Vendimi pa vendim i Gjykatës Kushtetuese për vendoret 2019, disa pyetje drejtuar asaj dhe çfarë pritet nga Venecia?

Vendimi pa vendim i Gjykatës Kushtetuese për vendoret 2019, disa pyetje drejtuar asaj dhe çfarë pritet nga Venecia?

Presidenti Ilir Meta

Gjykata Kushtetuese (GJK) hoqi përkohësisht përgjegjësinë nga vetja duke vendosur që t’i drejtohet me pyetje Komisionit Evropian Demokracia përmes Ligjit, i njohur ndryshe si “Komisioni i Venecias”. Ky vendim i GJK lë shije të hidhur në publik, sepse tregon pafuqinë e saj kur bëhet fjalë për çështje me interes të lartë publik e politik. Shqipërisë i duhet një GJK kompetente dhe jo një GJK që udhëhiqet nga ideja që ta ketë mirë me të gjitha palët politike dhe si rrugë të shkurtër shpëtimi gjen Komisionin e Venecias.

Vendim marrja për çështjen e ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, duhet të ishte një nga më të lehtat që GJK kishte në dorë për t’i dhënë drejtim. Nuk ka nevojë për asnjë formim juridik që të kuptosh se ato zgjedhje janë të ligjshme fund e krye.

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 u përdorën si mish për top nga një aleancë jo aq e fshehtë, President – Opozitë, për të provokuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dy parti parlamentare, PD e LSI, dogjën për këtë shkak mandatet e deputetëve dhe afërmendsh që kur braktis Kuvendin, si mund të pranosh të hysh në zgjedhje vendore pas 4 muajsh?!

Do të mjaftonte vetëm ky argument që ato zgjedhje duhet të quhen të ligjshme sepse nuk mund të krijohet precedenti i rrezikshëm i anulimit të zgjedhjeve për interesa politikë të njërës palë, aq më tepër kur zgjedhjet janë dekretuar, ka filluar fushata elektorale, janë shpallur kandidatët për kryetar bashkie dhe këshillash bashkiakë, janë printuar fletët e votimit dhe ngritur e gjithë infrastruktura zgjedhore.

Opinioni publik duhet të dijë se më 30 qershor nuk mori pjesë vetëm Partia Socialiste, por plot 36 parti politike. Pra, nuk ka pasur zgjedhje moniste siç tenton t’i etiketojë ato Partia Demokratike. Ato zgjedhje prodhuan 1619 këshilltarë bashkiakë nga të cilët, PS mori 1136 këshilltarë, kurse 483 këshilltarë të tjerë ose 30 për qind e tyre, u shpërndanë për partitë e tjera pjesëmarrëse.

Gjithsesi, meqenëse GJK vendosi t’i drejtohet Venecias, s’na mbetet gjë tjetër veçse të presim opinionin e saj. Megjithatë, për t’i ardhur në ndihmë pyetjeve që GJK do t’i drejtojë Komisionit të Venecias, po i ofrojmë 10 të tilla ku shpresojmë që të marrë parasysh ndonjë prej tyre.

-A konsiderohen zgjedhjet vendore të pavlefshme vetëm pse në to nuk merr pjesë opozita?

-Në nocionin opozitë, cila është përfaqësuese e saj kur zhvillohen zgjedhje vendore: Ajo që është në opozitë në pushtetin legjislativ apo ajo që është në opozitë në pushtetin vendor?

-Kur kryetari në detyrë i një bashkie refuzon që të regjistrohet në zgjedhje për të kandiduar për një mandat të ri, ai gjatë mandatit të ushtruar konsiderohet si përfaqësues i pozitës apo i opozitës në atë njësi të qeverisjes vendore?

-Nëse zgjedhjet vendore konsiderohen të pavlefshme kur në to nuk merr pjesë opozita, çfarë ndodh kur në zgjedhjet vendore do refuzojë të marrë pjesë partia në pushtet? A do konsiderohet të ligjshme ato në këtë rast?

-Nëse Presidenti i Republikës anulon zgjedhjet vendore me nismë personale të njëanshme, sa herë ka të drejtë ai t’i dekretojë e t’i zhdekretojë të njëjtat zgjedhje?

-Nëse Presidenti i Republikës anulon zgjedhjet e dekretura duke u justifikuar se ka pasur konflikt politik në një ose më shumë njësi të qeverisjes vendore, a ka të drejtë ai që t’ia mohojë të drejtën e zgjedhjeve njësive të tjera vendore ku nuk ka asnjë konflikt politik?

-Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore janë autoritete të pavarura nga njëra tjetra, a përbën shkak të arsyeshëm që konflikti politik ose një forcë madhore që pamundëson zgjedhjet në një njësi të bëhet shkak për të mos zhvilluar zgjedhje edhe në njësitë e tjera të qeverisjes vendore të cilat nuk kanë probleme të tilla?

Në këto pyetje që parashtrova, besoj se kam prekur disa nga temat dhe paqartësitë që e mundojnë GJK për të marrë vendim. Këto pyetje janë shteruese dhe e kanë përgjigjen brenda. Ato janë argumenti më i fortë se përse zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 duhet të konsiderohen të ligjshme. Thjesht për të mos krijuar precedentin fatal nga i cili nuk do mund të dalim dot.

 Në përfundim të argumenteve, po bëj një parashikim se çfarë do të vendosë Komisioni i Venecias. Ky Komision, me integritet dhe profesionalizëm të padiskutueshëm, duke parë se ka të bëjë me një çështje të lehtë për t’u interpretuar nga GJK e Shqipërisë, nuk do të shprehet fare me opinion por thjesht do t’i kërkojë GJK që të ushtrojë kompetencat e saj funksionale tashmë që e ka kuorumin vendim marrës.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Geri: 24/06/2021 18:36

    Mire mo mire, po ajo qe ben pershtypje eshte nje batare artikujsh nga Mero, e Frroku e ky Kero e te tjere. Me norme e keni apo kush te marre i pari levdaten nga partia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore