Ditën e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.
Në këtë mbledhje u tha se Shqipëri ka patur një ngadalësim të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit dhe një rënie të normës mesatare të inflacionit në tremujorin e dytë. Në fjalën e tij Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare ka thënë se. Banka e Shqipërisë vijon të presë përmirësim të ritmit të rritjes në afatin e mesëm, përmirësim i cili do të ndihmojë kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv brenda këtij horizonti kohor.
Më pas Sejko tha se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar përmbushjen e objektivit të Bankës së Shqipërisë. Duke gjykuar mbi këto parashikime dhe konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi: Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00%; dhe të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e parashikimeve të skenarit bazë do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe në afatin e mesëm. Ky skenar parashikon se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft gradual dhe – në çdo rast – fillimi i tij nuk do të jetë më i hershëm se tremujori i dytë i vitit 2020.
Fjala e plotë e Sejkos:
Inflacioni shfaqi tendenca të lehta rënieje në tremujorin e dytë. Norma mesatare e tij rezultoi 1.4%, kundrejt nivelit 1.6% të regjistruar në tremujorin paraardhës. Në këndvështrimin e kompozimit të shportës, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e inflacionit të ushqimeve, një fenomen ky i pranishëm dhe në partnerët e huaj tregtarë. Në këndvështrimin e faktorëve makroekonomikë, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e inflacionit të artikujve të importit.
Në një horizont më afatgjatë kohor, vlerat e ulëta dhe nën objektiv të inflacionit pasqyrojnë nivelin ende të pamjaftueshëm të presioneve të brendshme inflacioniste - të diktuar nga shfrytëzimi ende jo i plotë i kapaciteteve prodhuese - dhe presionet e ulëta që vijnë nga inflacioni i importuar, të diktuara në një masë të madhe nga kursi ende i mbiçmuar i këmbimit.
Banka e Shqipërisë gjykon se efekti frenues i këtyre faktorëve do të vijë gradualisht drejt shuarjes gjatë dy viteve të ardhshme.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% gjatë tremujorit të parë. Kjo ecuri pasqyron një ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të rritjes, si në krahasim me tremujorin paraardhës ashtu dhe në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Analiza e të dhënave të disponuara sugjeron se ngadalësimi i ritmit të rritjes ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve jo të favorshme klimaterike. Ky faktor ngadalësues pati një efekt negativ prej 1.6 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike të tremujorit të parë. Ndonëse jo në këtë intensitet, ndikim i këtij faktori pritet të jetë i pranishëm edhe në pjesën e mbetur të vitit.
Nga ana tjetër, komponentët kryesorë të kërkesës agregate – konsumi dhe investimet private – kanë vijuar të rriten, balanca e shkëmbimeve tregtare me jashtë është përkeqësuar, po ashtu si pasojë e rënies së prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese në tremujorin e parë dhe lehtësuese në tremujorin e dytë.
Zgjerimi i kërkesës agregate ka vijuar të mundësojë rritje të punësimit, rënie të normës së papunësisë dhe rritje të vazhdueshme pagash, gjatë viteve të fundit. Ky trend ishte i pranishëm dhe në tremujorin e parë të vitit aktual.
Ndonëse nuk janë favorizuar nga klima e tensionuar politike, konsumi dhe investimet private janë zgjeruar në përgjigje të rritjes së të ardhurave të disponueshme, të nevojës për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, si dhe të kushteve të favorshme të financimit.
Politika monetare stimuluese ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe prime të reduktuara rreziku, duke nxitur rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve.
Normat e interesit të kredisë vijuan të mbeten pranë niveleve më të ulëta historike dhe në tremujorin e dytë, duke mundësuar përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit kreditues. Ky përmirësim vihet re si në përshpejtimin në 6.8% të ritmit të rritjes së kredisë, ashtu dhe në zgjerimin e bazës së kësaj rritjeje. Reduktimi i vazhduar i kredive me probleme, procesi i konsolidimit të sektorit bankar, si dhe trendi rritës i kërkesës, kanë krijuar premisa për një kreditim gjithnjë e më të lartë në të ardhmen.
Kursi i këmbimit ka shfaqur tendenca të lehta mbiçmuese gjatë muajve të verës, në gjykimin tonë, si pasojë e rritjes sezonale të prurjeve të valutës. Megjithatë, norma e mbiçmimit vjetor të tij ka ardhur drejt rënies dhe efekti frenues që ai prodhon në ekonomi dhe inflacion po vjen drejt reduktimit.
***
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike do të vijojë të mbetet në territor pozitiv në afatin e mesëm. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike do të sjellë një ngadalësim të përkohshëm të rritjes gjatë vitit 2019. Më tej, kushtet e favorshme të financimit dhe bilancet e përmirësuara të agjentëve privatë, pritet të sjellin zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve prodhuese.
Duke i projektuar këto trende në të ardhmen, Banka e Shqipërisë pret që ekonomia shqiptare të kthehet në ekuilibër gjatë vitit të ardhshëm, duke krijuar premisa për rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të brendshme të prodhimit. Së bashku me stabilizimin e pritur të kursit nominal të këmbimit, ato do të ndihmojnë kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Në veçanti, Banka e Shqipërisë konstaton se luhatjet e prodhimit të energjisë kanë krijuar luhatje të shtuara në ritmin e rritjes ekonomike gjatë tre viteve të fundit. Megjithatë, ato nuk kanë pasur efekte në trendin afatmesëm e afatgjatë të saj apo në kostot e prodhimit. Për rrjedhojë, ato nuk ndikojnë vlerësimin tonë mbi pozicionin ciklik të vendit dhe nuk duhet të jenë subjekt i reagimit të politikës monetare.
***
Duke gjykuar mbi këto parashikime dhe konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi:
- Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00%; dhe,
- Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e parashikimeve të skenarit bazë do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe në afatin e mesëm. Ky skenar parashikon se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft gradual dhe – në çdo rast – fillimi i tij nuk do të jetë më i hershëm se tremujori i dytë i vitit 2020.
Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se pasiguritë e shtuara në ekonomi kanë shtyrë momentin kohor të kthimit të pritur të inflacionit në objektiv. Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rreziqet e kahut të poshtëm janë shtuar në numër dhe janë rritur në probabilitet.
Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës po shfaqet në ngadalësim të vazhdueshëm, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri dhe ku goditje të papritura në kursin e këmbimit mund ta shmangin atë më tej nga ekuilibri.
Përkeqësimi i skenarit tonë bazë apo materializimi i goditjeve të rrezikut, mund të kërkojë një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare.
Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të përsërisë thirrjen e tij për vijimin e reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti kryesor i përshpejtimit të ritmit të rritjes dhe integrimit në Bashkimin Evropian.