Vetëvendosja: Qeveria e re është
qeveri e Prishtinës dhe Beogradit

Vetëvendosja: Qeveria e re është<br />qeveri e Prishtinës dhe Beogradit
Sot në Prishtinë, vetëm një ditë pas formimit të Qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar mënyrën se si është zgjedhur ajo, si dhe bashkëpunimin e koalicionit qeverisës PDK-LDK me Listën Serbe për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti tha se është Qeveri e përbashkët e Prishtinës me Beogradin.

Para gazetarëve, në këtë konferencë, Kurti rrëfeu se si lideri i LDK-së, tashmë kryeministri Isa Mustafa, për plotë tre muaj u kishte rezistuar kushteve të Vetëvendosjes për të mirën e Kosovës dhe për një kurs të ri të shtetit, deri më datën 10 shtator të këtij viti, ndërsa kushtet e Listës Serbe, përkatësisht të Beogradit, Mustafa e Thaçi i pranuan brenda natës.

“Përmbajtja e Marrëveshjes së tyre me Listën Serbe tregon qartë synimin për Federalizmin e Kosovës, duke e ndarë sistemin e saj politik , duke krijuar paritet në çdo udhëheqje institucionale dhe duke e formuar me shpejtësi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe” tha Albin Kurti dhe vazhdoi duke e kritikuar me sarkazëm, bashkimin e dy partive të djathta në mënyrë krejt të natyrshme, siç kishin deklaruar liderët e PDK-së dhe LDK-së.

“Të djathtët në Kosovë u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinist dhe anti-shqiptarë në Serbi. Të djathtit që thanë se u bashkuan natyrshëm, njësoj, natyrshëm, po iu nënshtrohen të djathtëve më të fuqishëm në Serbi, tamam sikurse në natyrë ku fuqia është ligji” tha lideri i Vetëvendosjes duke theksuar se nga këta të djathtë që u bashkuan në Kosovë, mund të pritet vetëm ndarje e mëtutjeshme e Kosovës.

Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që nuk është Republikë, por brenda e ka Republikën Serbe që nuk është shtet. Republika e Kosovës po bëhet një jo-shtet i cili do ta ketë brenda shtetin e Serbisë ende të pashpallur republikë. Gati shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, po kthehemi në gjendjen që e parashihte formula e Serbisë për Kosovën: “Më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”.

Kurti ishte kritik edhe sa i përket premtimeve të Qeverisë së re për zhvillim ekonomik. Ai tha se, varfërim i mëtejshëm i popullit të Kosovës do të vazhdoj dhe se, qysh në fillim të kësaj qeverisjeje, më shumë po ua sheh ‘hairin’ Beogradi se sa Kosova, sepse premtimet e tyre për zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës janë jo reale, ndërsa realiteti kosovar janë pamjet e mijëra të rinjve kosovar që me autobusë nisen drejt Serbisë për në Hungari.

“Në ekspozeun e tij, Mustafa nuk e përmendi as premtimin e PDK-së për 200 mijë vende të reja pune e as premtimin e LDK-së për 120 mijë vende të reja të punës. Kjo Qeveri që rehaton militantët partiak paraqet , jo vetëm problem politik për Kosovën por edhe problem socio-ekonomik për shoqërinë” përfundoi Kurti duke ju bërë thirrje politikanëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë që të mos flasin më kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë përderisa e mirëpresin këtë Qeveri dhe koalicion të të korruptuarve në qeverisje, si dhe instalimin e kreut të nëntokës në krye të Kuvendit.

Në këtë konferencë, kritika të ashpra lidhur më mënyrën e votimit dhe zgjidhjes së Qeverisë së re, si dhe për pranimin e kushteve të vendosura nga ana e Listës Serbe e ka kritikuar edhe Visar Ymeri. Ai kritikoi Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën se nuk treguan se, cilat ishin kushtet e Listës Serbe që ata i kishin pranuar tashmë, duke i quajtur  kushtet e Beogradit për të marr bekimin e Qeverisë së Serbisë për ta krijuar Qeverinë e re të Kosovës. Sipas Ymerit, kjo do ti sjell dëm jashtëzakonisht të madh zhvillimit të Kosovës në të ardhmen.

Vetëvendosja me këtë rast nxorri në pah kushtet si, krijimi me shpejtësi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, me çka do të “Bosnjëzohet” Kosova ngase do të vjen deri te ndarja territoriale dhe institucionale, në vija etnike dhe në këto rajone, nuk do të kenë kurrfarë pushteti institucionet qendrore të Republikës së Kosovës.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje theksoi se është shqetësues edhe fakti se janë  premtuar ndryshimet ligjore për të mundësuar instalimin e anëtarëve të Listës Serbe në pozitat kyçe të dy institucione kryesore të Sigurisë së Kosovës. “Po ashtu i është premtuar se do të bëhen ndryshimet ligjore të cilat do ta mundësojnë që nëndrejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës të jetë përfaqësues i Listës Serbe. Në anën tjetër edhe zëvendës komandanti i FSK-së të jetë nga Lista Serbe dhe kështu në dy institucionet më të rëndësishme të sigurisë së Kosovës , Serbia do t’i fus edhe personat e vet pra që të jenë në nivelin e lartë komandues” tha Ymeri.


Anadolu Agency
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

'Bomba' e

'Bomba' e "The Telegraph": Udhëheqësi i Hamasit u vra nga agjentët iranianë, me urdhër të Mossad!