Shpërthim tritoli në Fushë Krujë. Tritoli është vënë në shtëpinë e Naim Stafukës, vëllait të Enver Stafukës, i cili është marrë peng që në vitin 2015 dhe vijon të jetë i zhdukur.  Lënda plasëse është vënë në derën e shkalleve të një objekti tre katesh ku ka disa biznese por ne katin e 3 banon Naim Stafuka me familjen. Shpërthimi ka ndodhur pikërisht në vendin ku vite më parë u mor nga persona të maskuar Enveri. 

"Rreth orës 22:05, në Fushë Krujë, në derën e dyqanit të shtetasit N.S, është vendosur një sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi ka vetëm dëmtim të derës së dyqanit. Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe vijon punën për verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve", ka njoftuar policia. 

Enver Stafuka është rrëmbyer në shkurt 2015. Ai dyshohet se ka qenë personi që vodhi makinën ku udhëtuan vrasësit e komisar Dritan Lamaj.  Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë të një lokali në qendër të qytetit të Fushë-Krujës 48­-vjeçari i atëhershëm Stafuka merret me forcë nga tre persona të veshur si policë dhe të maskuar. Kanë mjaftuar vetëm 50 sekonda që grabitësit të neutralizojnë 48-vjeçarin teksa aty afër ka ardhur në automjet tip "Golf" në bagazhin e të cilit është futur Stafuka. Makina më pas është nisur në drejtim të autostradës, ndërsa kanë qenë të afërmit ata që kanë njoftuar forcat e policisë për këtë ngjarje.

Enver Stafuka është dënuar 4 herë për vepra të ndryshme penale, por ngjarja më e rëndë ku u përfshi emri i tij është ajo e vrasjes së Dritan Lamajt. Babai i 4 fëmijëve u arrestua mbrëmjen e 27 majit 2013 në qytetin e Fushë­-Krujës, si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit BMË, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 25 shkurtit kryekomisari Dritan Lamaj.