Vepra e Mitkos “...nën shenjën e
iluminizmit...”, si e zbuluam

Vepra e Mitkos “...nën shenjën e<br />iluminizmit...”, si e zbuluam
Të dashur motra e vëllezër mbë Mitkon, Përunjësia ime, Todhëri i Qirjazëve, lindur në Delvinën e Haxhi Shehretit dhe kaluar djalërinë në Sarandën e 40 shenjtorëve, rritur mes greqishtes e shqipes, mote më parë u nisa për haxhillëk nëpër viset e shqipes, dhe pata fatin të takoja rrugës njërin prej shenjtëve të saj, Efthimin e Mitkove.

Ju falënderoj juve të gjithëve, falënderoj zonjën e jetës sime, falënderoj mbi të gjitha zotin e jetës, që aq bujarisht më shpërbleu për atë gurth, që, siç u dëgjua këtu, paskam vënë edhe unë në ndërtesën e dijes albanologjike e në përpjekjen për afrimin e shqiptarëve e të gërqishtarëve.

Sepse Shënd Efthimi, mësuesi ynë, e pati thënë: “Të mirën që bëjmë sot, zot’ i jetës do na e shpërblejë”.
Falënderoj dy mentorët e  mi, prof. Bulon e prof.

Lafen, të parin ngaqë më tregoi udhët e Mitkos –e kush tjetër mund t’i dinte më mirë se ai-, të dytin, sepse e ndoqi nga afër, me ndihmë dhe këshilla konkrete, punën për përgatitjen e veprës. Kam këtu në krah edhe dy miq të dashur, vëllaun a vγaun kalabrez Franko Aq-të-mirin, si dhe vëllain siamez Aristotelin, të cilët po ashtu i falënderoj nga zemra.

Sot mund t’ju shoh në sy të gjithëve, sepse kam kryer atë që ju premtoja vite më parë, në tetor 2008, kur përkujtonim me një Konferencë shkencore 100-vjetorin e të paharruarit Çabej.
Sot mund t’i shoh në sy ish-kolegët e mi të Institutit të Gjuhësisë e të sektorit të Leksikologji-Leksikografisë, kudo që janë, këtu a në qiell. Më lejoni të kujtoj me nderim prof. Kostallarin, pranë të cilit hodha hapat e para si leksikograf; të kujtoj me respekt të thellë gjithashtu edhe prof. Emanuíl Kriarás, hartuesin e Fjalorit shumëvëllimësh të greqishtes popullore mesjetare, pranë të cilit zgjerova dhe thellova njohuritë për leksikografinë greke.

Në tetor 2008, kur falë ndihmës dashamirëse të ish-drejtores së AQSh, prof. Nevila Nika, sapo kisha fotografuar arkivin e Mikos, ju pata thënë se pritej të dilte së shpejti edhe vepra disavëllimëshe me dokumente të Arkivave të Ali Pashë Tepelenës, e cila ka qarkulluar tashmëi. Tani ka dalë edhe Mitkoja dhe –surprizat s’kanë të mbaruar- në muajt e ardhshëm pritet të jetë e disponueshme  në internet lënda e digjitalizuar e Arkivit të MPJ greke për shekullin XIX dhe fillimet e shek. XX!!!

Mendoni, të dashur kolegë, sa punë të mëdha kemi përpara, dhe mendoni gjithashtu sa të papërgatitur jemi për t’i përballuar ato. Në bisedat që kam pasur me ju është evident shqetësimi i një vakuumi të krijuar për sa i përket vazhdimit dhe thellimit të studimeve nga specialistë të rinj, të cilët sot numërohen me gishtat e dorës.

Po e cek si një problem, i cili lidhet edhe me Mitkon, Fondi Arkivor i të cilit është një kuti surprizash të këndshme, të cilat i duhen dhënë sa më shpejt lexuesit. Tani, p.sh., dimë që “Bleta” filloi të botohej në Athinë më 1875, por Mitkoja ‘e lëreu’ për shkak të lajthitjeve të panumërta të shkronjashtypësit, etj., apo se “Plakustathi”, një novelë etologjike e konsideruar si krijim i Mitkos, është përshtatje në shqip e një vepre që qarkullon në Greqi më 1858, e që shkruhet edhe ajo mbi bazën e një libri francez, të shtypur më 1818! Me “Plakustathin” sapo kemi përshkruar rrugën dhe zig-zaget e mbërritjes së ideve të iluminizmit francez në Ballkan.

Është hedhur prej kohësh ideja se 200-vjetori i lindjes së Mitkos duhet pritur me botimin mbase tërësor të veprës së tij, por kjo s’ka për t’u bërë pa e vënë qysh tani ujët në zjarr.
Të nderuar kolegë, Vepra e Mitkos, edhe aq sa e njohim sot, e sidomos kur të botohet e plotë, shtoji kësaj edhe botimin e dokumenteve nga arkivat e Ali Pashës, na japin mundësinë e një qasjeje më objektive të një çështjeje të rëndësishme të historisë shqiptare të shekullit të 19-të, sikurse është ajo e raporteve mes shqipes e greqishtes, mes kulturave që u krijuan në këto dy gjuhë.

Nuk mund të mohohet fakti se gjatë kohëve janë shprehur nga të dy palët qëndrime që ose i mbivlerësojnë ose i nënvlerësojnë, apo -më keq akoma- i demonizojnë ndikimet e greqishtes në proceset e formimit të shqipes si gjuhë shkrimi dhe si shenjë identitare e shqiptarëve. Sot, me mendje të kthjellët, mund të themi se është gabim metodologjik dhe historik të vendosësh shenjën e barazimit mes hapësirës kulturore të greqishtes dhe hapësirës etnologjike të grekëve.

Greqishtja, le ta themi fort, ka qenë gjuhë kulture, një lingua franca e Ballkanit të shek. XIX e më herët, dhe nuk është e thënë që kudo ku flitej greqisht kishte medoemos edhe grekë. Por edhe të thuash se këto gjuhë e kultura janë ndodhur vazhdimisht përballë njëra-tjetrës, do të thotë të mos mbash parasysh specifikat e asaj periudhe e të mos marrësh në konsideratë atë që vetë figura dhe vepra emblematike e Mitkos, apo edhe paradigma e gjimnazit Zosimea e dëshmojnë më së miri: pati përplasje, por pati edhe sinergjí.

Një burrë i mençur, emrin e të cilit mban salla ku jemi mbledhur sot [prof. Aleks Buda], na ka mësuar me shkrimet e tij t’i shohim e t’i trajtojmë takimet greko-shqiptare e shqiptaro-greke nën shenjën e iluminizmit. Të iluminizmit e jo të diletantizmit shkencor e patriotik dhe, aq më keq, të populizmit.

Të më lejohet të them se nga moria e librave që botohen këtu në Shqipëri dhe aty në Greqi e që rrahin këtë problematikë, gjen shpesh më shumë byk sesa bukë, e se shpesh riciklohen tema për të bërë njëçikëz gurgulé e për të tërhequr vëmendjen e publikut.

Rasti mbase më domethënës është ai i para ca kohëve, kur në Shqipëri iu dha hapësirë publike –nga një kanal televiziv privat- një mëzhdagre të jetës politike greke, i cili mori përsipër t’iu shpjegojë shqiptarëve kush qe Skënderbeu, thua se këta nuk e dinin e se duhet të vinte t’ua sqaronte zoti Papas!!!

Ironia është se këtë punë e patën zgjidhur qysh më 1814-ën iluministët grekë, ithtarë dhe pasues të Adhamantios Koraisit, prej të cilit Mitkoja mbante shënime qysh në moshë 24 vjeç.
Ndriçimtarët grekë, pra, shkruanin në organin e vet, që e shtyposnin asokohe në Vjenë, për botimin në Moskë, në gjuhën greke, të “Historisë së Skënderbeut”, mbretit të shqiptarëve.
Këtu më duhet të ndalem. Të më falni se u zgjata pak.

Ju falemnderit!*
*Dh. Q. Qirjazi, fjala në përurimin e vëllimit me veprën leksikografike të Th. Mitkos, Tiranë, 28 mars 2015.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar