VENDIMI
Vendimi i djeshëm i qeverisë përcakton edhe rritjen e nivelit të pagave të të gjithë punonjësve buxhetorë të sistemit të arsimit parauniversitar. "Projektvendimi që po ju paraqesim, propozon ndryshim të pagës së grupit për një kategori të caktuar punonjësish të arsimit parauniversitar. Këta punonjës janë me arsim të mesëm apo 9-vjeçar dhe për këtë arsye janë të pozicionuar në dy grupe me paga pozicioni të ndryshme por njëkohësisht dhe me pagë grupi të ndryshme. Kjo bën që diferenca në pagë të jetë e madhe nga njeri grup te tjetri, si dhe me punonjësit e tjerë që janë në pozicionet më të larta dhe me pagë grupi 1 (gati 9000 lekë në muaj). Për të realizuar ndryshimet e nevojshme për rregullimin në pagë të kësaj kategorie mësuesish propozohet ndryshimi i vendimit nr.194, datë 22.04.1999, të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar", i ndryshuar. Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin 2012", - thuhet në relacionin që shoqëron vendimin e djeshëm të këshillit të ministrave.
PAGAT
Sipas tabelës së re të pagave, një drejtor i shkollës së mesme e ka pagën e pozicionit plot 50 mijë lekë të reja. Kësaj pagese i shtohet edhe paga e grupit që është rreth 13 mijë lekë të reja, dhe kësaj page i shtohet çdo vit një shtesë prej 2% e pagës vjetore, ndërsa kësaj page i shtohet edhe një shtesë tjetër nga 5%-20%, në varësi të rritjes në kategori që ka përfituar arsimtari. Që do të thotë se në total paga e një drejtori gjimnazi shkon mbi 65 mijë lekë të reja në muaj, ndërkohë që homologu i tij në një shkollë nëntë-vjeçare merr rreth 10 mijë lekë të reja më pak, pra diçka mbi 55 mijë lekë të reja. Ndërkohë që një mësues në gjimnaz merr mesatarisht 50.000 lekë të reja, ndërsa ata që kanë mbi 20 vite në arsim, kjo pagë i kalon të 55 mijë lekët. Ndërsa një mësues në shkollat 9-vjeçare merr diku te 46.000 lekë të reja. Sa u përket arsimtarëve që nuk kanë arsim të lartë, por atë profesional i përkasin grupit të dytë dhe e kanë pagën bazë 9 mijë lekë të reja. Kështu një mësues i 9-vjeçares me arsim të mesëm e ka pagën mujore rreth 36.000 lekë, pra rreth 10 mijë lekë më pak se ata që kanë diplomën e shkollës së lartë. Sigurisht që këto janë pagat bruto që marrin arsimtarët, pasi ajo që marrin në dorë zvogëlohen pasi mbi të mbahen edhe taksat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
(sg/shqiptarja.com)