Vau i Dejës ka çelur zyrtarisht sezonin turistik, duke promovuar potencialet e shumta nisur që nga ishulli i Sardës, liqeni, monumentet, me kalanë e kishat e shumta.

Kushdo që ka shkuar në lumin e Shalës ka kaluar tranzit në Vaun e Dejës, një bashki e vogël por me resurse të shumta natyrore, ku po zhvillohet rishtazi agro-turizmi. Një destinacion ku ndërthuren natyra me historinë.

“Është si një portë hyrëse për në Alpet shqiptare, për në Liqenin e Komanit, për në Luginën e Shalës. Të gjitha se bashku janë si një kurorë shumë e bukur e Veriut të Shqipërisë”, thotë Holta Duda, prefekte e qarkut Shkodër.

Sezoni u çel zyrtarisht me aktivitete të shumta dhe një panair për promovimin e bizneseve të hotelerisë, gastronomisë dhe artizanatit.

“Shpresoj që të vijnë sa më shumë turistë, dhe të shohin produktet që ne promovojmë”, thonë përfaqësues të bizneseve.

Një nga pikat më tërheqëse mbetet Liqeni i Vaut të Dejës, i krijuar nga ujëmbledhësi i Drinit, ku mund të bëni shëtitje me varka, peshkim dhe aktivitete rekreative. Kalaja e Danjës, rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës si dhe kalaja e kisha e Sapës janë ndër monumentet që mbartin vlera historike e kulturore.

Oferta turistike plotësohet nga restorantet dhe hotelet pranë liqenit, ku vizitorët kanë mundësi të shijojnë gatimet tradicionale të zonës.