Projektligji për financimin e partive politike dhe miratimi i tij me konsensus mes maxhorancës dhe opozitës ishte në fokus të takimit që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi të enjten me përfaqësues të Komisionit të Venecias.
Delegacioni përbëhej nga anëtarët Veronika Bilkova, Oliver Kask dhe Saša Zagorc, si edhe ekspertët e DGI-së, Yves-Marie Doublet dhe Laura Stefan.
Gjatë bisedës, Peleshi vlerësoi Komisionin e Venecias si një partner të rëndësishëm dhe të besueshëm të Kuvendit, ndërsa theksoi se Shqipëria është vlerësuar për zbatimin korrekt të rekomandimeve dhe opinioneve të tij.
“Kuvendi mirëpret opinionin e Komisionit të Venecias për hartimin e një ligji që garanton transparencë, integritet në financimin politik, barazi në konkurrencën elektorale dhe forcim të mekanizmave të kontrollit financiar, mbi parimet e proporcionalitetit, mosdiskriminimit dhe sigurisë juridike’, u shpreh Peleshi.
Sipas tij, synimi është miratimi i këtij ligji me konsensus të gjerë politik, mes maxhorancës dhe opozitës. Mbi 2 javë më parë, Kuvendi drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias për të marrë ekspertizën juridike për ligjin “Për financimin e politikës” ndërkohë që opinioni mbi draftin e hartuar do të jepet në sesionin plenar që do të zhvillohet më 12 dhe 13 qershor.
Drafti “Për financimet e partive politike” është pjesë e shqyrtimit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku socialistët dhe demokratët janë dakordësuar që për çdo nismë, para miratimit në Parlament, t’i drejtohen për mendimi Venecias.
Komente










