TIRANË -  Teksa raportoi në mbledhjen e përbashkët të dy komisioneve parlamentare për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2024, Olsian Çela kritikoi qasjen dhe metodologjinë e ndjekur për draftin e Kodit të ri Penal, duke e cilësuar si represiv dhe jo urgjent. Ai tha se mungon kritika serioze mbi këtë draft pavarësisht diskutimeve publike, ndërsa shtoi se argumentimi i përdorur se do t’i përshtatet nevojave të integrimit në BE nuk qëndron për shkak se deri më tani kanë bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë edhe me Kodin Aktual dhe se nuk kanë pasur asnjë problematikë.

Sipas tij, Kodi aktual ka pasur nevojë për rishqyrtim dhe përmirësim të disa dispozitave, por jo ndryshim të bazave të aplikimit të tij. Çela deklaroi gjithashtu se edhe argumenti se Kodi aktual funksionon prej vitit 1995 dhe është i vjetër nuk qëndron sepse ka Kode të vjetra që funksionojnë më së miri.

“Kalojmë nga një Kod që ka diku rreth 400 nene, kemi kaluar në një draft me rreth 900 e ca nene. Po mirë ne me këto nene që kemi paskemi kaluar në një paligjshmëri të madhe në shoqërinë shqiptare kur shumë veprime që kanë qenë të padënuara, do t’i dënojmë këtej e tutje. Ka një problem në konceptimin e draftti. Edhe teknika e përdorur për dispozitat nuk është në lartësinë e duhur. Ka munguar përcaktimi i drejtë i metodologjisë se si do të ishte puna në përgatitjen e draftit. Pse duhet të nisnim punën për një draft për përcaktuar se cilat ishin nevojat”, tha Çela.

Duke u ndalur te masat e sigurisë, ai tha se të dhënat tregojnë se kërkesat e prokurorëve për masa shtrënguese për vitin 2024 ka qenë rreth 60% të të pandehurve të regjistruar, ose rreth 34% të personave në hetim.

“Janë paraqitur në gjykatë 13062 kërkesa lidhur me masat e sigurimit personal. Nga ana tjetër, të dhënat statistikore mbi kërkesat e prokurorëve për caktimin e masave të sigurimit tregojnë se për vitin 2024, për rreth 60 % të të pandehurve të regjistruar (ose për rreth 34 % të personave në hetim) është kërkuar caktimi i një mase sigurimi shtrënguese. Ndërkohë, rezulton se afërsisht 59.5% e kërkesave lidhet me caktimin e një mase sigurimi me arrest, masa këto të kërkuara për pothuaj 36% të të pandehurve regjistruar (ose rreth 20% të personave në hetim).", theksoi Çela. 

Sipas Çelës, problematikë mbetet edhe kërkesa e lartë për masat e arrestit në burg, që sipas tij nuk ka ende reflektim nga ana e prokurorëve.

"U miratua në muajin korrik 2024 një udhëzim i përgjithshëm në lidhje me masat e sigurimit, nisur nga nevoja për një përdorim më të kujdesshëm dhe proporcional të tyre, sidomos në lidhje me “arrestin në burg”, dhe një aplikim më të gjerë të masave të tjera. Megjithë këtë udhëzim, nuk konstatohet ende një reflektim nga ana e prokurorëve, edhe pse çështja është trajtuar gjerësisht edhe në të gjitha analizat vjetore", tha ai. 

Çela shprehu kritika edhe për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sepse sipas tij ka krijuar probleme me funksioninim e institucionit të Prokurorisë. Më tej, ai tha se së bashku me KLGJ-në i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve të drejtësisë. Ai përmendi rikonstruksionet të disa prokurorive në rrethe, por shtoi se duhet ndërhyrje edhe në atë të Durrësit e Sarandës, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësohen organikat.

“Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit.”, tha Çela.

U ndal edhe te krimet zgjedhore, teksa tha se referimet kanë qenë të dobëta në përgjithësi. Çela u shpreh se nëpërmjet bërjes publike të rasteve të goditura, janë përpjekur që të luajnë edhe një rol parandalues në opinionin publik. Çela pranoi mes të tjerash se në hetimet dhe vendimmarrjet e mëparshme lidhur me krimet zgjedhore, ka pasur raste ku mund të ishte punuar më mirë. 

"Nga analizave që i kemi bërë hetimeve dhe vendimmarrjeve të mëparshme, ka vend për përmirësim në drejtim të cilësisë së hetimit të organit të Prokurorisë. Përveç faktit se ka pasur referime jo substanciale. Por ka pasur raste ku mund të ishte punuar edhe më mirë. Ajo që jemi përpjekur të adresojmë ka qenë presion pozitiv ndaj prokurorëve për ta pasur prioritet krimin zgjedhor dhe jo më kot këtë vit u ngritën edhe seksione të posaçme për hetimin e krimit zgjedhor", tha ai. 

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjykatës së Apelit, siguria në institucionet e drejtësisë ka qenë temë debati në çdo tryezë shtetërore. Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela u shpreh se mbrojtja e perimetrit të jashtëm të gjykatave dhe prokurorive nga kompania e sigurisë ‘Ilirjan Guard’, nuk rezultoi funksionale. Sakaq, Çela tha se është e domosdoshme prezenca e Policisë së Shtetit  për sigurimin e këtyre institucioneve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:08
Kryeprokuori Çela: Mbrojtja e institucioneve nga Ilirjan Guard nuk rezultoi funksionale! Duhet prezenca e Policisë së Shtetit

 

Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela trajtoji në komision dhe çështjen e sigurisë nëpër gjykata dhe prokuroritë e vendit, pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Apelit.

Çela tha se kushtet nuk janë optimale dhe se tashmë është marrë nisma nga të gjitha institucionet për riorganizimin e kushteve të sigurisë. Ndër të tjera, Çela tha se pajtimi i kompanisë private Ilirjan Guard për të siguruar perimetrin e jashtëm të prokurorive apo gjykatave nuk rezultoi funksional.

“Patjetër në gjykata kushtet nuk janë optimale. Në një mbledhje qe patëm kemi nisur një proces konsultimi. Ka nevojë për të rivlerësuar sesi ne mbrojmë këto institucione.

Ky sistemi që kemi zgjedhur për të siguruar perimetrin jashtë institucioni me kompaninë Ilirjan Guard nuk ka funksionuar. Duhet riparë. Do të zhvillojmë disa mbledhje me te gjitha prokuroritë për te mbledhur shqetësimet dhe propozimet për sigurinë dhe nevoja për prezencën e policisë së shtetit në gjykata e prokurori është e domosdoshme”, tha Çela.

Ora 14:08
Vakancat në institucionet e drejtësisë/ Kryeprokurori Çela: Prej vitesh punojmë për të shmangur kolapsin! Prurjet e reja nuk kanë përvojën e duhur hetimore

 

Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela ka treguar se prokuroritë prej vitesh po përballen me mungesë të theksuar të stafit. Çela tha se që prej vitit 2015, por akoma më shumë gjatë procesit të vetingut, prokuroritë e shkallëve të para u përballën me një numër në rritje të çështjeve të mbartua për shkak të stafit në mungesë, por sot është frenuar agravimi pasi numri i çështjeve të zgjidhura është më i lartë. Ndër të tjera, prokurori tha se nga i gjithë stafi është punuar për të shmangur kolapsin.

Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se problemi i vakancave pritet të marrë zgjidhjet në vitin 2028 me prurjet e reja, por përsëri kjo mbart problematikë, pasi prokurorët e rinj nuk kanë përvojën e duhur hetimore.

“U bë disa vite qe prokuroritë e shkallës 1 funksionojmë me mungesa deri ne 40%. Aktualisht jemi në 30% të mungesave,. Kemi edhe lëvizje e prokurorëve për shkak të karrierës ku bëhet fjalë për 100 dosje që ndërrojnë prokuror.

Na 2015 deri në 2024 kemi dyfishim të çështjeve të mbartura, sidomos kur vetingu preku shkallët e para. Është frenuar agravimi. Çështjet e zhvilluara kanë numër më të lartë se të mbarturat. Kjo është bërë falë disa faktorëve që kanë kontribuar. Fillimisht është punuar me prioritete, falë dhe mbështetjes së Kuvendit plotësuam organikat me oficerët gjyqësor.

U morën masa administrative në marrëveshje me institucionet e tjera. Vërtet ka pasur një vullnet dhe angazhim nga prokurorët e përgjithshëm për përballimin e kësaj situate. Kanë sakrifikuar shumë në kushte aspak normale për punën. Nuk jemi në situatë normale, por jemi në një situatë ku jemi përpjekur për të shmangur kolapsin.

Ndoshta viti 2028 do të jetë zgjidhje përfundimtare me futjen e prokurorëve të rinj në sistem. Por kjo ka problem se të rinjtë nuk kanë përvojën e duhur. Mungesën e kulturës të organizatës që i bën efikastë integrimin e prurjeve të reja në sistem. Ajo që do të vijë me plotësimi ne vakancave, shumë shpejt do të kemi pamundësinë vendosjen e tyre në ambiente pune të përshtatshme”, tha Çela.

Ora 13:41
Krimet zgjedhore/ Çela: Referimet s’kanë qenë të një cilësie të mirë, ka pasur hetime ku mund të ishte punuar më mirë

 

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u ndal edhe te krimet zgjedhore. Ai theksoi se në përgjithësi referimet kanë qenë të dobëta dhe se i inkurajojnë prokurorët që të kenë një rol proaktiv që lidhet me nisjen e hetimeve të çdo informacioni që qarkullon në media apo burime të tjera për krimet zgjedhore. Ai tha se janë përpjekur që nëpërmjet bërjes publike të rasteve, janë përpjekur të luajnë edhe një rol parandalues në opinionin publik. Sipas Çelës, ka pasur raste në hetimet e mëparshme në të cilat mund të kishin punuar më mirë.

“Çështja lidhet me cilësinë e referimeve dhe e kam ngritur edhe në takime. Referimet nuk kanë qenë të një cilësi, niveli të kënaqshëm për të sjellë produkt në pikëpamje të rezultateve të hetimit. Po kjo nuk do të thotë se këtu përfundoi detyra e Prokurorit. Ne kemi inkurajuar prokurorët që të kenë rol proaktiv që të lidhet me nisjen e hetimeve kryesisht për çdo informacion në media apo burime të tjera sa i përket krimeve zgjedhore.  Ajo që unë jam munduar të realizoj ka qenë mekanizmi dhe infrastrukturës së akteve nënligjore të bashkëpunimit institucional që prokurorët të operojnë lirshëm dhe pa pengesa në këtë aspekt. Në fakt statistikat është e vështirë t’i shohësh në pikëpamje cilësore. Nga analizave që i kemi bërë hetimeve dhe vendimmarrjeve të mëparshme, ka vend për përmirësim në drejtim të cilësisë së hetimit të organit të Prokurorisë. Përveç faktit se ka pasur referime jo substanciale. Por ka pasur raste ku mund të ishte punuar edhe më mirë. Ajo që jemi përpjekur të adresojmë ka qenë presion pozitiv ndaj prokurorëve për ta pasur prioritet krimin zgjedhor dhe jo më kot këtë vit u ngritën edhe seksione të posaçme për hetimin e krimit zgjedhor. Task Forca ishte një hap i parë drejt rritjes së ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të infrastrukturës institucionale për t'iu përgjigjur sfidave të krimit zgjedhor por ka komponentë për përmirësim. Mund të ketë nevojë për rritje  të forcës goditëse të institucioneve ligjzbatuese, është sfidë në vazhdim dhe përmirësim të përgjigjes tonë në aspektin e performancës. Nuk kanë munguar përpjekjet. Në të gjithë problemet që ka sot sistemi i drejtësisë. Kemi prokurori rrethesh me një nga 1-3 vite eksperiencë dhe nuk është e lehtë të perceptojnë rëndësinë e angazhimit për shkak të mbingarkesës që kanë në drejtim të çështjeve kaq sensitive. Ka pasur një rivlerësim tjetër sa i përket krimit zgjedhor edhe në qasjen mediatike. Ne jemi përpjekur që nëpërmjet bërjes publike të masave institucionale, të luajmë edhe rol parandalues në opinionin publik.”, u shpreh ai.

Ora 13:27
Drafti i Kodit Penal/ Çela: Po e patët me urgjencë, përktheni atë gjerman meqë na duhet në BE! Teknika e hartimit është e gabuar, nuk bëhet për 2 muaj kjo

 

Prokurori Olsjan Çela ka shprehur në komision opinionin e tij lidhur me Kodin Penal. Çela tha se është e pamundur që të japë një përgjigje profesionale e analitike për draftin e Kodit Penal, duke theksuar se teknika e përdorur për hartimin e Kodit nuk është në lartësinë e duhur.

Çela tha se për të përmirësuar apo rregulluar draftin duhet kohë dhe bashkëpunim ndërinstitucional, përfshirë këtu dhe grupe ekspertësh.

Pjesë nga diskutimi në komision:

Olsjan Çela: Refuzoj sot të flas për çështje që lidhen me elementë të Kodit Penal se është e vështirë që në konsultim publik e institucional të kryesh një punë cilësore mbi dhënien e opinioneve. Teknika e përdorur për të shkruar kodin nuk është në lartësinë e duhur.

Ne nuk jemi në gjendje të rishkruajmë normat. Është e pamundur. Shumë gjëra lidhen me politikën penale. Nuk jemi askush të vlerësojmë se një sjellje ë caktuar në shoqëri është apo jo e dënueshme. Këtë duhet ta bëni ju. Nuk është detyra ime. Mbajta qëndrimin që fryma e kodit është represive.

Kjo është ideja e hartuesit apo është një politikë që iu ngarkua na ekzekutimi? Si erdhëm ne në këtë pikë. Ne mund të japim opinione.

Damian Gjiknuri: Je në pozicionin më të mirë të mundshëm që të bëni një analizë të detajuar për të ndihmuar ne. Mos e prit vetëm nga politikanë. Askush nuk është në gjendje këtu të vendosë kush shkon dhe kush jo.

Olsjan Çela: Kjo do kohë dhe nuk e kemi. Në 9 shtator ka ardhur drafti për diskutim. Janë kryer disa tryeza konsultuese në disa rrethe. Më 10 tetor na ka ardhur një ftesë për të pasur dhe një fjalë përshëndetëse në një tryezë me drejtues institucionesh. Ju vërtet mendoni që për 1 muaj u nis e bitis kjo punë? Duhet të ndërtohet një grup ndërinstitucional për t’i bërë një vlerësim atij drafti. Pa qenë ata që e kanë bërë atë draft. Kjo nuk bëhet me punë vullnetare. Kjo është përgjegjësi institucionale shumë e madhe për të thënë po ose jo. ka nevojë për metodologji.

O do të bëjmë një proces serioz që unë e mendoj të pamundur, ky është vullneti i qeverisë dhe ky është opinioni im deri në këtë pikë.

Nëse e kemi me urgjencë për ta bërë është histori tjetër. Cili është kodi më i mirë që ka Europa? E marrim e përkthejmë, pse do lodhemi ne. Përkthejmë Kodin Gjerman, meqë na duhet në kod si i BE-së këta e kanë gati.

Ora 13:18
‘Ka prokurorë që vënë në diskutim atë që thotë Apeli', Çela: E papranueshme, ankohen nëpër Ambasada! Gjykata e Lartë i 'hedh benzinë zjarrit' (VIDEO)

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela shprehu kritika edhe për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, sepse sipas tij, ka krijuar probleme me funksioninim e institucionit të Prokurorisë. Ai shprehu kritika edhe për prokurorët që sipas tij vendosin në diskutim atë që vendos Gjykata e Apelit. Kjo është e papranueshme, tha ai, duke shtuar se kjo vjen për faktin se është ndërtuar një sistem ku prokurorët nuk e kuptojnë vendin dhe pozicionin e prokurorit.

Çela tha në Komisionin e Ligjeve se prokurorët i drejtohen me letra institucioneve dhe ambasadave ku ngrenë çështje që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e Gjykatës së Apelit.

“Kemi disa raste ku Prokurorët e Shkallës së Parë ankohen për vendime të Gjykatës së Apelit. Tajni kemi arritur në një ditë ku prokurorët vënë në diskutim atë cfarë vendos Gjykata e Apelit. Bëjnë letër, i drejtohen institucioneve dhe ambasadave ku ngrenë çështje që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e Gjykatës së Apelit. Kjo është e papranueshme dhe e pakonceptueshme. Kjo vjen se kemi ndërtuar një sistem në të cilin ende prokurorët, sidomos të rinjtë, nuk kuptojnë vendin dhe pozicionin e prokurorit", tha Çela.

Më tej, Çela tha se për t'i hedhur benzinë zjarrit kemi praktikën gjyqësore, duke kritikuar këtu Gjykatën e Lartë. Sipas tij, gjykata “hyn” në organizimin kushtetues  duke “asgjesuar” rolin e Prokurorisë dhe duke bërë që “hierarkia të kthehet me kokë poshtë”.

"Dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit, kemi praktikën gjyqësore por ka të bëjë me funksionalitetin e Prokurorisë. Ndërkohë Gjykata e Lartë thotë se Prokurori i Shkallës së Parë mund të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë në kohën kur Prokurori i Apelit ka hequr dorë nga Apeli se në emër të pavarësisë së prokurorëve cenohet pavarësia e Prokurorit të Shkallës së Parë nëse prokurori i Apelit dhe i Prokurorisë së Përgjithshme ushtron detyrën. Kam përfaqësuar 38 çështje në Gjykatën e Lartë. Ky është vendim i një trupe, jo i kolegjeve apo unifikues, por kemi dy probleme. E para, kemi një gjykatë që i hyn funksionalitetit dhe organizimit kushtetues të institucionit. Kjo asgjeson rolin që ka prokuroria e Apelit dhe së Përgjithshme dhe sot e kemi kthyer hierarkinë me kokë poshtë. Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të mbajë qëndrim mbi atë që ka vendosur Prokurori i Shkallës së Parë. Të tjerë duhet të venë atje të lexojnë atë cfarë ka thënë prokurori i shkallës së parë. Kur e kemi për të lëxuar pse duhet të shkojë? Pra, këto janë probleme të keqkuptimit dhe organizimit. Ndaj kam ngritur cështjen që kemi me Kodin e Procedurës Penale. Sot ne kemi problem Kodin e Procedurës Penale. Ndryshimet në këtë Kod kanë krijuar probleme me funksioninim e institucionit të prokurorisë, janë edhe deri diku pjesë e problemit sa i përket ngarkesës dhe zvarritjeve në proceset hetimore dhe gjyqësore. Këto janë urgjente. Nuk ka qenë Kodi Penal urgjencë asnjëherë”, tha Çela.

Ora 13:05
Drafti i Kodit Penal/ Çela kritika: Integrimi dhe fakti se është i vjetër nuk janë argumente, s’ka qenë urgjencë!

 

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, teksa po raporton në Komisionet Parlamentare, u pyet edhe për draftin e Kodit të ri Penal, për të cilin shprehu kritika. Sipas tij, në vite nuk është bërë një analizë e thellë se çfarë nuk shkon me Kodin aktual dhe se argumenti se është i vjetër prej 1995-ës dhe integrimi nuk mund të përdoren si argumente për të krijuar një draft të ri. Sipas tij, deri në këtë kohë, kanë bashkëpunuar shumë mirë me partnerët ndërkombëtarë edhe me Kodin aktual dhe pa pasur asnjë problem.

“Nëse do të arrini të pyesni ata që janë prokurorë e gjyqtarë se cilët janë problemet me kodin që kemi. Ende unë sot nuk kam një informacion analitik mbi problemet që ka Kodi Penal aktual. Është që nga 1995, ka gjetur zbatim dhe përmes përmirësimeve në legjislacion, ka gjetur zbatim dhe aplikohet pa probleme serioze nga gjykatat dhe prokuroritë. Pikënisja në ndryshimet në ligj është kjo. Unë shoh fillimin e problemit sa i përket konceptimit të një procesi të ndërtimit të legjislacioni si Kodi Penal. Pra është ligj i rëndësishëm, kjo mënyrë kjo pikënisje përcakton edhe metodologjinë mbi të cilin ngrihet puna për draftimin e kodit. Nëse kemi prezencë se cilat janë probleme me që ka kodi, që të duhen të reflektohen në një proces të ndryshimeve ligjore. Deri në 2024, nuk kemi raportuar në asnjë moment për problemet në Kodin Penal. Cila është filozofia mbi të cilin ndërtohet? Përafrimi me kërkesat e integrimit, është një kriter që natyrshëm nuk mund të prekë gjithë Kodin Penal. Ne me këtë kod bashkëpunojmë me partnerët dhe s’kemi pasur asnjë problem, dmth që dispozitat tona janë me frymën e kohës. Unë kam një opinion që ndikohet nga fakti që në mungesë të një metodologjie dhe të përcaktimit të nevojave, nuk shoh një reflektim të nevojave të shoqërisë. Dy janë argumentet që kodi është i ’95, që nuk është argument sepse ka kode të vjetra që funksionojnë më së miri. Dhe tjetra integrimi evropian. Ne i kemi azhornuar kodet sipas nevojave të integrimit. Për mua deri tani ka pasur për risistemin për dispozitave të Kodit dhe përmirësim aty ku është e mundur, port ë ndryshosh bazat nuk është e lehtë. Kodet i bëjnë profesorët pasi dëgjojnë nevojat e praktikantëve dhe shikojnë tendencat e shoqërisë, praktikat më të mira botërore. Kjo kërkon kohë dhe kujdes mbi gjithë procesin. Nëse ne mendojmë se duke bërë konsultime publike, duke mbledhur prokurorët e gjyqtarët nga dy orë, ky është proces që justifikon në vetvete se ka pasur konsultim publik. Asnjë prokuror sot nuk ka pasur kohë që për 2 orë t’ju japë opinion për 900 nene. E keni proces formal, jo thelbësor. Mungon kritika thelbësore për draftin. Së dyti kalojmë nga një Kod, nga 400 nene në një draft me 900 e ca nene. Bëj një pyetje, me këto nene paskemi jetuar në paligjshmëri? Duket se ka një problem në konceptimin e draftit dhe së treti teknika e dispozitave nuk është në lartësinë e duhur. Si ndryshohet? Do bëjmë një Kod të ri? Si prokuror futemi pas, sepse ka munguar përcaktimi i drejtë i metodologjisë se si do të ishte puna për përgatitjen e draftit. Të gjitha këto na cojnë në pamundësinë që të bëjmë një vështrim kritik mbi draftin mbi funksion përmirësimi. Ne nuk kemi as kapacitetet as kohën.”, tha mes të tjerash Çela.

Ora 12:59
Rritje e kriminalitetit në Shqipëri, Prokurori Çela: Tirana numrin më të lartë të krimeve kundër jetës! 12.46% më shumë vrasje me dashje se në 2023

1760439026_osliancela.jpg

Gjatë raportimit për veprimtarinë vjetore të vitit 2024 në Komisionin e Ligjeve, Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela tregon se ka një rritje shqetësuese të dhunës, krimeve me dashje kundër njerëzimit dhe vrasjeve me paramendim.

Numri më i lartë i krimeve kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 %  e totalit, ndjekur më pas nga Korça, ndërsa numri më i ulët është në Dibër.

“Sa i përket arsyeve të rritjes së numrit të procedimeve, është e vështirë të përcaktohet nëse kjo ka ardhur nga një tendencë e rritjes së fenomeneve të dhunës në përgjithësi, apo nga një rritje e ndërgjegjësimit të viktimave si dhe e besimit të tyre tek sistemi i drejtësisë për të denoncuar rastet.

3.6 Një tendencë shqetësuese rritjeje është konstatuar tek krimet me dashje kundër jetës. Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këto grupvepra në vitin 2024 është 14,7, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 10,5. Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 %  e totalit, Korçë 12 %, Durrës 10 %,  Fier dhe Lezhë 8 %, Elbasan 6%, Vlorë 5%,  ndërsa vërehet se numri më i ulët i procedimeve të regjistruara është në Dibër, me rreth 1 %.

Ka një rritje të ndjeshme të vrasjeve me dashje. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime kundër jetës të kryera me dashje” për vitin 2024 është 12,46 %, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 4,83 %. Në vitin 2024 janë regjistruar 44 procedime për këtë vepër, që përbëjnë një rritje prej 3,14 herë krahasuar me 14 procedime të regjistruara në vitin 2023.

Tendencë të fortë rritje ka pasur edhe vepra penale e “vrasjes me paramendim”, pasi janë regjistruar 31 procedime penale që krahasuar me 15 procedime të regjistruara në vitin 2023, që përbën një rritje prej 2 herë”, thuhet në raport.

Ora 12:46
Olsjan Çela: Nevojë urgjente për ndërtimin e godinave të reja! Duhet zgjidhur çështja e truallit dhe financimi

 

Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela në Komisionin e Ligjeve, ka adresuar kërkesën urgjente për përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve të drejtësisë.

Çela ka bërë me dije se në kërkesë e posaçme i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, por pa zgjidhje vijon të jetë çështja e truallit që do të përdoret për ndërtim si dhe financimi për projektin.

“Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara.

Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit.

Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambjentet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat”, thuhet në raport.

Ora 12:40
Prokurori i Përgjithshëm: Rritje e të dënuarve për korrupsion me 4.84% krahasuar me vitin 2023! Janë kryer 185 verifikime pasurore

 

Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela në raportimin vjetor në Komisionin e Ligjeve ka raportuar bilancet e procedimeve dhe arrestimeve lidhur me veprat penale të korrupsionit apo pastrimit të produkteve penale në nivele të larta.

“Referuar të dhënave statistikore të vitit 2024, për grupveprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën në kompetencë të juridiksionit të përgjithshëm, janë regjistruar 569 procedime me 160 të pandehur dhe 157 procedime me 234 të pandehur janë dërguar për gjykim. Gjithashtu vihet re një rritje prej 4,84% të të pandehurve të dënuar për 2024, krahasuar me vitin 2023

Prokurorët kanë rritur rolin aktiv për veprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën duke filluar kryesisht 19 procedime penale dhe në kryerjen e hetime proaktive, në 34 procedime penale. Ky proces ka çuar në arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 25 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

Nga 61 referime/procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 39 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën”, thuhet në raport.

Përsa i përket hetime lidhur me “Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për vitin 2024 janë regjistruar 185 verifikime pasusore.

“Në zbatim të nenit 3/1 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, në kuadrin e procedimeve/hetimeve pasurore, për vitin 2024 në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm janë regjistruar 185 verifikime pasurore. Ndërkohë në kuadrin e hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas nenit 287 të Kodit Penal si dhe në zbatim të nenit 36 të Kodit Penal dhe neneve 274 dhe/ose 210, 190 e vijues të Kodit të Procedurës Penale dhe në zbatim të ligjit nr. 10192/2009, pas kërkesave të prokurorëve gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive/aseteve kriminale në total, në kuadrin e 14 çështjeve dhe sekuestrime pasurie/asete kriminale në kuadrin e 35 çështjeve”, thuhet në raport.