Vetëflijimi, shpresa e vrarë e
gruas,humbi vajzën në Gërdec

TIRANE - Supet e Tushes ishin lodhur dhe nuk mund të mbanim më peshën e rëndë të jetës, as të çonin në fund amanetin e vajzës së saj, 19 vjeçe për t’u kujdesur për Kristin të cilin e la jetime vetëm 3-4 muajshe.

Dhimbjes së shpirtit kur humb padrejtësisht vajzën 19 vjeçe, ishte rënduar dhe më shumë mjerimi në mes të cilës duhej të rriste e vetme mbesën e saj Kristin, por dhe zhgënjimi se një ditë do vihej drejtësi mbi ata që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit.

Vogëlushja kishte qenë shumë e vogël, madje nuk kishte mësuar ende të fliste, kur shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008, i mori të ëmën. Nga ajo ditë Tushja humbi zemrën e vet dhe Kristi nuk mundi të thoshte kurrë më “Mami”.

TRAGJEDIA E PERSERITUR

Brenga e humbjes dhe skamja u bënë dhe më të rënda pas 11 nëntorit 2009 kur bashkëshorti i saj, Kujtimi vendosi t’i jepte fund jetës. 46-vjeçari u gjet i vetëvrarë në shtëpi nga familjarët e tij, vetëm pak ditë pasi ishte pushuar nga puna në Bashkinë e Vorës me motivacionin e “thyerjes së disiplinës në punë”. Pas atij momenti, Tushes i ishte dashur të gjente zgjidhjet ekonomike nën presionin psikologjik të një tragjedie që kishte rënë mbi familjen e saj.

Ajo kishte shkruar edhe pranë Bashkisë së Vorës për të kërkuar punë si kryefamiljare, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Së fundmi ajo punonte si pastruese në një shtëpi, por të ardhurat ishin të pamjaftueshme. Ndërsa CEZ i kishte ndërprerë dritat pasi nuk kishte mundësi të paguante faturat.

“Dje nga ora 13:00 fola me Tushen, asaj i ishin ndërprerë dritat nga CEZ. I thashë të mos mërzitej, se do përpiqemi t’i lidhim prapë, si të gjithë. Në darkë mora vesh për tragjedinë që bëri Tushja. Mora djalin e saj në telefon dhe më tha: Moza mami më la. Nuk mund ta besoja deri sot në mëngjes kur pashë njoftimin e vdekjes” - tregon Moza, një shoqe e saj, momentin kur kishte mësuar lajmin e vetëvrasjes së Tushe Osmanit

U VRA SHPRESA

Nga dje familjes Osmani i duhej të hapte sërish dyert e mortit.
“Unë e di dhimbjen që kishte. Isha e lidhur shumë me Tushen sepse djali im dhe goca e saj, kanë qenë në një dhomë kur ndodhi tragjedia e Gërdecit. I di të gjitha çfarë kanë përjetuar ata fëmijë. Tushja ka qenë dhe në Brindizi (në spital ku u dërgua Resmija së bashku me djalin e Zamira Durdës për mjekim më të specializuar pas djegieve që kishin marrë në gjithë trupin) dhe shumë gjëra që ka parë ato 18 ditë mi mbante të fshehta. Gjithmonë i thoja se duhej të bëheshim të forta, aq më tepër që ke një fëmijë të cilën vajza ta la amanet” - tregon Zamira Durda, e cila në këtë tragjedi humbi djalin e saj Edison Durda, i cili nuk kishte mbushur ende 10 vjeç.

Familjarët e viktimave të Gërdecit ishin zhgënjyer edhe nga vendimi i gjykatës së Shkallës së parë të Tiranës, i cili më 12 mars rrëzoi akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe dënoi të pandehurit vetëm për akuzat e dyta, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh. Familjarët u zhgënjyen së tepërmi edhe nga fakti që Ministri i atëhershëm Fatmir Mediu, nuk hetohet në lidhje me këtë çështje.

“Ishte e zhgënjyer, duke parë dhe vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Më thoshte çfarë do të bëhet me ne? Ne familjarëve të viktimave të Gërdecit na u vra shpresa” - të tregon Zamira Durda.

KUSH DO TE RRISE KRISTIN E VOGEL

Dhimbja dhe skamja që i kishte vrarë fytyrën i mori dhe jetën gjyshes së Kristit.

“Më ka ardhur shumë keq. Lodhja dhe tragjedia e madhe që ka kaluar nuk arriti t’i përballonte”- të tregon Moza, një shoqe e Tushes e cila nuk ia fal pse u largua duke lënë të vetëm në këtë botë Kristin.
“Nuk duhej ta bënte vetëm për Kristin e vogël. Vajza e saj që u vra më 15 mars ia la amanet duke u thënë: “Mami amanet Kristin”. Tushja nuk duhej ta bënte kurrë diçka të tillë. Të mendonte vetëm për Kristin, që e rriti e bëri 5 vjeçe. I them Tushes ndoshta më dëgjon nga lart, në Parajsë, ku e le Kristin? Denisin? Një dritë syri kishe, një djalë” - të thotë Moza e prekur nga tragjedia në një rrëfim të sinqertë për gazetaren Gentiana Haxhiu, në tv A1 Report.

Geraldo Durda, duke komentuar dje në facebook vetëvrasjen tregonte dhe për takimin që kishte patur me Tushen ditën e martë, 24 orë para vetëvrasjes së saj. "Jo më larg se dje kam biseduar me të...dhe me lot në sy me ka thënë që s’mund të mbante dot mbesën e vogël që e kishte kapur për dore...". Banorë të tjerë të zonës së Gërdecit kanë dëshmuar në lidhje me skamjen e familjes Osmani dhe vështirësitë e mëdha të 50-vjeçares tashmë të vetëvrarë.

Tushe Osmani përcillet sot për në banesën e fundit duke e çuar në 29 numrin e viktimave të vrarë nga tragjedia e tmerrshme e Gërdecit, e cila duket se plagët i ka ende të hapura.

tushe resmije gazmend osmani gerdeci
(Në foto famija Osmani, Resmija e vrarë në Gëdec në 2008, Gazmendi (babai) i vetëvrarë në 2010 dhe e ëma Tushe e vetëhelmuar dje)

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Rudina Dembacaj bëri ndryshimin drastik në pamje, miqtë nuk janë dakord?

Rudina Dembacaj bëri ndryshimin drastik në pamje, miqtë nuk janë dakord?