TIRANË- Kreu i ALUIZNI-t ndërsa ka shpjeguar arsyet e vendimit të KKT për ndalimin e dhënies së lejeve zhvillimore deri në zgjedhjet të reja vendore, i ka kërkuar PD-së që të mos e përdorë për kapital politik. Sipas tij Partia Demokratike e përcjell këtë vendim sikur po i hiqet buka e gojës firmave të ndërtimit.

Lame ka bërë të ditur se është e domosdoshme që struktura e re e territorit t’i përshtatet një plani të ri, pasi interesi publik ka dalë në vend të fundit sa herë që behet fjalë për plan urbanistik.

Lame ka anashkaluar arsyet politike të këtij vendimi duke thënë se është në fuqi deri në  zgjedhjet e ardhshme lokale që janë vitin tjetër.

“Situata po degradonte me një kaos të atillë që çdo qytetari mund te gjente një grup para derës se tij.”- tha Lame ndërsa u ka bërë një apel të gjitha institucioneve përkatëse që të ndalin këtë dalldi fund mandati.
 
Drejtoresha e AKPT: Bashkia Tiranë nuk ka respektuar as planin e saj
Sipas Adelina Grecas Bashkia Tirana në 48% të rasteve ka shkelur numrin e kateve që miratuar vete në planin e saj urban, ndërkohë që ka shkelur 100% përfshirjen e publikut për përcaktimin e territorit pasi nuk ka publikuar apo hartuar në asnjë moment ndonjë studim.
 
Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca ky vendim ishte i domosdoshëm pasi sipas ligjit të 2009-s duhej të ishte miratuar planifikimi kombëtar i territorit brenda vitit 2013. Ky planifikim jo vetëm që nuk është miratuar, por as nuk ka nisur ende ka bërë të ditur ajo.

Artan Shkreli: Problemi jo më nga ndërtimet pa leje, por nga lejet absurde
Sipas Këshilltarit të Kryeministrit Rama , Artan Shkreli, problemi më i madh në Shqipëri nuk vjen më nga ndërtimet pa leje, por nga planifikimet urbane joprofesionale dhe nga lejet absurde zhvillimore që jep pushteti vendor.
 
“Kjo situatë vjen pasi ky ‘zhvillim’ nuk është i orientuar sot mbi bazën e një dokumenti unitar kombëtar, por mbi nevojat e ditës dhe interesat e ngushta klienteliste”-tha Shkreli  
Sipas Shkreli nëse do flitej për një vendim politik do të ishte e gabuar sepse pjesa më e madhe e njësive vendore që preken nga ky vendim janë të majta, por ky vendim ka gëzuar qytetarët që shohin frenimin e kësaj batërdie me territorin.

Ditë më parë KKT vendosi ndalimin e lejeve deri në përfundim të zgjedhjeve të ardhshme vendore, një veprim që opozita e denoncoi me argumentin se qeveria po kërkon t’i marrë kompetencat dhe të shfarosë pushtetin e qeverisjes vendore.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)