Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shpallur sot fillimin e procedurave për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Lartë. Bëhet fjalë për vakancën që krijohet nga përfundimi i mandatit të gjyqtarit Ardian Nuni.

Në zbatim të Ligjit Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe në vijim të njoftimit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë mbi një vend vakant që pritet të krijohet, nga përfundimi i mandatit të gjyqtarit Ardian Nuni, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpall fillimin e procedurave ligjore për emërimin e një anëtari të ri të Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
 
Afati për të paraqitur kërkesat fillon ditën e premte, datë 15 prill 2016 dhe përfundon ditën e hënë, datë 25 prill 2016.
 
Të interesuarit, të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji, duhet të dorëzojnë në Institucionin e Presidentit të Republikës dokumente si kërkesë me shkrim, fotokopje të dëshmisë së arsimit të lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë (e noterizuar), përmbledhje të karrierës profesionale e shoqëruar me vërtetimet e lëshuara për çdo rast nga institucioni ose organi ku ka ushtruar detyrën ose nga dhomat kombëtare të avokatisë, noterisë, përmbarimit, etj, të vërtetojë se nuk ka masë disiplinore në fuqi, nuk ka qene i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 5 vitet pararendëse nga data e kandidimit si dhe fotokopje të dokumentit të identifikimit (e noterizuar).
 
Aplikantët, bashkë me dokumentacionin e kërkuar, duhet të dorëzojnë në Presidencë edhe formularin e vetëdeklarimit sipas modelit të miratuar nga Kuvendi në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

“Refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit ose mosparaqitja e tij përbën shkak për mosemërimin në funksionin publik”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Presidencës.

Redaksia Online
Shqiptarja.com