Egnatia zyrtarizoi të hënën emërimin e Nevil Dedes si trajnerin e ri të skuadrës, duke mos humbur kohë për të gjetur pasuesin e Edlir Tetovës, i larguar zyrtarisht të dielën.

Tekniku 51-vjeçar rikthehet në Superligë pas eksperiencës së fundit në Kosovë me FC Ferizajn, ndërsa sjell me vete një eksperiencë të gjatë në futbollin shqiptar, ku ka drejtuar skuadra si Tirana, Laçi, Luftëtari, Dinamo, Elbasani dhe Bylis.

Klubi rrogozhinas nuk ka bërë publike detajet e kontratës, por Dede do të marrë menjëherë drejtimin e ekipit në dy javët e fundit të kampionatit, si dhe në fazën “Final 4”, ku kampionët në fuqi synojnë mbrojtjen e titullit.

“Një kapitull i ri fillon sot…”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit, duke i uruar mirëseardhjen trajnerit të ri dhe suksese në këtë sfidë.

Dede merr një detyrë të rëndësishme, duke pasuar Tetovën, i cili u largua pas katër humbjeve radhazi, por edhe për shkak të problemeve shëndetësore, sipas komunikimit të klubit.

Aktualisht, Egnatia mban vendin e tretë në renditje me 54 pikë dhe ka siguruar pjesëmarrjen në “Final 4”. Gjithashtu, skuadra është finaliste e Kupës së Shqipërisë, ku do të përballet me Dinamon.

Debutimi i Nevil Dedes në stolin e Egnatias pritet të vijë të mërkurën, në ndeshjen ndaj Partizanit.