Vetëvendosje:Larg armët kimike nga
Shqipëria pa u bërë armiq me askënd

Vetëvendosje:Larg armët kimike nga<br />Shqipëria pa u bërë armiq me askënd
PRISHTINË - Lëvizja Vetëvendosje! në Kosovë po ndjek me vëmendje dhe me shqetësim zhvillimet për sa i përket çështjes së importit prej Sirisë në Republikën e Shqipërisë të një sasie lëndësh kimike luftarake, me qëllim shkatërrimin e tyre.
 
"Si shqiptarë, jemi të shqetësuar për mungesën e informacioneve zyrtare mbi këtë çështje. Në deklaratat e tyre Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati kanë informuar se ende nuk ka marrëveshje, por ka bisedime. Këto bisedime duhet të jenë tërësisht transparente dhe populli duhet të jetë i informuar dhe i përfshirë në çdo proces vendimmarrjeje. Kjo çështje është tepër delikate, rrezikon shëndetin fizik të qytetarëve siç rrezikon edhe integritetin territorial dhe natyrën e vendit tonë. Ky vendim nuk mund t'i përkasë vetëm një qeverie, që mbart mandatin e përkohshëm 4-vjeçar".
 
"Vëmë re se pranimi i lëndëve helmuese luftarake të Sirisë në Shqipëri, gjithashtu shkon përkundër konventave ndërkombëtare, të cilat ndalojnë importimin e këtyre lëndëve, qoftë dhe për arsye të asgjësimit. Po ashtu, ndalohet edhe prej vetë ligjit të Republikës së Shqipërisë kundër importit të mbetjeve, ligj i cili në vetvete përbën një prej arritjeve të qeverisjes së Edi Ramës".
 
"Këto lëndë kimike po refuzohen nga vende që disponojnë territore shumë më të mëdha, që kanë kapacitete të forta teknologjike e burime njerëzore të përgatitura, kështu që nuk ka asnjë arsye që Qeveria e Shqipërisë të nxitohet e të pranojë, duke pasur parasysh territorin e vogël, por edhe incidentet që kanë ndodhur në të shkuarën e afërt".
 
"Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë vënë re se Shqipëria do t'i pranojë këto armë, për shkak se është vend i varfër dhe blihet lehtë. Në konstatime të tilla nuk mund të mos vëmë re një racizëm të shprehur haptazi, një trajtim të pabarabartë, të paragjykuar dhe jodinjitoz të Shqipërisë. Shqiptarët janë një popull tërësisht i barabartë me të tjerët, si në historinë ashtu edhe në aktualitetin e tyre.

"Varfëria e tyre nuk është gjenetike apo natyrore, por rezultat i paragjykimeve të tilla, si dhe rezultat i qeverisjeve të padenja, për vite me radhë. Shpresojmë dhe jemi të angazhuar si Lëvizje, përkrah qytetarëve, që të dy këta faktorë të mos na shoqërojnë gjatë në historinë tonë. Nga varfëria do të dalim me punë dhe me vizion për zhvillim, e jo duke shitur trupat tanë apo trupin tonë kolektiv që është vendi ynë".
 
Nëse Qeveria e Shqipërisë gjendet përballë presionit ndërkombëtar për t'i pranuar këto armë, atëherë është i nevojshëm presioni popullor, që do ta ndihmonte e do ta forconte Qeverinë për t'i thënë "Jo!" importit të armëve kimike.
 
Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet qytetarëve shqiptarë në këmbënguljen e tyre për t'i mbajtur armët kimike larg vendit tonë, pa u bërë armiq të askujt, por pa u shndërruar në kosh plehrash për askënd.
 
Protesta po zhvillohen në Tiranë, në Prishtinë, e në shumë qytete shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë. Protesta po zhvillohen edhe në qytete të tjera, ku ka emigrantë shqiptarë. I nxisim përkrahësit tanë t'i bashkohen këtyre protestave, duke aktualizuar parimet që Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka shprehur dhe vazhdon t'i shprehë, ato të qytetarit aktiv, të solidaritetit dhe të kauzës së atdheut tonë të përbashkët.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet