Kryetari i Kuvendit, Veseli gjate takimit me shefin e FMN-se per Kosoven, Miniane
PRISHTINË, 15 Janar/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Jacque Miniane.
Siç njofton zyra për media e Kuvendit, kryetari Veseli theksoi domosdoshmërinë e përmirësimit të gjendjes aktuale ekonomike dhe përkushtimin e Kuvendit për aprovimin e ligjeve, që prekin drejtpërdrejtë zhvillimin ekonomik, projektet që varen nga ligjet në procedurë, si dhe gatishmërinë e Kuvendit për t'i proceduar sa më parë.
Në anën tjetër Miniane shprehu besimin se Kuvendi do të realizojë prioritetet e veta dhe do ta përmbushë axhendën legjislative, duke theksuar se zhvillimi ekonomik i vendit kërkon angazhim më të madh dhe duhet të jetë prioritet i parë i institucioneve.
Në takim janë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe FMN-së për të përmirësuar rrethanat ekonomike në Kosovë./KosovaPress/k.s/