Sipas Fallmerayer pas përmbysjeve revolucionare të gjithanshme që sollën stuhitë e dyndjeve barbare dhe vendosjen masive të sllavëve në Ballkan, tashmë nga trashëgimi i Greqisë antike nuk kish mbetur gjë veçse toka, gërmadhat, kurse në rrembat e këtij populli”nuk rridhte më asnjë bulë gjaku grek”, e për këtë arsye nuk mundtë bëhej fjalë për asnjë lloj kontinuiteti historik, aq më tepër që në shekullin e XIV një dyndje e dytë masive, tani shqiptare, i kishte mbuluar dhe viset më të thella greke deri në Peloponez[1]. Më tej ai vazhdonte se tani atje jeton një fis i ri i vallazëruar me fisin e madh të sllavëve. Si element i dytë i popullsisë së atjeshme janë për tu përendur shqiptarët...Sllavët skithikë, arnautët ilirë, fëmijët e evendeve veriore, të një gjaku me serbët e bullgarët, dalmatët e moskovitët(rusët) janë ata që i quajmë sot helenë.[2]
Ishte e natyrshme që ky konstatim dhe afirmim i kësaj ndërprerje historike të etnosit grek dhe evidentitimi i prejardhjes së lashtë të shqiptarëve të shkaktonin një reaksion në rrethet intelektuale të Europës, që në të shumtën rasteve 20 vjet pas triumfit të Revolucionit Grek dhe ndërtimit të shtetit kombëtar grek, kishin qenë avokate të forta të ndërtimit të Greqisë së re sipas një modeli dhe ideali që do përfaqësonte shpirtin grek të antikitetit të studiuar në katedrat e universiteteve europiane.
Magjepsja evropiane përkundrejt ringjalljes së Greqisë ishte kthyer në një rrymë të mendimit politik e kulturor evropian të fillimit të shekullit të XIX, të njohur me emrin Filohelenizëm, eksponentë të të cilit kishin qenë disa nga figurat më të njohura të kulturës evropiane si Lord Byron, Shatobrian, Gëte , Manzini etj. Në botimin e “Këngëve Popullore të Greqisë moderne” në Paris në 1824, nga Claude Fauriel, dy vjet pas masakrës së Hios dhe shtypjes së egër të kryengritjes së parë greke, autori pohon me këmbëngulje se kombi grek zotëron mjaftueshëm gjithçka që, në 1823-shin, është mbajtur si trashëgim i domosdoshëm i një kombi të denjë për këtë emër-një gjuhë dhe një kulturë që siguron vazhdimësinë me pasardhësit e mëdhenj, një letërsi popullore të gjallë, të rrënjosur në truallin dhe shpirtin e kombit.[3]
Ky pohim dhe botime të tjera në shtypin evropian të kohës rrëfejnë sesa thellë ishte shtrirë procesi i uniformizimit të identiteve të ndryshme kulturorë, linguistikë dhe gjeografikë në mendimin evropian kur realitetet në terren ishin të ndryshmëm nga sa pretendohej. Kjo duket nga perceptimi që kishin njerëz të letrave që kishin jetuar në Greqi, përfshirë dhe historian gjerman Fallmerayer. Në një letër të 11 shkurtit 1834, ai thotë se e tëra Atika është e populluar nga shqipfolës dhe në kryeqytet gjejmë njerëz që e dinë greqishten vetëm se u nevojitet. Në Beoti, përjashtuar tre lokalitete, vihet re e njëjta gjendje.[4]
Sigurisht që ky përcaktim shprehte një realitet të njohur të kohës por që me kalimin e kohës ndryshoi në dëm të popullsisë arvanite. Popullsia arvanite, e pranishme që prej shekullit të XIII në Greqi kaloi përmes proceseve të ndryshme të asimilimit në kohën e formimit të shtetit kombëtar grek. Këto procese asimiluese ishin bazuar në ato karakteristika që kishin ndihmuar për të themeluar kombin grek si identiteti fetar, urbanizimi i menjëhershëm që hyri mbretëria e re greke dhe sidomos rajoni i Atikës ku kjo popullsi ishte më tepër e përqendruar.
Si të krishterë ortodoksë që ishin,dhe duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej tyre kishin marrë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe mos kompaktësia e disa popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po zhvillohej ishte, së bashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit, veçanërisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose marinar, kuse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i vërtetë”[5].
Vepra e J.F. Fallmerayer nuk ishte e panjohur për mendimin rilindas shqiptar. Duke qenë se ajo ishte konsideruar si e para histori pak a shumë e gjerë e shtjelluar e shqiptarëve, ajo bënte pjesë në korpusin e veprave të studimeve albanologjike, të cilat ishin rezultat i kozmopolitizmit intelektual evropian të mesit të shekullit të XIX. Si nënvizon me të drejtë Anne-Maria Therese në veprën e vet “Krijimi i identiteve kombëtarë.
Evropa e shekujve XVIII-XIX”, një nga pasojat e kozmopolitizmit intelektual është ndihma ndaj kombeve në lindje, mjediset intelektuale të të cilëve nuk janë ende aq të pajisura për të ndërmarrë, pa mbështetje , ndërtimin e lashtësisë së tyre dhe gjuhës së tyre.[6]Në realitetin shqiptar të zgjimit kombëtar vepra e tij u klasifikua në mbështetje të tezës pellazgjike, nëpërmjet revokimit të së kaluarës së lashtë, të barasvlefshme me atë të grekëve dhe latinëve.
Poeti kombëtar Naim Frashëri në parathënien e përkthimit të këngës së Parë të ‘Iliadës” së Homerit në 1896, shkruan se përmend Fallmerayer-in, dhe dijetarë të tjerë të huaj që kanë kontribuar në studimin e kulturës dhe gjuhës shqipe. Teza pellazgjike në mesin e shekullit të XIX përfaqësonte në fakt një shqetësim të dyfishtë.
Së pari, ajo reflektonte një shqetësim gjeostrategjik ndaj Pansllavizmit dhe Pangjermanizmit që luftonin për territore në Ballkan. Mesi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX janë vitet e nacionalizmit në Ballkan por edhe të interesave gjeostrategjike dhe politike të Fuqive të Mëdha, që mundohen të krijojnë shtete klientë në territoret e Perandorisë Osmane që çlirohen një nga një nën zjarrin e kryengritjeve të njëpasnjëshme.
Së pari Greqia, që fiton pavarësinë por rreshtohet nën tutelën kulturore bavareze dhe më vonë interesat gjeostrategjike të Perandorisë Austro-Hungareze, perandoria e bashkëjetesës të shumë popujve që gjendet shumë shpejt nën flakën e nacionalizmave, që lindin mes popullsive të saj të shumta por edhe nën dëshirën imperialiste për t’u zgjeruar akoma drejt jugut, formojnë atë që quhet fronti gjermanik kulturor në Evopën Lindore. Në kontaktet e saj me popullsitë e Ballkanit, fill pas Paqes së Karlovacit në 26 janar 1699, Perandoria e Shenjtë Austriake do të shikonte me shumë interes zhvillimin e tyre kulturor.
Përkundrejt Pangjermanizmit në Ballkan rreshtohej Pansllavizmi me ideologjinë e tij përbashkuese të popujve sllavë. Së dyti ajo ishte një shqetësim shkencor pasi si vërente më të drejtë Dora D’Istria, ajo konsiderohej si një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e tjera, ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e krahasuar, në shqyrtimin e karaktereve morale dhe fizike, në arkeologjinë primitive, në traditat kombëtare etj.
Pra si shikohet në mesin e shekullit XIX, origjina pellazgjike ishte një realitet pothuajse i prekshëm shkencor ndaj të cilit nuk mund të ishin indiferentë përfaqësues të rëndësishëm të elitës shqiptare, por përzierja me të edhe emrit të Falmejaher ishte e ekzagjeruar. Vepra e tij ishte e admirueshme dhe mbetet dhe e admirueshme edhe sot dhe sipas Franc Babinger, albanologut të njohur ai e quan atë forca e intepretimit dhe shprehet për gjuhën e përdorur se bukuria e gjuhës së tij të lë pa mend.
Mirëpo pavarësisht përmendjeve apo dhe citimeve të ndryshme të veprës së Fallmerayer -it nga ana e eksponentëve të ndryshëm të kulturës shqiptare ,një portret të plotë akademik të Fallmerayer-it në botën shqiptare e gjejmë në vitet 80’ të shekullit të kaluar. Për herë të parë një portret të plotë akademik të akademikut dhe historianit Fallmerayer, e gjejmë në ligjëratën e profesor Aleks Budës, “J.F. Fallmerayer dhe historia mesjetarëve e shqiptarëve” e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Bavarisë në 1981dhe të botuar në Shkrime Historike 3, fq 164-184.
Sipas Profesor Budës, pavarësisht kundërshtimeve dhe akuzave që iu adresuan nga opinioni publik grek, në thelb Fallmerayer dhe teza e tij nuk kishte kurrsesi synimin e një zhvletësimi moral dhe të një një përmbysje të elementit autokton nacional.[9] Profesor Buda pasi vë në dukje formimin iluministe e republikan të Fallmerayer si pjesëmarrës edhe në revolucionin 1848-1849, e rrjedhimisht edhe mbështëtës të lirisë së kombeve të reja që po lindnin, nënvizion faktin se qendrimet e tij akademike duhet ti kërkojmë pikë së pari në plan gnoseologjik. Pikërisht në këtë plan Prof Buda mirëkupton dhe mbështet me të drejtë pyetjet metodike që shtronte Fallmerayer sesi historiografia mund të pretendonte, mbas gjithë këtyre përmbysjeve që, midis një Perikliu e një Kolokotroni në Greqi, midis Gentit e Teutës dhe Skënderbeut në Shqipëri të mund të kishte një kontinuitet etnik të drejtpërdrejtë , të pandërprerë?
Mirëpo pavarësisht faktit të shtruarjes drejt të këtyre pyetjeve nga ana metodike, Prof Buda nënvizon faktin tjetër autoritar të bazuar në gjetjet e kërkimet e reja historike se teza e mungesës absolute të kontinuitetit etno-kulturor që vlente për Greqinë, ashtu dhe për popullsitë e tjera autoktone të dakorumunëve, të shqiptarëve nuk mund të mbahet. Kur vjen fjala te shqiptarët Prof Aleks Buda e bazon argumentin e vet të kontinuitetit iliro-arbëror në zbulimin e kulturës së Komanit, të cilën ai e konsideron si një hallkë elokuente e kontinuitetit midis banorëve të lashtë dhe vazhduesve arbër; një kulturë meshtrirje kohore që nga shekulli i VII deri në shekullin e IX dhe me një shtrirje territoriale mjaft të gjerë nga alpet shqiptare deri në brigjet jugore të detit Adriatik e në luginën e Vjosës.
Sipas Budës, Kultura e Komanit ishte kjo një kulturë e një popullsie qytetare e fshatare, bregdetare e malore, më rrënjë në traditën antike dhe me novacione, me elementë të trashëguara nga kultura ilire halshatiane e hekurit dhe nga kultura provinciale romake e paleobizantine, ku elementët sllave nuk figurojnë veçse si elementë të izoluara dhe jo si një kulturë kompakte. Ky përfundim shumë i rëndësishëm i shkencës historike e arkeologjike shqiptare është i ilustruar edhe me studime gjuhësore të toponimisë , ku Profesor Buda jep shembullin e qyteteve të përfshira në Kulturën e Komanit, të cilat si apelative shqip dëshmojnë karakterin etnik të banorëve të tyre. Ai sjell shembullin e emrit të qytetit të Krujës, metastazë e Albanopolit antik, një nga qendrat e kulturës arbërore e dokumentuar qysh nga shekulli i IX.
Merita e Prof. Budës është se nëpërmjet seriozitetit shkencor dhe studimit multidisiplinar na jep një portret të plotë të akademikut bavarez dhe veprës së tij në albanologji. Në këtë prizëm është parë dhe toponima etnike e emrit arbër , përmendje për herë të parë të tyre dhe shpërndarjes së tyre gjeografike. Prof Buda e kundërshton mendimin e Fallmerayer-it të bazuar në teorinë e baticës dhe zbaticës së vërshimeve sllave dhe përqendrimit të pushteteve politike të tyre dhe që nënkupton se në momentet e dobësimit të këtij pushteti, fillonte fuqizimi i pandalueshëm i shqiptarëve duke qëmtuar me skrupolozitet akademik në analet historike faktet dhe dokumentat historike si dhe duke analizuar strukturën urbane të shoqërisë arbëre.
Pikërisht, në këtë analizë të kësaj strukture urbane, çka nuk e gjemë në veprën e Fallmerayer -it, qendron merita e mendimit historik të Profesor Budës, kur ai nënvizon faktin se është pa bazë të mjaftueshme mendimi i Fallmeraherit i cili bie rob i një mënyre shabllone të mendimit që i karakterizon shqiptarët si një popull barinjsh, ndërsa dokumentet flasin për një shoqëri të diferencuar feudale me origjinë shqiptare, siç janë arhondët e Arbërit që mbajnë titujt e lartë të hierarkisë feudale bizantine si panhypersevastë, ata “nobli viri”, kontë, baronë, prelatë, burgencë, ato bashkësi fshatare të cilat sundimtarët bizantinë, anzhuinë etj, i cilësojnë si “burra fisnikë shqiptarë” me emrat e tyre etnikë karakteristikë.
]Në të njëjtën kohë Profesor Buda njeh meritat e Akademikut Bavarez përsa i përket zgjerimit të emrit Arbër dhe Arbëri, mendim të cilin ai e perifrazon duke përjashtuar ligjet e një dhune demografike dhe shtrirje të dhunshme porse si një shtrirje marrëdhëniesh, formash të ndryshme në një territor me një popullsi unitare që fliste të njëjtën gjuhë, kishte të njëjtën prejardhje, zakone dhe si një komunitet historikisht i formuar dhe i konsoliduar që gjeti shprehje me emrin e përbashkët.
Fallmerayer hasi shqiptarët me emërtimin arvanit në gadishullin e Moresë, për të cilin ai shkruajti një vepër të me titull “Histori e gadishullit të Moresë”. Fenomenin e shpërnguljes së tyre nga Shqipëria drejt Moresë, nën dritën e konkluzioneve të arritura nga akademiku bavarez, profesor Buda e analizon në një rrafsh krahasues midis zhvillimit të feudalizmit në Arbëri e Greqi dhe Gjermani. Ai analizon shkaqet dhe arsyet se përse ky ekspansion demografik shqiptar nuk mundi të kanalizohej në shërbim të klasës feudale arbëre të vendosura në tokat e reja dhe shfrytëzimin e kësaj situate nga klasa feudale greke për ta kanalizuar në popullimin e tokave djerrë dhe të braktisura. Profesor Buda, lëvizjen migratore të shqiptarëve drejt Greqisë, e shtrin në një rrafsh krahasues kur merr shembullin e popullsisë gjermane të masave fshatare që nën këtë presion të rritjes së shrytëzimit feudal shtegtuan në mënyrë masive drejt lindjes në vende ku mundën të gjejnë toka të lira dhe kushte më lehta shoqërore.
Mendimi historik i Profesor Aleks Budës për historianin gjerman Fallmerayer është i një vale me mendimin evropian të mëvonshëm historik përsa i përket teorisë së tij të kontinuitetit historik pasi edhe dy nga biografët e tij dashamirë, historiani Ernst Molden shkruan se më në fund, si rezultat i të gjitha hulumtimeve të reja për tërë kompleksitetin e kësaj çështjeje deri në një shkallë të lartë sigurie mund të shprehet ideja se teoria e Fallmerayer mund të pretendojë për saktësi vetëm në një masë shumë të kufizuar.
Analiza e detajuar e mendimit historik të Fallmerayer-it e krahasuar me burimet më të fundit në albanologji, bën të mundur protretizimin dhe nxjerrjen në pah të kontributit të tij në albanologji. “Habent sua fata libelli”*, shkruan profesor Buda në ligjëratën e tij, çka në të vërtetë nuk është funksionale vetëm për veprën e Fallmerayer-it por edhe për vet veprat e profesorit në albanologji. Sfida më e madhe e mendimit historik shqiptar është pikërisht leximi dhe analizmi i strukturës së mendimit historik të korifejve të shkrimit të historisë kombëtare përmes përmirësimit të shkrimit të kësaj historie sipas dokumentacioneve më të fundit. Ligjërata e Profesor e Aleks Budës për kontributin e akademikut bavarez Fallmerayer dhe çështjet e mesjetës shqiptare është një model i mirë që ka se çfarë ofrojë në këtë drejtim.
*”Sipas kapaciteteve të lexuesit përcaktohet dhe fati i librit”. Ky është vargu 1286 i De litteris, De syllabis, De Metris nga gjuhëhari dhe shkrimtari latin i shekullit të III të e.s Terentianus Maurus.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com