Vërshimi i ujërave nga reshjet intensive të shiut ka sjellë pasoja të rënda në zonat bujqësore të Lezhës.

Sipërfaqe të tëra toke kanë mbetur nën ujë, duke dëmtuar prodhimin bujqësor, veçanërisht kulturat e jonxhës dhe grurit.

Të dhënat paraprake të mbledhura nga strukturat vendore tregojnë se përmbytjet kanë prekur gjithashtu edhe kultura të tjera, ndërsa ndikimi në blegtori dhe banesa paraqitet më i kufizuar.

Në terren janë angazhuar dy grupe pune të Bashkisë Lezhë, të cilat kanë realizuar inspektime dhe verifikime të detajuara për evidentimin e dëmeve. Drejtori i Bujqësisë, Paulin Gjergji, konfirmon se procesi i vlerësimit është drejt mbylljes, duke u bazuar si në dokumentacionin e dorëzuar nga fermerët, ashtu edhe në kontrollet në terren.

Dëmet janë evidentuar në rreth 1 700 hektarë. Pjesa më e madhe i përket jonxhës me rreth 60 %, e ndjekur nga gruri me 35 %, ndërsa sipërfaqet e mbetura përfshijnë ullinj, lakra dhe agrume.

Ndërsa në blegtori dhe banesa dëmet janë më të vogla. Autoritetet vendore bëjnë të ditur se pas finalizimit të raportit përfundimtar, dosjet do t’u dërgohen institucioneve përgjegjëse për të vijuar me procedurat e mbështetjes dhe kompensimit të fermerëve të prekur.