Verli flet për Report Tv për pavarësinë e Qendrës Albanologjike
Një ditë më parë kreu i ri i akademisë së shkencave Gudar Beqiraj deklaroi se Qendra e Studimeve Albanologjike do të jetë nën kupolën e Akademisë së Shkencave. Mareglen Verli, drejtori i Qendrës Albanologjike në një intervistë për Report TV pohon se qendra që ai drejton do të vijojë të jetë e pavarur. VIDEO
Një ditë më parë kreu i ri i akademisë së shkencave Gudar Beqiraj deklaroi se Qendra e Studimeve Albanologjike do të jetë nën kupolën e Akademisë së Shkencave.
Mareglen Verli, drejtori i Qendrës Albanologjike në një intervistë për Report TV pohon se qendra që ai drejton do të vijojë të jetë e pavarur.
“Edhe në këtë periudhë që unë jam drejtues, kemi vepruar me zgjedhjet dhe me të gjithë ato gjëra që rinovojnë titullarët në institucionet përkatëse në të gjitha shkallët. Kjo është ajo formë që nuk krijon precedentë që në linjën e politikës në disa vjet të ketë përsëritje me një ndërhyrje për të përcaktuar njerës të veçantë, të preferuar nga linjat politike, e kshu me radhë. Kjo është forma që i krijon stabilitet dhe qetësi punës tek ne”, shprehet Verli.
Qendra Albanologjike merr vetëm 30 milionë lekë në vit nga buxheti i shtetit, ndërsa akademia merr 96 milionë lekë.
Ndryshe nga akademia e shkencave kjo Qendër, ka mundur të sigurojë edhe donacione, projekte e bashkëpunime me fondacionet e huaja.
“Ne kemi 12 bashkëpunime me analogët në botën e jashtme, përfshirë dhe vendet e zhvilluara si Franca, Britania, etj”, vijon kreu i Albanologjisë.
Ndërsa Artan Fuga kritiku i zgjedhjeve të 4 shtatorit në Akademinë e Shkencave është revoltuar nga premtimi i Beqirajt, duke e quajtur të pabesueshëm. Për këtë i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një letër të dytë.
“Askush nuk i doli dot në mbrojtje Akademisë të Shkencave. Madje as kryetari i rizgjedhur i saj, me të cilin nuk kam asnjë gjë personale, nuk e mbrojti dot dhe për herë të parë, por pa vlerë tani sepse është vonë të jetë i besueshëm, u shpreh se Akademia duhet të reformohet!!! Çfarë ka pritur që nuk e ka transformuar deri tani!”, shprehet Fuga.
Reforma e Gudar Beqirajt në Akademinë e Shkencave pa nisur ende ka hasur në kundërshti të forta.