/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një bashkëbisedim me deputetët e parlamentit të Malit të Zi, gjatë të cilit diskutuan për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për rëndësinë që kishte pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006 për procesin e pavarësisë së Kosovës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Veseli theksoi se "të dy vendet tona janë duke jetuar një epokë të re marrëdhëniesh, të bazuara mbi parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit, bashkëpunimit, dhe respektit të ndërsjellë. Së pari, pavarësia e Malit të Zi ishte një argument edhe më shumë se çdo projekt i vazhdimësisë së ish Jugosllavisë, ishte historikisht i tejkaluar dhe politikisht i rrezikshëm. Së dyti, pavarësia e Malit të Zi e vitit 2006, duke ndodhur pikërisht në momentet e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, padyshim ka ushtruar një ndikim pozitiv, duke dhënë argument shtesë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe i domosdoshëm".
"Nëse vetë qytetarët e Malit të Zi, që nuk kishin përjetuar dhunën e ushtrisë së Millosheviqit, nuk dëshironin që të jetojnë nën një çati politike me Beogradin, pse duhej kërkuar diçka e tillë nga ne kosovarët, që sapo kishim lënë pas një luftë me mijëra viktima, me 1 milion të dëbuar dhe me vendin e shkatërruar", shprehet Veseli