Vetëvendosje:Viti 2013 ishte një vit
jo i mirë për shqiptarët e Kosovës

Vetëvendosje:Viti 2013 ishte një vit<br />jo i mirë për shqiptarët e Kosovës
Lëvizja VETËVENDOSJE! iu uron gjithë qytetarëve një Vit të Ri të mbarë, tash kur vitit 2013 po i afrohet fundi.

Në urim analizohet se viti 2013 ka qenë një vit jo i mirë për shqiptarët në Kosovë. Varfëria është shtuar, papunësia është rritur, ndërkohë që praktikat, mentaliteti dhe ideologjia qeverisëse po vazhdojnë të pandryshuara, duke pasuruar pushtetin, duke shkatërruar shtetin, duke përvetësuar publiken dhe duke cënuar integritetin e pasurinë e shoqërisë dhe të individit.
 
Në 2013 kanë vazhduar negociatat mes Thaçit dhe Daçiçit, të cilat po çojnë në Bashkimin Evropian Serbinë, e po çojnë në Serbi Kosovën. Këto negociata do të vazhdojnë edhe në 2014, duke e çuar gjithë Kosovën në pozitë edhe më të vështirë e më të përulur, pavarësisht faktit se Serbia nuk po bën asnjë hap institucional drejt njohjes së Kosovës, si dhe drejt kërkimfaljes për atë çka ka bërë në Kosovë.
 
Po ashtu, në 2013 është privatizuar një pjesë e mirë e pronës publike, pa marrë miratimin e publikut. Rast i tillëështë KEDS. I njëjti plan privatizimi, i dyshimtë, pa përfitim publik e me procedura të dyshuara për korrupsion, po shtyhet nga interesa të pandërgjegjshëm edhe në rastin e PTK, të cilën meqë nuk i lamë ta privatizonin në 2013, do të përpiqen ta privatizojnë në 2014.

Këto janë vetëm disa prej proceseve negative të shkaktuara prej një politike despotike nga ana e qeverisë Thaçi, nën ombrellën e ndërkombëtarëve që interesohen vetëm për stabilitet, e jo për drejtësi, për zhvillim apo për barazi në rastin e kombit tonë.
 
E njëjta politikë despotike ka dëmtuar edhe në 2013 shqiptarët në Mal të Zi, në Preshevë, e sidomos në Maqedoni, ku situata e diskriminimit të shqiptarëve tashmë është e mprehtë.
 
Por në 2013 ka patur edhe shkëndija të ndryshimit. Në Shqipëri, me votë masive, qytetarët kërkuan të ndërronin tërësisht modalitetin e qeverisjes. Qeverisja e re, përballet me skepticizëm e me vështirësi të mëdha, por po jep shenja të vullnetit të mirë e të përgjegjësisë, si për sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, për përkujdesjen për shqiptarët në trojet e tyre, por edhe për rregullimin e ekonomisë së brendshme, përmes një sistemi të drejtë fiskal. Mbi të gjitha, në Shqipëri duhet përshëndetur lindja e një momenti të ri qytetar, në formën e protestave masive kundër importit të armëve kimike. Këto protesta, që gjetën jehonë tek çdo zemër shqiptare, dhanë një mesazh të rëndësishëm. Ato i thanë ndërkombëtarëve dhe pushtetarëve vendorë “Mjaft e shitëm vendin dhe veten tonë, pasuria vjen vetëm duke punuar me ndershmëri dhe atdhedashuri”.
 
Po ashtu, në 2013, qytetarët e Prishtinës i dëshmuan gjithë Kosovës se ndryshimi është i mundshëm. Përmes votës masive, ato e mposhtën konceptin e “bastionit”, mbi të cilën bazë është qeverisur Kosova në vitet e pasluftës.

Por, mbetet ende shumë për të bërë. 2014 do të ketë sfidat e veta. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë përkrah me qytetarët, me trupat e aktivistëve tanë, me kapacitetin e Alternativës sonë Qeverisëse, me organizatën tonë, ne do të përpiqemi të japim kontributin tonë në drejtimin e procesit të shtetformimit kah drejtësia, zhvillimi e barazia. Sepse, çdo gjë tjetër është veç shformim i shtetit.
 
Ju urojmë pra gjithë shqiptarëve që në 2014 të gjejnë dashurinë e më të afërmve, të gjejnë solidaritetin e shoqërisë, dhe të kenë sukses, mirëqenie e realizim të projekteve personale e shoqërore.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane