Vendimi: Kongresi i PS nuk shtyhet
Gramoz Ruçi fiton ndaj Kokëdhimës

Vendimi: Kongresi i PS nuk shtyhet<br />Gramoz Ruçi fiton ndaj Kokëdhimës
TIRANE- Kongresi i Partisë Socialiste do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, ka fituar “betejën politike” brenda partisë me Koço Kokëdhimën. Me kundërshtinë e të gjithë deputetëve dhe ministrave të shprehur për këtë çështje, propozimi i koordinatorit të jugut, Koço Kokëdhima për shtyrjen e tij me të paktën 2 muaj, nuk është pranuar.

6 koordinatorët e jugut janë mbledhur pasditen e djeshme së bashku me grupin organizativ të punës që kryesohet nga Edi Rama dhe Gramoz Ruçi.

Kongresi
Në përfundim të mbledhjes që zgjati më shumë se 3 orë, deputeti i Vlorës Koço Kokëdhima u pyet nga gazetarët se pse kishte kërkuar shtyrjen e Kongresit. Deputeti u përgjigj me një pyetje, duke lënë të kuptohet humbjen e tij nga kërkesa. “Kush ju tha juve që e kam kërkuar?”, - tha Koço Kokëdhima, duke shtuar: “Mos u merrni me thashetheme”.

E njëjta pyetje i është bërë dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili po ashtu është përgjigjur me një pyetje të shkurtër: “Çfarë ju duhet juve kur do të mblidhet Kongresi?”. Tërheqja e Kokëdhimës vjen pasi javë më parë i kishte kërkuar Ramës dhe grupit organizativ zgjedhor që të shtyhet Kongresi, me argumentin se koha nuk mjaftonte për kryerjen e të gjitha proceseve zgjedhore në bazë.

Kjo kërkesë hasi kundërshtinë e deputetëve socialistë, si dhe të kreu të Asamblesë, Gramoz Ruçi. Ky i fundit tha për “Shqiptarja.com” se vendimi për thirrjen e Kongresit i takon vetëm Asamblesë Kombëtare dhe asnjë njeri nuk mund të ndryshojë vendimet e saj. I mbështetur dhe nga thuajse i gjithë korpusi politik i PS-së, Ruçi fitoi garën e influencës brenda PS-së, në një kohë kur Kokëdhima po zgjeronte territorin.

Raportimi
Për më shumë se 3 orë, grupi i punës i PS-së për zgjedhjet brenda partisë, i përbërë nga Rama, Ruçi, Tahiri, Klosi, Nikolla, Bushati, Valiaj, Dako e Leli, ka diskutuar mbi zhvillimet brenda strukturat e partisë. Koordinatorët e rajoneve Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Vlorë-Gjirokastër, Fier-Berat, Dibër-Lezhë dhe Kukës-Shkodër, kanë prezantuar në mënyrë të detajuar gjendjen e anëtarësisë, pranimet e reja, rifreskimet, si dhe zgjedhjet brenda organizatave.

Burime nga mbledhja thanë se nuk është shoqëruar me asnjë debat, dhe raportimi ka qenë i qetë dhe i detajuar për 6 rajonet, ndërsa me ndihmën e errësirës së natës, nga jashtë godinës janë shquar slide-t me shifra që projektoheshin në sallën e mbledhjeve. Ata kanë raportuar për detyrat e ardhshme për përmbushjen e procesit zgjedhor për 61 krerët e degëve të partisë.

Socialistët kanë vendosur të ndajnë vendin në 6 rajone, ku Koço Kokëdhima do të jetë përgjegjës për rajonin që do të ketë në përbërje qarqet Vlorë-Gjirokastër, Lindita Nikolla qarqet Lezhë-Dibër, Ditmir Bushati për Shkodrën dhe Kukësin, Sajmir Tahiri për Tiranën dhe Durrësin, Blendi Klosi për Beratin dhe Fierin dhe Taulant Balla, Elbasan-Korçë.

Afatet
Deri në 15 dhjetor zgjidhjen krerët e degëve
Vetë Organizatat Socialiste, që përbëjnë anëtarësinë e partisë për një qendër votimi, do t’i nënshtrohen zgjedhjeve. Brenda datës 10 nëntor 2015, çdo organizatë do të ketë kryetarin dhe sekretarin e saj të zgjedhur nga anëtarësia e saj. Procesi do të vijojë me zgjedhjen e delegatëve të Kongresit, proces ky që kryhet deri në datën 21 nëntor të këtij viti sipas parimit “1 anëtar-1 votë”. Për strukturat e partisë brenda vendit, norma e përfaqësimit është 1 delegat në 100 anëtarë. Për strukturat e partisë në emigracion norma është 1 anëtar për 200 anëtarë. Numri i delegatëve përcaktohet në bazë të numrit të anëtarësisë së partisë për çdo bashki sipas zgjerimit deri në 10 shtator. Detyra e zgjedhjes së delegatëve, dhe organizimin e mbikëqyrjen e këtij procesi, i takon Komisionit të Zgjedhjeve në Parti. Faza tjetër e zgjedhjeve për strukturat e PS-së, është ajo e zgjedhjes së kryetarëve të PS-së për çdo bashki. Asambleja ka vendosur që ky proces të organizohet deri në 15 dhjetor 2015.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shkarkimi i Allegrit, Juventus ofertë për Thiago Mottën! Epokë e re mes lamtumirash dhe rinovimesh

Shkarkimi i Allegrit, Juventus ofertë për Thiago Mottën! Epokë e re mes lamtumirash dhe rinovimesh