Në Shqipëri partitë politike duhet t’i nënshtrohen një filtri ligjor më të fortë verifikimi të financave të tyre dhe sanksionet duhet të jenë më të qarta dhe të ashpra për ato që nuk zbatojnë ligjin. Kjo është porosia kryesore e ekspertëve të Komisionit të Venecias në një opinion për draftin ligjor të përbashkët të PS e PD për financimin e partive politike.

Në përgjigjen për Kuvendin, opinion i miratuar pak ditë më parë, Komisioni i Venecias në përgjithësi i jep dritën jeshile draftit, por kërkon disa ndryshime thelbësore përpara miratimit përfundimtar në Kuvend.

"Nga pikëpamja formale, Projektligji është më i detajuar dhe më i strukturuar sesa dispozitat ekzistuese të ligjit për partitë politike. Nga pikëpamja përmbajtësore, Projektligji ndjek objektiva legjitime që lidhen me forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në financimin politik dhe pasqyron disa standarde ndërkombëtare dhe rekomandime të mëparshme. Elemente pozitive përfshijnë detyrime më të forta për raportim dhe publikim, përdorimin e platformës elektronike, forcimin e auditimit dhe mbikëqyrjes", thuhet në opinionin e Venecias. 

Financimi indirekt i partive politike për Venecian duhet të ketë një vëmendje të posaçme në projektligj.

“Projektligji fokusohet kryesisht te financimi i drejtpërdrejtë i partive politike, ndërsa rreziqet moderne shpesh vijnë nga financimi indirekt (përmes subjekteve të lidhura me partitë, palëve të treta, platformave digjitale, shërbimeve në natyrë, etj.). Edhe pse disa prej këtyre çështjeve trajtohen pjesërisht, ka ende hapësirë për përmirësim”, thuhet në rekomandim. 

Ekspertët kanë 6 rekomandime kryesore për ligjvënësit shqiptarë.

"Harmonizim i rregullave për financimin e zakonshëm të partive dhe atë në fushata zgjedhore; Të bëhen rregulla më të qarta dhe më të detajuara, duke lënë vetëm çështje teknike për aktet nënligjore; Të rregullohet më mirë financimi i fshehur dhe indirekt nga palë të treta; Të kërkohet raportim më i detajuar i të gjitha burimeve financiare duke përfshirë të ardhura, shpenzime, borxhe, kredi, shërbime në natyrë, etj; Të forcohet mbikëqyrja dhe pavarësia e strukturave që kontrollojnë financimin e partive politike; Sanksionet të jenë më efektive, proporcionale dhe parandaluese", thuhet nërekomandim. 

Për ligjin për financimin e partive politike Kuvendi i kërkoi mendim edhe ekspertëve të OSBE-ODIHR, rekomandimet e të cilëve ishin në të njëjtën linjë me Venecian, rregulla më të forta dhe mekanizma shtrëngues që do ta bëjnë ligjin realisht të zbatueshëm.  

Rekomandimet e Komisionit të Venecias

A. Të sigurohet që rregullat që lidhen me financimin e zakonshëm të partive politike dhe ato që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore të harmonizohen dhe të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

B. Të parashikohen rregullime më të sakta dhe më të detajuara në vetë projektligjin, duke lënë për aktet nënligjore vetëm aspektet teknike, si dhe të garantohet që rregullat zbatuese të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Ministrave të bazohen në kritere mjaftueshëm të qarta, objektive dhe të parashikueshme.

C. Të rregullohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse financimi i fshehtë dhe financimi indirekt përmes palëve të treta, si dhe përmes entiteteve të lidhura ose të kontrolluara nga partitë politike.

D. Të përcaktohet qartë në ligj që raportet financiare të partive politike duhet të përfshijnë, në mënyrë të detajuar dhe të ndarë sipas kategorive:

-të gjitha burimet e të ardhurave;

-të gjitha shpenzimet;

-pasuritë;

-detyrimet financiare;

-kreditë dhe huatë;

-borxhet;

-garancitë;

-kontributet në natyrë;

-shërbimet e ofruara nën vlerën e tregut;

-transaksionet me entitete të lidhura;

-mbështetjen publike në natyrë;

-shpenzimet për median dhe komunikimin dixhital;

-grantin për barazinë gjinore dhe përfaqësimin e të rinjve.

Gjithashtu, duhet të merret në konsideratë raportimi më i shpeshtë financiar, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore.

E. Të forcohet mbikëqyrja e financimit të partive politike, duke:

-krijuar mekanizma të qartë bashkëpunimi ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera shtetërore;

-garantuar që KQZ të ketë mandat të qartë, kompetenca të plota dhe burime të mjaftueshme për të mbikëqyrur në mënyrë efektive dhe proaktive financimin e partive politike;

-siguruar që KQZ të ketë mundësi të hetojë shkeljet e dyshuara të rregullave të financimit politik;

-rregulluar më në detaje strukturën e posaçme për financimin, monitorimin dhe kontrollin e financimit të partive politike që planifikohet të krijohet brenda KQZ-së, duke përfshirë garanci për pavarësinë e saj;

-forcuar pavarësinë e ekspertëve kontabël që kryejnë auditimin e raporteve financiare të partive politike.

F. Të rishikohen dispozitat për sanksionet, në mënyrë që:

-të ketë sanksione për shkeljen e të gjitha detyrimeve dhe ndalimeve të parashikuara nga ligji;

-të ekzistojë një gamë më e gjerë masash ndëshkuese, që të jenë efektive, proporcionale dhe parandaluese;

-të shqyrtohet rritja e disa gjobave administrative;

-masa e ndalimit të një partie për të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të shkeljeve të caktuara të ligjit të zbatohet vetëm në raste të rënda, si masë e fundit, pasi partisë t’i jetë dhënë mundësia për të korrigjuar shkeljen dhe vetëm pas një kontrolli gjyqësor efektiv.



Kliko këtu për dokumentin e plotë