ROME- Vendimi i djeshëm i Silvio Berluskonit për të tërhequr anëtarët e partisë së tij nga qeveria, është quajtur si një “gjest i çmendur” nga kryeministri Letta. Por ai nuk ka qenë i vetmi që e ka menduar kështu.

Vendimi i ish-kryeministrit është marrë si një gjest ekstrem edhe nga disa eksponentë të PDL-së. Sipas tyre, kjo është thjesht një tentativë e dëshpëruar për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në nëntor dhe për të luajtur personalisht fushatën elektorale.

Kjo, njëkohësisht duke apeluar vendimin e Gjykatës me shpresën e uljes së dënimit dhe për të ndaluar votimin për përjashtimin e tij nga Parlamenti.

Enrico Letta pritet të takojë sot Presidentin Napolitano, në presidencë, për të vendosur së bashku lëvizjet e ardhshme.

Situata është shumë e ndërlikuar dhe e vetmja siguri është së Presidenti nuk do t’a shkrijë Parlamentin nëse më parë nuk miratohet ligji i stabilitetit dhe një reformë e ligjit elektoral.

Por për një maxhorancë stabël, Letta nuk do të mund të mbështetet mbi partinë “Pesë Yjet”. Kryetari i tyre Beppe Grillo nuk ka dyshime se duhet të kthehen sërish në zgjedhje dhe këtë radhë ai pretendon një fitore të partisë së tij.

Në lidhje me ngjarjen foli edhe paraardhësi i Letta-s, Mario Monti cili u shpreh se “qeveria duhet të japë dorëheqjen brenda javës nëse nuk do të ishin në gjëndje të qeverisnin në kushtet aktuale”.

Mbetet ende për t’u kuptuar nëse Italia do t’i rikthehet zgjedhjeve, apo nëse Letta do të formojë një koalicion të ri për të vazhduar punën e nisur.

Redaksia Online
(e.d/e.s/shqiptarja.com)