/ATSH-B.Jashari/.-"Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare" është konferenca shkencore, e cila po mbahet sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Konferenca shkencore është organizuar nga Instituti i Historisë nga Prishtina, Instituti i Historisë nga Tirana dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi, ka bërë të ditur Këshilli për organizimin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini.
Nga Kuvendi i Kosovës bëhet e ditur se në konferencën shkencore mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti kryeparlamentari Kadri Veseli.
Ai tha as, Isa Boletini jetoi dhe veproi në një periudhë dramatike të historisë sonë kombëtare, të kthesave të mëdha historike.
"E gjithë veprimtaria e Isa Boletinit ishte një përballje me këtë sfidë. Ishte një përballje titanike, e cila e çoi atë nga betejat e grykave të Kosovës, në mbrojtjen e pavarësisë kombëtare të shpallur në Vlorë, e prej andej në zyrat diplomatike të Evropës".
Isa Boletini, vijoi kryeparlamentari kosovar, ishte një lider popullor që veproi në përputhje me nevojat e kohës.
"Kjo ishte koha e çlirimit kombëtar dhe formimit të shtetit kombëtar. Ishte koha ku shqiptarët duhet të dëshmonin ekzistencën e tyre kombëtare dhe të drejtat e tyre legjitime. Të gjitha kryengritjet dhe përpjekjet e Isa Boletinit ishin në shërbim të këtij qëllimi madhor", tha Veseli.
Sot, vijoi ai, në kushtet e reja sociale dhe politike, figura historike e Isa Boletinit kërkon qasje të reja shkencore dhe akademike.
"Unë besoj se historiografia jonë, tanimë e pavarur nga diktatet ideologjike dhe politike, është në gjendje të përmbushë këtë nevojë të vetëdijes sonë kombëtare, të kulturës dhe kujtesës sonë historike", u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.
Në Kuvendin e Kosovës në 9 qershor do të ketë seancë solemne në nderim të Isa Boletinit, duke filluar nga ora 12, ndërsa nga ora 14 do të bëjnë homazhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, deputetët dhe qytetarët.
Manifestimet për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini mbahen me moton ?Prapë, na erdhi Baca Isë?.
Ceremonia qendrore do të mbahet në 10 qershor 2015, në stadiumin ?Adem Jashari? të qytetit më të madh verior të Kosovës, Mitrovicës, ndërsa sot me konferencën shkencore në kryeqyet, Prishtinë, nis vargu i aktiviteteve të manifestimit të rivarrimit të heroit kombëtar Isa Boletini, ka njoftuar Këshilli Organizativ.
Nga Mitrovica - Boletini, para më shumë se 100 viteve Isa Boletini me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Siç shënonin kronistët e kohës, disave prej tyre ende u kullonin plagët në trup nga fushëbetejat që kishin sjellë deri te dita e madhe e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në 28 Nëntor 1912.
Në 23 maj 2015, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, erdhi për inaugurimin e shtatores së Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë.
Në Vlorë, 400 bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali