TIRANË - Me shfuqizimin e debive, ish-ushtarakëve do tu rikthehet pensioni i plotë. Një ish-ushtarak që përfiton pension suplementar dhe ka 30 vite shërbimi do të marrë një pension rreth 15 mijë lekë. Nëse sot paguan debinë e cila varion nga 2500-5000 lekë, kjo pagesë do ti rikthehet në pension, duke mos ju mbajtur më nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Si është bërë rillogaritja
Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, me shkresë përcjellëse dhe në rrugë postare, i  dërgojnë institucionit, që ka urdhëruar daljen në rezervë apo lirim të personit, listat emërore për çdo përfitues, të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për çdo përfitues të pensionit suplementar, të caktuara përpara datës 27 qershor 2009, e që vijojnë të përfitohen edhe pas kësaj date. Institucionet e linjës, në bashkëpunim ndërmjet tyre, për rastet kur ushtarakët kanë kryer 7 funksione në struktura të ndryshme, brenda 1 muaji nga data e mbërritjes me postë të listës emërore të personave, plotësojnë formularin tip të periudhës së shërbimit dhe të pagës mesatare, të cilin ia përcjellin strukturës rajonale të sigurimeve shoqërore (DRSSH) që ka iniciuar procedurën e rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, brenda 15 ditëve nga data e mbërritjes në rrugë postare të dokumentacionit individual, përfundojnë rillogaritjen e përfitimit, llogarisin diferencat, zbatojnë procedurat ligjore të evadimit të tyre dhe njoftojnë zyrtarisht përfituesin duke dërguar edhe dokumentacionin përfundimtar për realizimin e pagesës mujore.

Kufizimet në masën e përfitimit
Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur për personat, që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

Për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv.

Dosjet
Një tjetër vendim i rëndësishëm për ish-ushtarakët pritet të jetë njohja e viteve të shërbimit, pë rata që ju kanë humbur dosjet. Kjo do të bëhet falë bashkëpunimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe institucioneve përkatëse, të cilat kanë qenë përgjegjëse për dokumentet që kishte secila dosje. Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një projektvendim, i cili përcakton se do të njihen të gjitha viteve e shërbimit për ata ish-­ushtarakët që kanë humbur dosjet. Ky projekt vendim përcakton se të gjitha vitet e shërbimit do të njihen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pavarësisht se ka mungesë të disa dokumenteve. Vitet e shërbimit do të njihen duke u bazuar tek të dhënat që ka çdo ministri apo institucion i varësisë. Mjafton që një ish-­ushtarak të ketë një vërtetim ose një dokument që ka qenë në detyrë në X repart ose institucion dhe këtë dokument mund ta kenë dhe ministritë.
 
Sa do përfitojnë ish-ushtarakët. Pensioni suplementar i Pleqërisë
Pensioni llogaritet duke shumëzuar pagën mesatare referuese mujore, neto, me 1% për çdo vit shërbimi. Masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar. Pra: PSP = PMRMN x VSH x 1%. Ja llogaritja e pensionit për 30 vite shërbimi sipas ligjit aktual.
 
Paga referuese       Vitet e shërbimit          Pensioni  
40 000                       30                            12 000 lekë               
45 000                        30                            13 500 lekë
50 000                       30                             15 000 lekë
55 000                       30                             17 500 lekë                    
 
Pensioni i parakohshëm i pleqërisë

Pensioni i parakohshëm llogaritet duke shumëzuar pagën mesatarë mujore, neto, me vitet e shërbimit. Ndryshe nga pensioni suplementar i pleqërisë, në këtë rast shumëzohen me koeficientin 1.5%. Pra, PPVSH = PMRMN x VSH x 1.5%. Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë prej 11 560 lekë               

35 000                     18              11 560 lekë               
40 000                     18              11 560 lekë
45 000                     25              16 870 lekë
50 000                     25              18 750 lekë
55 000                     25              20 062 lekë


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)