VENEZUELË - Në Karakas, kryeqyteti i Venezuelës, nga më të rrezikshmit në botë nuk mund të dalësh dot e qetë as me flokë të gjata. Gratë e Venezuelës janë të tmerruara. Për të furnizuar tregun shumë popullor të ngjitjes së flokëve natyrale, hajdutët nuk hezitojnë të sulmojnë gratë në mes të ditës për të prerë flokët e tyre, e për t'i shitur më pas në sallone bukurie.

"Ne në Maracaibo jemi të detyruara të mbajmë flokët e shkurtra" dëshmoi Egmari Villareal për gazetën "Panorama". Për këtë, hajdutët kanë në shënjestër gratë me flokë të gjata dhe të drejta.

Agjencitë vendase të shtypit bëjnë të ditur se një bandë delinkuentësh me emrin “Piranha” është i specializuar në prerjen e flokëve të grave. Gazeta “Informe 21″ shkruan se: "Hajdutët pranë qendrave tregtare kërcënojnë me armë gratë, që t'i lidhin flokët bisht, pasi kështu i presin më lehtë.

Ndërsa policia has në shumë vështirësi për të kapur këta hajdutë. "Viktimat nuk guxojnë të ankohen. Ata nuk duan të rrezikohen nga hakmarrja e kriminelëve", shpjegon komisioneri.

Shkaktari i kësaj forme të re të krimit është varfëria që mbretëron në këtë vend të Amerikës Latine. 60% e këtyre hajdutëve janë pjesë e një popullate shumë të vërfër sipas gazetës "Globovision".

Ata përfitojnë nga moda re për ngjitje të flokëve natyrale. Venezuela nuk është vendi i vetëm i prekur nga kjo dukuri. Në Brazil, vjedhjet e flokëve janë gjithashtu të zakonshme. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo ndodh ndonjëherë.

Në SHBA janë shënuar edhe plaçkitje të armatosura për vjedhjen e stoqeve të tëra me flokë natyralë. Në Miçigan, një shitës u vra në vitin 2011 gjatë një grabitjeje, ndërsa në  Hjuston, hajdutët patën ikur me një plaçkë flokësh me një vlerë prej 160,000 dollarësh.

Ngjitja e flokëve, një treg prej 1 miliard frangash

Sipas vlerësimeve, tregu global për produktet e flokëve natyralë realizon rreth 1 miliard franga, thuhet në një sondazh të gazetarit britanik Carney Scott. Më shumë se 80% të flokëve vijnë nga India.

Pas Indisë, vendet e Europës Jug-Lindore, Azia dhe Kina janë bërë furnizuesit më të mëdhenj. Së fundi, Ukraina dhe Moldavia mund të ofrojnë flokë bjonde për 40 franga një kilogram, kundrejt 10 frangave për kilogramin e flokëve të zeza indiane.

Pasi kalojnë përmes ndërmjetësuesve të ndryshëm, këto produkte fitojnë një vlerë prej 3700 frangave për kilogram në Londër apo Paris. Megjithatë, këto shuma janë të pakëta në qoftë se marrim parasysh se njerëzimi shpenzon rreth 70 miliardë franga për kujdesin e flokëve.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)