TIRANE- Vendimi i Gjyktës Kushtetuese për rrëzimin e Aktit Normativ të qeverisë për Nëpunësin Civil pritet që të ketë pasojat e tij mbi të punësuarit në administatë pas hyrjes në fuqi. Për këto pasojë, në një prononcim të gjatë për gazetën Shqiptarja,com, juristi dhe ish-ministri i Drejtësisë, Sokol Hazizaj argumeton tre momentet kyç që sjell ky vendim si dhe arsyen e paligjshmërisë që del tashmë për nëpunësit që janë punësuar në periudhën e miratimit të aktit të Kuvend deri të marrja e vendimit nga Kushtetuesja. “Momenti i parë varet nga fakti që a është shprehur Gjykata Kushtetuese për hyrjen në fuqi? Gjykata Kushtetuese duhet të shprehë se çdo të bëjë me periudhën e hyrjes në fuqi të vendimit.

Së dyti, sa kohë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi me botimi në Fletoren Zyrtare atëherë i gjithë problemi është se çdo të bëhet me periudhën nga hyrja e në fuqi e ligjit deri në hyrje në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë janë më sensibël qytetarët. Për mendimin tim, sa kohë ligji ka hyrë në fuqi në 1 tetor të 2013 dhe Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur me pezullim të efekteve të ligjit deri në vendim të saj, normalisht konsiderohet që ligji i hyrë në fuqi në 1 tetor ishte i detyrueshëm për të zbatuar deri në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Hazizaj.

Ndërkohë ai shton se “Nga ana tjetër ligjbërësi jo rastësisht e ka lidhur hyrjen në fuqi të Aktit Normativ me miratimin në Kuvend dhe sa kohë ky Akt Normativ nuk i ka shtrirë efektet e tij për shkak të jokushtetueshmërisë që u shpall nga Gjykata Kushtetuese, normalisht duhet të vazhdonte ligji i mëparshëm. Momenti i tretë ka të bëjë, sa kohë që Gjykata Kushtetuese e ka zgjidhur këtë nëpërmjet rrëzimit të Aktit Normativ si akt jo në fuqi të ligjit, ligji që kalon me kuorum të cilësuar, atëherë të gjitha emërimet që janë bërë në kundërshtim të tij me hyrjen në fuqi të ligjit në 1 tetor 2013, janë jo ligjore”, argumenton juristi Hazizaj.

Arsyetimi ligjor
Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se Akti Normativ është miratuar në shkelje të parimeve kushtetuese, konkretisht parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të kritereve kushtetuese të nevojës dhe urgjencës, të përcaktuara në nenin 101, si dhe të konsensusit politik të arritur në Kuvend në maj 2013. Vendimi i zbardhur përbëhet nga 41 faqe, ku 5 gjyqtarë kanë votuar pro rrëzimit të aktit pasi cënon parimin e ndarjes dhe balancimit midis pushteteve, ndërsa 4 gjyqtarë kanë dhënë votën pro variantit të qeverisë Rama. Mes tyre ka qenë edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, i cili në dhjetorin e kaluar u rikonfirmua nga Parlamenti në krye të kësaj gjykate.

“Kuvendi, në referim të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, nuk ka përmbushur detyrimet kushtetuese që kanë të bëjnë me vlerësimin në formë dhe në përmbajtje të aktit normativ, duke e miratuar atë në kundërshtim me nenet 7 dhe 101 të Kushtetutës. Kërkuesi argumenton se, në referim të nenit 81 të Kushtetutës, ligji për statusin e funksionarëve publikë miratohet me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nisur nga një interpretim sistematik i Kushtetutës, konstatohet se kushtetutëbërësi i ka përjashtuar ligjet që parashikon neni 81 i Kushtetutës nga fusha e veprimit të nenit 101”, thuhet në pretendimet e palëve.


Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)