Rreth 360 prokurorë në të gjithë nivelet të drejtësisë Shqiptare, u është verifikuar imtësisht pasuria nga ana e zyrtarëve të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI). Ky kontroll është përfunduar pak ditë më parë dhe se sipas burimeve të ILDKPKI, pjesë e këtij kontrolli është bërë dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, dhe drejtuesit e tjerë të prokurorive.

Kontrolli është kryer pas një urdhri të nxjerrë nga kreu i ILDKPKI Shkëlqim Ganaj, i cili ka kërkuar nga inspektorët e tij që të nisin verifikimet për çdo prokuror dhe gjyqtar në Shqipëri. Ky kontroll “blic” i nisur dy muaj më parë vjen në një situatë kur janë ngritur zërat politikë dhe të disa ambasadorëve të huaj në Shqipëri, lidhur me reformën në drejtësi dhe hetimin e pasurisë së njerëzve që japin drejtësi.

Risia e këtij kontrolli ka qënë se çdo prokuror dhe gjyqtar duhet të plotësonte formularë të rinj dhe të deklaronte të ardhurat tij, pasurinë e gjithçka tjetër që ka të bëjë me pronat e paluajtshme e llogaritë bankare, deri tek të dhuratat nga miqtë dhe të afërt.


Redaksia Online
Shqiptarja.com