Vetëdigjet grevisti i dytë, BE:
Jemi të shqetësuar, dialogoni

TIRANE- Pas tentativës së dytë për vetëflijim nga ana e të përndjekurve politikë në ditën e 19-të të grevës së tyre të urisë, policia shton masat e sigurisë përreth ambientit ku po zhvillohet greva. Një numër i madh uniformash blu janë pozicionuar në zonën e “Komunës së Parisit”, kanë vendosur shiritin rrethues të ambienteve të grevës dhe mbikëqyrin situatën. Lirak Bejko u vetëdogj sot në mesditë duke i vënë flakën vetes pasi u lag me benzinë, ndërkohë që dy ditë më parë, bashkëvuajtësi i tij Gjergj Ndreca u përfshi nga flakët po në shenjë proteste ndaj indiferentizmit të qeverisë. E gjithë kjo situatë po ndiqet me vëmendje nga ndërkombëtarët dhe në orët e vona të mbrëmjes së sotme erdhi dhe reagimi i Bashkimit Europian. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë për mediat ata shprehin shqetësimin për situatën e krijuar . BE kujton ligjin për kompensimin dhe kërkon trajtimin e secilit rast në mënyrë individuale.


Grevistët e cilësojnë "presion" rrethimin e tyre nga policia dhe kreu i shoqatës së ish të burgosurve politikë, Skënder Tufa paralajmëron se mund të ketë edhe ndërhyrje nga policia për t’i dhënë fund grevës. Ata kane fajësuar jo vetëm kryeministrin por edhe presidentin Nishani për deklaratat e tyre.

Duket se greva që nesër hyn në ditën e 20-të të saj do të krijojë shumë shpejt dhe efektin zinxhir. Përfaqësues të shoqatës së të përndjekurve politikë në Durrës, kanë paralajmëruar se do të nisë edhe atje një grevë e tillë, ndërsa në Vlorë është zhvilluar sot një protestë në mbështetje të grevistëve në Tiranë.  Grevistët thonë se  nuk tërhiqen nga kërkesat, nga ana e saj kryeminstri e quan grevën politike dhe shton se atyre i është bërë kompensimi i këstit të parë. 

SCROLL DOWN FOR ENGLISH VERSION


POLICIA NE CADREN E GREVISTEVE, KONTROLL PER BENZINE
Ora 22:00 Prej 20 minutash forca policie sëbashku me shefin e komisariatit numër 2 në Tiranë, Erzen Bercani hynë brenda në çadrat ku janë të vendosur grevistët. Nga çadrat ku po zhvillohet greva e ish të burgosurve politike, gazetarja e televizionit A1 Report, Gentjana Haxhiu raporton se forca policie u futën brenda në çadra. Forcat e policisë kanë hyrë në çadra me mirëkuptimin e grevistëve ndërsa janë realizuar kontrolle edhe për të parë nëse mund të ketë lëndë të djegshme apo jo. Që në momentin që policia ka blinduar zonën, asnjë nuk ka hyrë apo dalë nga çadrat e grevistëve
Sipas gazetares të A1 Report, nga bashkëbisedimi në linjë telefonike me disa grevistë ata shprehen të vendosur për të mos u tërhequr nga vendi ku janë stacionuar prej 19 ditësh.

BE LIDHUR ME 2 INCIDENTET GJATE GREVES

Ora 21: 30 Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar sot lidhur me grevën e ish të burgosurve politikë, veçanërisht për dy incidentet e datës 8 dhe 10 tetor, kur dy grevistë tentuan vetëflijimin.

"Delegacioni i BE-së shpreh keqardhjen dhe shqetësimin në vijim të incidenteve serioze që ndodhën më 8 dhe 10 tetor gjatë grevës së urisë nga një grup ish-të persekutuarish dhe ish-të burgosurish politikë”, -thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e BE në Tiranë.

Delegacioni i BE-së u bën thirrje palëve të mos e shfrytëzojnë këtë situatë të dhimbshme për qëllime politike. Ky delegacion nënvizon në deklaratën e tij se mban shënim ekzistencën e planit të kompensimit sipas ligjit të vitit 2007 dhe bën thirrje për dialog për të trajtuar rastet individuale të cilat ky plan nuk i zgjidh."

GREVISTET: KRYEMINISTER HIQ DORE NGA PRESIONET
Ora 20:15
Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë Skënder Tufa në një prononcim gjatë orëve të mbrëmjes së sotme, për televizionin A1Report bëri apel nga gjithkujt që do të dalë në mbështetje të grevistëve, pasi sipas tij policia mund të ndërhyjë ndaj grevistëve. Sëbashku me ish të burgosur të tjerë, i drejtuan thirrje kryeministrit të vendit, Sali Berisha që “ të heqë dorë nga presionet, nga mashtrimet”. “Nuk do të lejojmë të thuash që kjo grevë është politike. Ne kemi problemet tona ekonomike, të shkollimit, greva jonë është ekonomike. Kryeministër ndal se këta njerëz të kanë mbajtur 21 vjet në karrige, e ti po i deklaron plehrat e komunizmit. Hiq dorë nga presionet, nëse ti ke vendosur të bësh një skandal dhe këta të eleminojnë veten, vazhdo kryeministër se do të marri bota”, janë fjalët revoltuese të ish të burgosurve politikë ndaj kryeministrit Berisha, që sipas tyre jo vetëm është treguar indiferent ndaj grevës së tyre, por edhe mashtron duke e cilësuar si grevë politike.

TUFA: LARGONI DUAR NGA GREVISTËT
Ora 16: 35 Kreu i shoqatës së ish të burgosurve politik, Skënder Tufa dhe njëkohësisht koordinator i grevës së urisë, tha në lidhje me rrethimin që i janë bërë çadrave të grevistëve nga policia: “Mos të bëjë tentativë policia për prekjen e grevistëve sepse do acarojë qytetarët. Largoni duart nga grevistët dhe jepini përgjigje këtyre njerëzve që po vetëflijohen. Në 94’ policia ka ardhur në mes të natës e na ka nxjerrë, e kemi me përvojë, mund ta bëjnë prapë.”

POLICIA NDALON HYRJEN NE CADRAT E GREVISTEVE
Ora 16: 00 Menjëherë pas tentativës për tu vetëflijuar të grevistit Lirak Bejko, policia rrethon të gjitha çadrat e grevistëve të vendosura pranë rrugës “Komuna e Parisit” në Tiranë. Policia nuk lejon hyrjen të grevistëve pas djegies ish të burgosurit politik, Bejko.

SHOQATA E ISH TE BURGOSURVE DURRES: EDHE NE DO FUTEMI NE GREVE
Mbi këtë akt i cili mbeti thjesht një tentativë për tu vetëflijuar, por me pasoja të rënda, pasi ish i burgosuri rezulton në gjendje të rëndë shëndetësore, ka reaguar edhe shoqata e ish të burgosurve politikë në Durrës. Ata shprehen se do të futen në grevë në shenjë mbështetje ndaj ish bashkëvuajtësve të tyre. Ata shprehen këmbëngulës në kërkesat e tyre për të marrë dëmshpërblimin nga qeveria shqiptare për vitet e burgut në komunizëm.

FRESSH TE GREVISTET, KONFRONTIME ME POLICINE
FRESSH ka mbështetur gjithashtu grevistët në çadrat te “Komuna e Parisit”, ndërkohë që mes tyre dhe forcave të policisë ka pasur konfrontime, pasi nuk janë lejuar për të qëndruar pranë grevistëve.

MJEKU: GJENDJA SHENDETESORE ME E RENDE SE AJO E NDRECES
Ora: 15: 20 I
lir Nezha mjeku në spitalin e djegies deklaron se gjendja shëndetësore e tij është më e rëndë se ajo e Gjergj Ndrecës. Lirak Bejko ka marrë plagë në 50 % të trupit.

Ora 14: 54 BASHKESHORTJA E BEJKOS: E KISHTE PARALAJMERUAR 
Edlira Bejko bashkëshortja e Lirak Bejkos në një prononcim pranë ambienteve të spitalit tha se  “Situata ishte e paralajmëruar. Përveç arsyes ekonomike është dhe shkelja e dinjitetit e të gjithë atyre që janë në këtë greë dhe indiferenca e qeverisë është shumë e madhe.” Edlira tregoi për gazetarët se ndodhej në pazar për të blerë për vazjën e saj të sëmurë kur kishte mësuar lajmin. Ajo tregon se Lirak Bejko “Është në gjendje shumë të rëndë” dhe kujton se një akt i tillë është paralajmëruar nga të gjithë.

PAMJE EKSLUZIVE TE TV A1 REPORT
lirak bejko barrele

(Pamje ekskluzive të televizionit A1 Report tregojnë momentin kur Lirak Bejko pas tentativës për tu vetëflijuar duke i vënë flakën vetes, transportohet për në spital. Në foto tregohet momenti kur ish i burgosuri politik transportohet me barelë për tu futur në makinën e ambulancës e më tej për në spital, i dyti që tenton të vetëflijohet në shenjë dëshpërimi e proteste ndaj indiferentizmit të qeverisë shqiptare ndaj shtresës së ish të përndjekurve politikë.)

Ora 13: 59 MOMENTI I DJEGIES

Pamjet filmike të marrë nga operatorët e TV NEWS24 tregojnë Lirak Bejkon, i cili në dorën e djathtë mban një shishe uji të vogël të mbushur me benzinë dhe lyen gjithë trupin. Më pas me çakmak i vë flakën vetes. Ashtu në flakë nga disa metra që ndodhej jashtë çadrës, ai hyn në çadër dhe në këtë moment shokët dhe disa policë i vijnë në ndihmë duke i hedhur batanije për ta shuar.
 
Ora 13: 34 POLCIA RRETHON ÇADRAT E GRE
lirak bejko VISTEVE
Policia rrethon çadrat dhe kërkon të hyjë brenda për të kontrolluar pasi dyshohet se grevistët kanë sërish bidonë me benzinë. Ndërkohë që grevistët nuk lejojnë futjen brenda në çadra të policisë.

Ora 13:10 LIRAK BEJKO I VE FLAKEN VETES
I burgosuri politik Lirak Bejko nga Skrapari, i vuri flakën vetes, pak metra larg çadrave të grevistëve te “Komuna e Parisit”. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 dhe lajmi fillimisht u konfirmua për Tv A1 Report nga kryetari i shoqatës së të burgosurve politikë Skënder Tufa. Ky është i burgosuri i dytë politik i cili brenda 2 ditësh tenton të vetëflijohet duke i vënë flakën vetes. Ndërkohë që Gjergj Ndreca ndodhet në spital.Mjekët thanë se Bejko ka pësuar djegie të shkallës së tretë në 50 % të trupit, ndërkohë që plagë djegieje ka pësuar dhe një shok, Agim Kollçaku i cili është munduar ti vijë në ndihmë. Bejko ka plagë në të gjithë trupin në këmbë dhe në fytyrë.

Greva e urisë e ish burgosurve politikë hyri sot në ditën 19-të. Të vendosur në 2 çadra pranë lagjes “Komuna e Parisit” ndërkohë që mbrëmë dy grevistë, Besim Valteri dhe Petrit Hyrjeti janë marrë nga çadra e grevës së urisë dhe pas disa momentesh janë rikthyer sërish. Për këtë veprim nuk është dhënë asnjë sqarim nga ana e policisë ndërkohë që sot në mëngjes grevistët dëshmuan arsyen e shoqerimit.


Ora 09: 00 I BURGOSURI POLITIK VALTERI: ME THANE DESHMO PER GJERGJ NDRECEN
Në një prononcim për gazetaren Gentiana Haxhiaj të TV A1 Report, Besim Valteri (foto) tregoi sot në mëngjes momentet e shoqërimit në polici. Ai tregoi për Tv A1 Report se i kishin kërkuar të dëshmonte në lidhje me ngjarjen e 8 tetorit, kur bashkëvuajtësi i tij Gjergj Ndreca tentoi të vetëflijohej duke u lyer me benzinë dhe më pas duke u përfshirë nga flakët.

“Sa dola nga çadra dy policë më kapën për krahësh dhe më thanë do vish me ne. Unë kundërshtova,më hoqën këpucët, në moment kaloi një bashkëvuajtës i imi dhe me atë më bindën të shkoja me ta te rajoni i policisë tek “21 dhjetori”. Më thanë se do dëshmosh për ngjarjen e vetëflijimit. Unë refuzova. Nuk fola asgjë. I thashë dua avokat “- tregon Besim Valteri.

Për ngjarjen e vetëflijimit i ndaluar ndodhet Pal Shtjefni pasi akuzohet se e ka ndihmuar për t’i vënë flakën. Ndërkohë që i burgosuri politik nuk e pranon akuzën dhe shoqata e të burgosurve kërkojnë lirimin e tij të menjëhershëm, pasi deklarojnë se çdo veprim i Pal Shtjefnit ishte pjesë e strategjisë së grevistëve.

Ora 08:00 GJERGJ NDRECA NE SPITAL, GACI I PS: ESHTE HERO
Babai i 4 fëmijëve vazhdon të jetë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Deputeti socialist Artan Gaçi publikoi në profilin e tij në facebook një foto të Gjergj Ndrecës në spital me mbishkrimin "Ndjej dëshpërim të thellë për dramën e këtyre njerëzve. Ky burrë është hero". Mjeku Ilir Nezha deklaroi dje se djegiet ishin në 35 % të trupit dhe për të përcaktuar nëse kishte dalë nga rreziku për jetën do duhej të presin 72 orë. Gjatë qëndrimit në spital 50 vjeçari është vizituar edhe nga ambasadori i BE-së, ambasadori i SHBA-se dhe ministri i Shendetesise Vangjel Tavo dhe deputetë të opozitës.
Nndërkohë që një i burgosur politik i ardhur nga Franca, Lavdosh Beqo hyri në grevë në vend të Ndrecës.
gjergj ndreca ne spital
(Foto e publikuar nga deputeti Artan Gaçi ne facebook)

19 DITE GREVE URIE

Grevistët janë të vendosur të vijojnë me grevën e urisë derisa qeveria t’i japë fund indiferentizmit të saj duke i plotësuar kërkesat e tyre, për kompensimin e viteve të burgut, ndërkohë që Ministria e Financave deklaroi dje se kompensimi i tyre nuk është ndalur dhe nga dita e sotme do të niste kompensimi edhe për të burgosurit nën moshën 65 vjeç.
Nga ana e tyre ish të përndjekurit politikë i kanë cilësuar mashtrime dhe gënjeshtra pretendimet e Ministrisë së Financave për çështjen e dëmshpërblimit të tyre. Skënder Tufa deklaroi dhe se një pjesë e mirë e grevistëve nuk rezultojnë të kenë marrë asnjë këst të viteve të burgut.
Dje, në ditën e 18-të të grevës së urisë kreu i shoqatës së të burgosurve politikë deklaroi se nëse qeveria nuk do të negociojë me grevistët për të zgjidhur kërkesat e tyre atëherë do të ndjekin veprimin e shokut të tyre Gjergj Ndreca i cili mëngjesin e 8 shtatorit tentoi të vetëflijohej duke u lyer me benzinë dhe më pas u përfshi nga flakët.

----------------------------------------
English version

Another former political prisoner, set himself on fire on Wednesday in protest over the payment of the compensation for the victims of the communist regime.

Lirak Bejko from the city of Skrapari, also threw petrol and than his body was covered with flames, while the others were quietly staying at their tends.

He is also part of the group of the former prisoners who are in the 19th day of the hunger strike.

Bejko is the second former prisoner who in the timeline of two days tried to sacrifice himself with fire. On monday Gjergj Ndreca, was another former political prisoner who set himself on fire, on protest over the payment of compensation.

Meanwhile Bejko was immediately send to hospital. Doctors said that 50 percent of his body is covered in burns.
----------------------------------------

Redaksia Online

(sg/Gre.M/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Dëbora në Dibër/ Automjete të shumta bllokohen për afro 2 orë në Qafën e Ulzës, shkak mungesa e zinxhirëve dhe gomave dimërore

Dëbora në Dibër/ Automjete të shumta bllokohen për afro 2 orë në Qafën e Ulzës, shkak mungesa e zinxhirëve dhe gomave dimërore