Të dielën e 14 majit, qytetarët shqiptar do t’u drejtohen kutive për të zgjedhur drejtuesit për kryetar bashkie. Në lidhje me këtë ambasada amerikane në vendin tonë, u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ambasada e SHBA thekson se ashtu si në proceset e mëparshme, do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje.
‘Të dielën, qytetarët shqiptarë do të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike më themelore – të votojnë për udhëheqësit dhe të ardhmen e tyre. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve. Siç kemi bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të shkuar, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të fortë.’- njofton ambasada e SHBA.
Edhe ambasadori gjerman Peter Zingraf, ka bërë thirrje që qytetarët të marrin pjesë në votime, pasi sipas tij me votën e tyre ato do të mund ti japin formë të ardhmes. Po ashtu ai u bën thirrje të rinjve që të shkojnë në zgjedhje e të refuzojnë të gjitha përpjekjet për manipulim dhe mungesë transparence.