TIRANE-  Deklaratë e përbashkët e vendeve të Vishegradit mbi rekomandimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë
 
Hungaria,  Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia, vendet e grupit të Vishegradit mbështesin dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
 
Pas një takimi të Grupit të Vishegradit (V4),  të zhvilluar sot në Budapest në të cilin mori pjesë Ministri i Punëve te Jashtme, Ditmir Bushati u firmos një deklaratë e përbashkët.  
 
Në këtë takim, morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të grupit të Vishegradit (Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia), Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, z. Štefan Füle dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ishin gjithashtu të ftuar Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, në cilësinë e Presidencës së radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, Austria dhe Turqia.
 
“Gjatë këtij takimi, vendet anëtare të V4 dolën me një qëndrim të përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të integrimit evropian, vlerësuan pozitivisht progresin e bërë nga Shqipëria në këtë drejtim dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat, në dhjetor të këtij viti.”- thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Jashtme.

 Nga ana e tij Ministri Bushati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në një trajtë gjithëpërfshirëse, për mbarëvajtjen e procesit të zgjerimit. Pjesëmarrësit vlerësuan mbajtjen e takimeve të rregullta të këtij formati midis V4 dhe Ballkanit Perëndimor në të ardhmen.
 

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)