaj. Eh iku ajo punë", -pëshpërit me dëshpërim, me një dëshpërim që të bën vërtetë të heshtësh. "Prit poet, se ke poezi, akoma nuk i kemi lexuar të gjithë ato që ke shkruar". Kur i japin kuraja të këtilla, ai me nuancë të lehtë ironie në sy, thotë "sa i mirë", ose "je shumë e mirë". Vjen i vëllai. Një tip hokatar, që u ul me pak droje se sapo kishte shkulur dhëmbët për të vënë të reja, dhe ndërsa shikonte përpjekjet e mia për t'ia dalë mbanë me intervistën thotë: "Ky nuk di kurrë të flas për vete. Pse nuk i thua gazetares çfarë të tha Veronika, ajo francezja, kur botove librin dy vjet më parë në Francë?. Çfarë,- pyeta menjëherë. "I tha pse nuk ta paskan dhënë çmimin Nobel". "Ehu, -skuqet poeti Spahiu sikur të jetë fëmijë.- Lëre tani, iku ajo punë, Ka qëkur kjo. Tani është fjala, që s'po bëjë asgjë". Duke e ditur se një ditë poetët tanë të mirë nuk do të jenë më, iu drejtova vëllait të tij Seit Spahiut. Atëherë meqë Xhevoja s'ka folur kurrë për vete, mund të flasësh ti për të. S'e prisja që kjo intervistë të merrte rrjedhën që mori. Madje as që e dija që poeti Xhevahir Spahiu kishte pasur një vëlla të dënuar politik në Spaç. "Pse nuk e dimë ne?", pyes Xhevahirin. Seit Spahiu i vëllai thotë se "ngaqë sa doli pas '91-it nga burgu, ai shkoi në Greqi". Atje ndërtoi familje, biznesin e vogël që shoqërohet me pasionin për arkitekturën...
Zoti Seit, a mund të na tregoni si ndodhi që Xhevahiri u sëmur aq papritur, ndërsa ishte në kulmin e energjive dhe krijimtarisë së tij?-Sëmundja e tij për ne ishte një bombë që ra në kurriz të gjithë familjes dhe të gjithë letërsisë shqipe, sepse Xhevua nuk ishte një poetuc. Ishte një poet që i ka shkruar kombit shqiptar. Është një poet që i këndon atdheut të tij, është një poet që nuk do të fshihet kurrë as nga sëmundja, as pas largimit nga jeta ndoshta. Pastaj nuk më takon mua shumë të flas se si është si poet Xhevahiri, sepse ju e dini që ai ka edhe vlerësime në Francë e gjetkë, poezi në gjuhë të huaja, por ju doni të dini çfarë po bën Xhevahiri tani që është sëmurë. Po lufton ende kundër sëmundjes, me ndihmën e të gjithë familjes, shokëve, poetëve, përkrahjen e të gjithë njerëzve që e njohin, me dashurinë e Tiranës, këtij kryeqyteti miqësor që më thonë mua se Xhevahiri është siç ka emrin e vet, xhevahir.
Edhe ju dukeni i pasionuar pas librave, poezive, historive. Më flisni dy fjalë për veten?-Për veten time nuk mund të flas shumë, për arsye se gjatë gjithë jetës sime kam vuajtur se kam qenë në kontradikta me politikën shqiptare dhe politikën e Enver Hoxhës. Përfundimisht e vuajta me 13 vjet e gjysmë burg kokëfortësinë time duke marrë në kurriz gjëra të paqena e duke na shtypur në gjërat më banale të jetës.
Në cilin vit e bëtë burgun?Në vitet 1972-'78 dhe në vitet 1984-'91, deri kur na liruan gjoja me pseudodemokracinë, se as ekziston demokracia dhe as ekziston ende një rrënjë lirie e pastër, për arsye se po zbatohet marrëveshja e Katovicës këtu e asgjë tjetër. Të shtypurit të shtypur, të pasurit të pasur e fukarenjtë, fukarenj. Kjo ishte demokracia e gënjeshtërt që u bë.
Çfarë ju ka lidhur me arkitekturën?-Unë kam mbaruar një shkollë të thjeshtë letrare dhe më pëlqen ndërtimi. Pas '91-it si adhurues i zbukurimeve në ndërtime jam marrë pak edhe me arkitekturën, por nuk jam diplomuar për arkitekturë. Ndërsa në kohën e komunizmit profesioni im mbeti burgu dhe politika.
U godit poeti Xhevahir Spahiu pas futjes suaj në burg?-Sigurisht në vitin '72 nisi sulmi në familje i Enver Hoxhës dhe shumë vite më pas. Burgosja ime ishte shkaku i parë që iu vunë ta godisnin ideologjikisht. E hoqën nga "Zëri i Popullit" ku punonte, e hoqën nga revista dhe e çuan poetin, që është turpi i zotit ta përmendësh, në minierë, në Valias. Një poet e kthyen në punëtor të nëntokës. Natyrisht ky qëndrim ndaj Xhevahirit është marrë pas arrestimit tim, dhe nisën duke gërmuar në poezitë e tij, ku të gjenin gabime ideologjike. Sepse familja jonë, familja e gjyshit tim, Ali Malindi ishte një familje patriote, nuk mund të goditeshim nga familja. Ka qenë pjesëmarrës në qeverinë e Vlorës dhe lejoi shkollën e parë shqipe në Vlorë në bashkëpunim me Ismail Qemalin. Dhe gjyshin tim e kanë zënë në gojë sa për të larë gojën në 100-vjetor. Kjo është miopia politike që na duhen vite e vite të presim që të nxjerrim në shesh të vërtetën për burrat që sollën Pavarësinë.
Vërtet vëllai yt Xhevahiri vuajti shumë, por ka edhe një vullnet të rrallë që di ta sfidojë sëmundjen. Jemi bashkë me të dhe ai tashmë flet, bisedon, kërkon të bëjë ende poezi. Si e shpjegon ti indiferencën e një pjesë të mediave ndaj krijimtarisë së Xhevahir Spahiut?-Kjo tregon se ka një shtet e politikë që bënë një racionalizim të gjërave në të kundërt, për të goditur penën e artë dhe për të nxjerrë poetë që shkruajnë për lëmoshë dhe jepen pas politikës. Pseudo-poetët, pseudo-shkrimtarët kanë krijuar tashmë një poezi e letërsi të skllavëruar dhe jo krijimtari të lirë, madje tani nuk ka as gazetari të lirë. Xhevua sëmundjen e përballon vetëm me anë të shoqërisë, falë vendit që ka zënë në shoqëri falë sakrificave në krijimtari.
A mund të na thoni si ndodhi në momentin kur dëgjuat për sëmundjen e tij dhe si arriti të shërohet nga dita në ditë?-Sëmundja e Xhevahirit siç thashë edhe më lart, qe krejt e papritur. Dhe po të shikohet hollë-hollë, ku duhet të bëhen disa analiza DNA, Xhevahiri më tepër është goditur nga një ndërhyrje e jashtme, një provokacion i shtyrë nga një politikë e kundërt për t'i mbyllur gojën poetit, që mendoj se i kanë bërë diçka nëpër kafene. Kjo është e vërteta.
Ju lutem, nëse nuk ju kam keqkuptuar ende, ju po thoni që është e vërtetë, ndërsa jeni duke aluduar për një atentat ndaj poetit. Si ka mundësi?-Po diçka kanë bërë njerëzit që deshën t'i mbyllnin gojën dhe ta hiqnin qafe. Po të kujtohesh, nuk është aksidenti i parë që i ndodh Xhevahir Spahiut? Kujtohuni që njëherë e burgosën, pastaj në atë kohë aksidentohet me makinë, por shpëtoi. Unë vetë them se i ranë me makinë...
Po për rastin e hemorragjisë, si është e vërteta?-Të vërtetën e dinë ata që i janë nisur kësaj pune. Duhet gjendur çelësi nga një hetim perfekt në ato që ka pirë atë ditë, në ndonjë birrë apo gotë rakie brenda. Sepse kuptohet që i është hedhur diçka që i bëri menjëherë bllokim të koronareve të zemrës dhe hemorragji cerebrale të menjëhershëm dhe humbje kujtese. Pija të sëmurë, të bënë të nxjerrësh zorrët, por nuk mund të jap goditje aq të rënda dhe sidomos humbje kujtese. Mendoj se një hetuesi e zonja i gjen me analiza të sakta të gjitha arsyet sesi erdhi kjo goditje e papritur, kjo sëmundje e papritur. Xhevahiri nuk vuante as nga zemra, as nga kujtesa.
Po djali i tij mjek, a nuk mund ta vinte re i pari?-Ai ka qenë i tronditur dhe ka dashur të shpëtojë të atin. Nuk ka qenë aq i djallëzuar, sepse nuk e njihte mirë rrymën politike që ishte kundër Xhevahirit. Ai ka luftuar t'i kthej jetën të atit. Unë di që njerëzit e këqij gjithmonë vazhdojnë të bëjnë ciklin e mbylljes së gojëve...
Për çfarë i duhej mbyllur goja Xhevahir Spahiut?-Eh. Mund të them vetëm këtë që jemi me fat që ata gjetën një mënyrë "më të kulturuar". Nuk ishte e lehtë kjo që kaloi. Nga vdekja familja e ktheu ne jetë. Sakrifica e familjes ka qenë jashtë të gjitha normave që mund shpreh dashuria njerëzore. Kjo e shëroi Xhevahirin.
Ka shpresa për shërimin përfundimtar?-Kam bindjen e verbër se çfarëdo t'i bëhet këtij poeti ai një ditë do të bëhet aq mirë sa do të nis të shkruaj. Ai vetë ëndërron të shkruaj deri në vdekje dhe ndaj unë besoj se do të shkruajë.
Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com, print, 30 janar 2012
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)
Sondazhi i ditës:
27 Nëntor, 11:43
Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?
-
Të drejtë
24.3%
-
Të gabuar
68.4%
-
Nuk e di
7.4%
Vota total: 3278
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille
27 Nëntor, 22:55
-
DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr
27 Nëntor, 22:46
-
Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite
27 Nëntor, 22:41
-
Spahiu: Lirimi i Berishës nuk është vendim pafajësie por thjesht masë sigurie
27 Nëntor, 22:38
-
Po tani, ka drejtësi zoti Berisha ?
27 Nëntor, 22:37
-
Kërkesa e opozitës për qeveri teknike, Alimehmeti në 'Repoltix': Duhet vullnet politikë nga PD dhe PS! Zarat janë hedhur! Faik Basha: E nevojshme
27 Nëntor, 22:25
-
Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin
27 Nëntor, 22:19
-
Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës
27 Nëntor, 22:16
-
Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion
27 Nëntor, 21:56
-
Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi
27 Nëntor, 21:51
-
GJKKO i hoqi 'arrestin shtëpiak' Berishës, Kthupi në 'Repolitix': Praktikë gjyqësore, dosja ka shkuar për hetim, Berisha nuk prish më provat! Gazetari: Bien akuzat e PD për kapje të drejtësisë
27 Nëntor, 21:39
-
Prag feste, Rama ndan fotoalbumin e fëmijëve veshur kuqezi
27 Nëntor, 21:35