Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete në vend gjatë ditës së sotme, ku situata paraqitet më problematike në Gjirokastër, Lezhë dhe Durrës.

Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin 'Repolitix' në Report Tv tha se përmbytjet në qytetin e Durrësit kanë ndodhur për shkak të një sistemi jo të mirë të menaxhimit të ujërave. Ai theksoi se ujërat e zeza dhe ujërat e bardha duhet të jenë të ndara, por në këtë qytet ato janë bashkë.

 ‘Ujërat e zeza dhe ujërat e shiut duhet që të jenë të ndara, ujërat e bardha janë përzier me të zezat. Durrësit i është shkatërruar sistemi i largimit të ujërave, ujërat e zeza dhe të bardha janë bashkuar me bashkë. Duhet një zgjidhje. Ujërat e zeza kanë edhe mbetje dhe bllokojnë kanalet dhe kanalet për ujërat e bardha janë të ngushta dhe të bllokuara. Durrësi ujërat e bardha i derdh në det dhe dje ka pasur një problem me rrymat detare', tha ai.

Avokati Rezart Kthupi deklaroi se Durrësi përmbytet nga shiu për shkak të mungesës së kanalizimeve dhe abuzimeve me ndërtimet. Ai tha se duhet që të ndërtohet një sistem funksional kanalizimesh që të mundësojë shkarkimin e ujit nga reshjet e shiut dhe të shmanget rrezikun për përmbytje.

‘Durrësi është rasti i vetëm kur një qytet përmbytet nga shiu sepse ata qytete që përmbyten kanë përrenjë, lumenjë që dalin nga shtrati. Durrësi përmbytet sepse ujërat e kodrave zbresin në qytet. Duhet që të bëhen kanalizime të mëdha. Nuk është një gjë që ka ndodhur njëherë kjo përmbytje, po përsëritet gjithmonë kur ka shi. Lejohen që të bëhen ndërtime pa bërë më parë kanalizimet. Sepse kërkohen kanalizime të mira që të kenë kapacitetin që ta shkarkojnë ujin. Uji kur bie duhet që të shkojë diku. Kanalizimet bëhen të vogla dhe i pastrojnë ndonjëherë në 10 vite dhe nuk e përballojnë dot shiun’, tha ai.

Eksperti i Ekonomisë, Ergis Sefa, tha se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha për bizneset të cilat janë përmbytur.

‘Dëmi është i madh. Kosto e bizneseve në Durrës apo edhe e bizneseve në aksin Tiranë- Durrës është e madhe. Duhen parë dëmet që janë bërë. Është kosto e madhe për atë biznes sepse ai do të duhet që ta vërë prap atë mall. Është edhe kosto për buxhetin e shtetit. Vetëm dëmi nga përmbytjet nga 2010 deri në 2021 është 102 milionë euro e ka thënë edhe një studim i BERZH’, tha ai.

Gazetari Armir Mehaj tha se situata mbetet më kritike në Vaun e Dejës, pasi përroi i Glinës ka dalë nga shtrati.

‘Në Vaun e Dejës, situata mbetet e përkeqësuar sepse ka dalë nga shtrati Përroi i Glinës, aty ka një rrezik të madh sepse në të dyja anët e përroit ka rrugë që lidhin fshatrat dhe ato kanë nisur që të gërryhen nga uji dhe mund të kemi edhe përmbytje të banesave’, tha ai.