​Ndonëse në një gjest formal, Komisioni i Venecias miratoi raportin final për reformën në drejtësi. Drafti i cili u bë publik që në 27 shkurt pati lexime të ndryshme nga palët politike në Tiranë. Në një postim në rrjetin social "Twitter" delegacioni i BE-së në Tiranë ka njoftuar miratimin e opinioneve të Venecias për drejtësinë shqiptare.

“Tashmë përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësi që kërkojnë qytetarët shqiptarë": shkruan delegacioni i kryesuar nga ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Ndër rekomandimet kryesore të komisionit të Venecias janë: 1. Byroja Kombëtare e Hetimit, ose Prokurori Special për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, siç quhet në raport, të jetë pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme, por duhet të jetë njësi autonome, e pandikuar nga qeveria apo zyrtarë të tjerë. 2. Mosndërprerja e parakohshme e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. 3. Dhe pika e tretë, vlerësimi i votimit me 3/5 në Kuvend të anëtarëve të institucioneve të drejtësisë, por dhe detyrimi i shumicës për të përfshirë opozitën në këtë proces.
 
Por propozimet e Venecias nuk e kaluan dot provën te komisioni parlamentar i reformës në drejtësi që u mblodh gjatë kësaj jave.
Pas ngërçit në këtë komision, Fatmir Xhafa i ka propozuar demokratëve variantin e tij për zgjidhjen e krizës.
 
Në një letër dërguar mbrëmjen e 8 marsit, drejtuar nënkryetarit demokrat të komisionit ad hoc, Eduard Halimi, Xhafaj sugjeron që palët të autorizojnë ekspertët e pavarur dhe ata të partive politike që të punojnë së bashku, për të përfshirë tek amendamentet rekomandimet përfundimtare të Komisionit të Venecias.
 
Në letrën e përgjigjes, PD e konsideron këtë rrugë një humbje kohe. Eduard Halimi këmbëngul te dialogu politik, për të cilin thonë se Venecia ia ka lënë detyrë politikanëve dhe jo ekspertëve.
 
Hapat që propozojnë demokratët janë tre: "Dialog dhe konsensus për 10 çështjet e ngritura nga opozita për reformën në drejtësi; ngritja e grupit të ekspertëve me përbërje politike, përfshirë edhe dy ekspertët e huaj, por pa u dhënë rol arbitri; dhe në fund hartimi i amendamenteve konsensuale, që do t’i kalojnë më pas komisionit të posaçëm".
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)